I “forti”, nga mësues fshati, shef në FSK!
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri po përcillet me emërime pa kritere e pa konkurs, të personelit në pozita të larta.
Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha së fundi ia ka besuar detyrën e shefit të sektorit për Politika dhe Strategji, arsimtarit të edukatës fizike, Azem Smajlit.
Vendimi për emërim në këtë pozitë të lartë është marr, ndonëse procesi i avancimit të Smajlit, më herët ishte kontestuar për shkak të arsimimit joadekuat.
Në një përgjigje për gazetën “Sinjali”, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala ka thënë se Azem Smajli është sistemuar në detyrën e re, pasi pozita që kishte mbajtur në kohën e Ministrisë së FSK-së është shuar në organogramin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Azem Smajli është i emëruar në detyrën e Shefit të Sektorit për Politika dhe Strategji, pasi që si rezultat i tranzicionit të Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes, pozita në fjalë, e cila është ushtruar nga z. Azem Smajli, është transformuar në gradë, detyrë dhe mision, dhe si e tillë nuk ekziston në strukturën e re organizative të Ministrisë së Mbrojtjes”.
Smajli, që prej vitit 2014, ushtronte detyrën e drejtorit të Departamentit për Planifikim të Politikave dhe Analizave. Vitin e kaluar, drejtuesit e ish- Ministrisë së Forcës së Sigurisë, kishin tentuar t`ia zyrtarizonin atë pozitë përmes dy konkurseve të brendshme të shpallura brenda pesë muajve, ndonëse nuk kishte kualifikimin e duhur profesional.
Madje, Smajli ishte shpallur kandidati më i suksesshëm duke u poentuar me 85 pikë.
Por i tërë ky proces ishte përmbysur në tetorin e 2018-ës, nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil.
Në vendimin e fundit, të cilin e ka siguruar “Sinjali”, thuhet se “Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka marrë vendim të anulohet si i parregullt ky konkurs pasi që është konstatuar se Azem Smajli ka të kryer fakultetin e shkencave sportive, drejtimi profesor i kulturës fizike, e që nuk është në pajtim me kriteret e konkursit të shpallur më 16 Maj 2018 nga ministria e FSK-së”.
Këshilli po ashtu i ka dhënë vërejtje edhe komisionit përzgjedhës të kryesuar nga Shkelzen Sylaj, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së FSK-së.
”Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil, lidhur me përfshirjen në listën e shkurtër të Azem Smajlit, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 28, paragrafi 1, të rregullores për rekrutimin e stafit civil, ku thuhet se anëtarët e KPSHC-së, vlerësojnë aplikacionet në bazë të kritereve si arsimimin dhe kualifikimin profesional”
Përkundër vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Smajli kishte vazhduar të mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit për Planifikim të Politikave dhe Analizave, deri tash së fundi kur u emërua si shefi i sektorit për Politika dhe Strategji, pozitë kjo me formulim të ngjashëm me atë që e mbante më herët.
I kontaktuar nga “Sinjali”, Smajli ka thënë shkurt se është emëruar sipas ligjit duke e ndërprerë lidhjen telefonike, ndërsa më pas nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Avancimet e tilla pa kritere si në rastin e Azem Smajlit po ndodhin në institucionin, i cili për shumë vjet është vlerësuar nga qytetarët ndër më të besueshmit, në vend dhe në kohën kur ka filluar procesi I transformimit të FSK-së në ushtri.
Kjo gjë, nga ekspertët e sigurisë, po shihet si një dukuri e keqe me pasoja për të ardhmen e ushtrisë së re të Kosovës.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë se ministria e Mbrojtjes duhet të ketë kujdes në emërimin e personave në pozita kyçe, ngase siç thotë ai, në këtë fazë të tranzicionit FSK-së, i duhen persona me kualifikime të larta në fushën e sigurisë dhe me plot integritet.
”Është koha që të gjitha institucionet, por FSK në veçanti, ta ketë njeriun e duhur në vendin e duhur. Nëse kjo nuk ndodhë ka shumë dyshime se procesi i tranzicionit të Forcës do të shkoj mirë dhe brenda afateve ligjore. Kosova është vonuar shumë në krijimin e ushtrisë, nuk kemi kohë për të humbur vite të tjera” shprehet ai.
Pas miratimit të pakos ligjore për transformimin e FSK-së, ministria e Mbrojtjes ka nisur fazën e parë të tranzicionit, por që ende nuk është përmbyllur procesi i emërimeve të pozitave të larta të kuadrit profesional dhe ato ushtarake./Sinjali/