Albspirit

Media/News/Publishing

Gerti Bogdani: Memoriali turk në Tiranë, gafë e rëndë diplomatike dhe cenim i sovranitetit kombëtar

Image result for gerti bogdani

Gerti Bogdani

 

Atë pak Park Artificial që kemi vazhdojnë ta mbysin e ta kafshojnë. Njëherë e kafshuan duke bërë kulla, pastaj e mbytën duke hedhur beton me ato që kryetari i bashkisë i quan ‘lodra’, tani me memoriale e pas pak muajsh përsëri me betonin e kullave të oligarkëve rreth e rrotull universitetit.

Por me lajmin dhe inagurimin e sotëm problemi është më i madh se thjesht shkatërrimi i parkut. Në këtë rast është cenimi i sovranitetit!

Për të qenë i qartë që në fillim, sepse jam i sigurt që etiketimet nuk do të mungojnë; së pari vlerësoj miqësinë dhe marrëdhënien e shkëlqyer mes popullit shqiptar dhe atij turk këto 100 vite e kusur pavarësi të Shqipërisë; së dyti ky qëndrim nuk ka lidhje as me mbajtjen anë në një konflikt rrymash e individësh, sepse nuk është problem shqiptar; dhe së treti cdo shqiptar i ndershëm, patriot dhe jo i shitur këtë qëndrim do mbante (të shprehur me zë, apo menduar në heshtje).

Memoriali i inaguruar nga nën kryetari i Bashkisë së Tiranës, edhe me prezencën e ndonjë përfaqësuesi tjetër politik, është thjesht një gafë e rëndë diplomatike dhe cenim i sovranitetit kombëtar! Nderimi i të rënëve për mbrojtjen e demokracisë së një vendi duhet të ngrihet në atë vend, jo gjetiu. Ndaj, është gabim ngritja e tij në Tiranë, sepse nuk tregon nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve, por vasalitetin mes tyre.

Për këtë gafë të Kryetarit të Bashkisë duhej të ishte shprehur menjëherë ministri ynë i jashtëm z.Rama, por duket që gojën ia kanë kycur me kohë. Ose, duhej të ishte shprehur se paku ministri i jashtëm në detyrë, i cili edhe pse mezi i reciton i ka për zemër Rilindasit, por edhe ky duket se nga hera e ka ngrënë lugën e çorbës gatuar me miell serbie.

E meqë përmenda Rilindasit, para disa kohësh dikush shprehej se po të shihte Skënderbeu Shqipërinë në 600 vjetorin e tij, do t’i mbusheshin sytë me lot; besoj se po ta shihnin dhe ata që mbaruan atë që nisi Skënderbeu, pra Rilindasit, edhe atyre do t’u përloteshin sytë! Por kjo nuk do të thotë që këtë vend të vazhdojnë ta qeverisin palaço mediokër e njerëz të shitur, ka ende kohë dhe shpresë që dinjitetin e këtij vendi ta çojnë në vend ato që realisht i thonë vetes SHQIPËTARË!

 

Post Scriptum: Sidoqoftë shashka si këto nuk mund t’i mbulojnë kurresesi aferat dhe zullumet disa qindra milionëshe të korrupsionit të kësaj qeverie.

10 gusht 2019.

Please follow and like us: