Sekretet e bllokmenëve komunistë, rrëfim ekskluziv i Dashamir Çollakut, në lidhje krushqie me Kadri Hazbiun
Bardhyl Berberi
Dashamir Çollaku është një nga pinjollët e familjes së njohur e të madhe të Çollakëve në Pogradec. E takoj rastësisht. E dija se Dashi kishte qenë njeri i rëndësishëm në bllokun e udhëheqjes së lartë komuniste. Duke qenë se vëllai i tij i madh Mehdini ishte dhëndrri i Kadri Hazbiut, Dashamiri pas mbarimit të shkollës teknologjike për mercolog, emërohet fillimisht Sekretar i Parë i Rinisë së Gardës dhe më pas si përgjegjës për kontrollin e ushqimeve që konsumonin Byroja Politike.
Dashi me vështrimin nga liqeni duke rrufitur kafenë e mëngjesit më thotë: Eh, sa kujtime kam unë o gazetar nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, por do të tregoj disa intimitete se po të tregoj të gjitha çfarë kam parë atje duhet të iki nga Shqipëria. Kisha disa kohë që po punoja tek garda e Republiikës si sekretar i Parë i Rinisë së Gardës. Një mëngjes më thonë se duhet të shkoja tek zyra e Kadri Hazbiut, Ministër i Brendshëm, ishim krushq, vëllai im, i ndjeri Mehdin Çollaku kishte marrë grua vajzën e madhe të Kadri Hazbiut, Helenën. Kështu që ai më priti në zyrë si mik i familjes dhe fillimisht bëmë një muhabet familjar. Befas më thotë: Dashi, partia ka nevojë që ti të punosh në Drejtorinë e Dytë, të merresh me sigurimin e udhëheqjes dhe me ushqimin e tyre. Ti je mercolog dhe duhet të jesh vigjilent natë e ditë që të mos helmohet udhëheqja e lartë, Byroja Politike. Nga Japonia do të vijë një aparturë moderne ku do të kontrollosh ushqimet. Mos na turpëro o Çollak, e mbylli bisedën Kadriu
Dashi, çfarë kujtime kini me Enver Hoxhën?
Dashamir Çollaku: Kisha vetëm pak ditë që kisha filluar punë tek Blloku, ishte marsi i vitit 1971. Po qëndronim jashtë tek ky mjedis dy shoqëruesit e Enver Hoxhës, Axhem Abazi, Halim Zano dhe unë. Ata të dy ishin të veshur me pallto gube, ndërsa unë kisha një kostum të zakonshëm gati të dalë boje. Papritur del nga shtëpia e Partisë Enveri me një bastun në dorë dhe më drejtohet mua:
“Po t`i more djalë nga je”?
“Jam nga Mokra”, i thashë Enverit
“Po Çollakët i njeh”?
“Po, shoku Enver unë nga ai fis jam”.
“Po ju jeni nga Pogradeci apo jo”?
“Po ju thashë për orgjinën shoku Enver, nga Mokra e kemi”.
“Të lumtë që the se jam nga Mokra, Mokra është një krahinë patriotike e lidhur me partinë…”.
“Unë e kam takuar Reshitin në Mokër, Reshiti ishte djalë trim dhe patriot. A e di ti se kur ka mbaruar akademinë italiane nuk ka pranuar që të betohet para flamurit Italian?…Po ti pse ke vetëm kostum, nuk ke pallto si këta të tjerët,- dhe drejtoi shkopin nga dy shoqëruesit e tij që ishin veshur me pallto gub, nuk ke ftohtë”?
Unë mblodha supet, por të nesërmen më sollën pallto gub dhe mua dhe të gjithë shoqëruesit u Bllokut ishin të veshur me pallto gub, pas asaj ndodhie që pata unë me Enver Hoxhën.
Po me familjen Hoxha?
Dashamir Çollaku: Të them të drejtën kam një nga skenat më skandaloze. Isha me punë fizike dhe punoja tek vila e re e Enver Hoxhës si njeri i besuar .Vijnë dhe montohen dy vaska për dush nga 60 mijë dollarë secila. Njëra ishte e kuqe, tjetra ishte blu. Teuta, nusja e Ilirit donte vaskën e kuqe, por të kuqen donte dhe Liljana, nusja e Sokolit. Jo e kam unë të kuqen jo e ke ti dhe kur u mbërthyen për flokësh të dyja duke u zënë si dy gra ordinere. Unë isha prezent dhe përballë tyre qëndronte Nexhmia. Ajo pa skenën dhe nuk foli asnjë fjalë deri sa ato i shkulën flokët njëra-tjetrës për gati dhjetë minuta. Këtë skenë nuk kam për ta harruar kurrë e kam të gjallë para syve të mi.
Po me Nexhmije Hoxhën?
Dashamir Çollaku: Kur ishte kongresi i Frontit Demokratik në Vlorë, dy ditë para Kongresit, vjen në vilën e Enverit në Vlorë fillimisht Nexhmija para dite. Pas dite vjen Ramiz Alia. Atë natë qëndruan në të njëjtën vilë edhe Nexhmija dhe Ramizi.
Të nesërmen paradite vjen Semiramizi, gruaja e Ramiz Alisë një grua e përkryer. Sapo mbërriti tek oborri i vilës më drejtohet mua duke më tërhequr anash më hodhi dorën në sup:
“Dashi, ti je Çollak dhe Reshit Çollaku me Ptoleme Xhuvanin, pjestarin e familjes sime janë vrarë në një llogore në Pojskë të Pogradecit. Dua të më thuash vetëm mua miqësisht mbrëmë këtu kanë qënë ata të dy”. (Pa ja zënë emrin në gojë as Ramizit e as Nexhmijes).
Po ju, i treguat?
Dashamir Çollaku: I pohova lehtë me kokë, nuk mund të gënjeje atë grua të mrekullueshme, ja ku po ja u them Ramiz Alia para Semiranit ishte një zero.
Çfarë ndodhi më pas?
Dashamir Çollaku: Asgjë ajo nuk takoi asnjerin, hipi makinën dhe u nis në Tiranë.
Desha të theksoi se kur ka vdekur Semirami kam qarë sikur kishte vdekur nëna ime, ishte modeli i një gruaje të mirë, si nuk e pamë të hipte një herë në makinë. Nisej nga Blloku në këmbë deri tek Shkencat e Natyrës tek Materniteti në erë në shi në vapë…Semirami ishte pedagoge tek Shkencat e Natyrës.
Po Nexhmije Hoxha?
Dashamir Çollaku: Ja ku po ta them, Nexhmije Hoxha ka qënë gruaja më e zezë dhe shpirt keqe dhe Ramiz Alia një njeri dinak që i hante shokët e tij mbrapa shpine, janë dy njerëzit më të neveritshëm për mua…
Po me Mehmet Shehun?
Dashamir Çollaku: Kontaktin e parë me Mehmet Shehun e kam pasur kur vdiq Hysni Kapua. U thirrën shumë persona të besuar se kush do të mbante ballin e arkivolit të Hysni Kapos, pasi siç dihet në krye ishte Enveri dhe në anën tjetër Mehmeti, por ata e mbanin dorën kot se peshën e arkivolit e mbante personi që vinte pas tyre. E provuan shoqëruesin e Enver Hoxhës, Beharin dhe shoqëruesin e Mehmet Shehut, Ali Çenon dhe e bënë provë por nuk e mbanin dot as dy metra në krahë arkivolin e jo 200m që duhej mbajtur.
Më thirri komandanti gardës Haki Liço dhe më tha:
“Dashi e pe që atyre ju hapën këmbët nuk e mbajnë dot arkivolin e shokut Hysni kështu që do ta kapim ne të dy”. Dhe kështu u bë unë u vendosa mbrapa Mehmet Shehut, ndërsa Haki Liçua mbrapa Enver Hoxhës.
Të them të drejtën arkivoli ishte shumë i rëndë, na krisën shpatullat megjithatë ne e kryem detyrën. Duke ecur me arkivol që nga salla e homazheve deri tek shtrati i topit pa dashur i shkela këmbën Mehmet Shehut. U preva fare, të shkeje Mehmetin, por ai ktheu kokën dhe më tha ‘s’ka gjë Çollak, ec, je djalë flori…’.
Për Mehmet Shehun desha të tregoj disa kuriozitete intime. Mehmeti po të dëgjonte që këndonte pranë vilës kukuvajka ngrihej më 1 të natës dhe nisej në vilën e Durrësit, një herë tjetër kishte qënë tek vila në Fier se ishte me shërbim, një të dëgjuar kukuvajkën dhe më 2 pas mesnate u nis për në Tiranë. Ne që ishim në grupin e shoqërimit e dinim këtë dhe sapo dëgjonim ndonjë kukuvajkë bëheshim gati. Shefi i shtëpisë së Mehmet Shehut, Ferik Çaushi kur shikonte ndonjë kukuvajkë nëpër pemët rrotull shtëpsisë së Mehmetit e qëllonte me snajper pa zhurmë dhe e vriste.
Mehmeti kishte shumë qejf gjuetinë e derrave të egër, shkonte në Kutërman midis Librazhdit dhe Elbasanit, ishte një rezervat derrash të egër. Me vete morën edhe kryetarin e shoqatës së gjuetarëve të Elbasanit, Skënder…nuk po më kujtohet mbiemri. Në gjueti gjatë kohës që shtinin mbi një kope derrash të egër gabimisht plagoset Skënderi. Mehmeti u shqetësua dhe lajmëroi një helikopeter i cili u ul në stadiumin e Elbasanit e çuan me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe fatmirësisht Skënderi shpëtoi.
Mehmeti pas gjuetisë një derr e mbante për ta ndarë me anëtarët e Byrosë Politike, një derr na i jepte ne shoqëruesve që ta ndanim midis nesh, ndërsa derrat e tjerë i çonim në grumbullim për t’ia shitur popullit, nuk largohej pa i sjellë faturat që ishin bërë dalje në grumbullimin e mishit. Për hir të së vërtetës Mehmeti ishte mjeshtër në gjuetinë e derrit, ndërsa Kadri Hazbiu ishte për rosën e egër.
Ishim një herë në malin e Dajtit tek vila me grupin e shoqërimit pranë Mehmet Shehut. Kur shikojmë ne rreth orës 11 të natës del Mehmet Shehu, i veshur me tuta sporti dhe nga këmbët ishte zbathur. Ecte mbi disa guriçka të vogla si tip zhavori të trashë. Ne shqyem sytë, të shikoje kryeministrin e vendit të ecte zbathur në mesnatë. Ai e kuptoj hutimin tonë dhe na foli me ton ushtarak ‘po ju çmë shikoni, hajt hiqni shpejt këpucët dhe ecni siç ec unë zbathur mbi guriçkat’.
Ne shtangëm hë, nuk e dini se pse?
“Këto gurët e vegjël lëshojnë disa impulse në tru që ju bën mirë për shëndetin, ju mpreh kujtesën dhe bëheni më inteligjentë…”.
Filluam dhe ne të ecim pas tij nëpër guriçkat rrotull vilës, na qeshej me vete, por prej Mehmetit nuk na i mbante.
Kryeministri do të shkojë në Korçë më thonë dhe ‘ti Dashi je në grupin e shoqërimit’. Pa shkuar në Korçë, qëndroi në vilat e Pogradecit për të ngrënë drekë dhe për të pushuar pak. Po shëtiste buzë liqenit kur sheh që ishin prerë disa plepa anës liqenit. Thirri përgjegjësin e vilave.
“Pse i keni prerë plepat”?
“Kështu na dhe urdhër Kryetari i Komitetit të Pogradecit të asaj kohe Bexhet Zagorçani”.
Siç ishim grumbull grupi i shoqërimit Mehmeti më thërret:
“Çollak, eja këtu se ti je pe Pogradeci”.
“Urdhëroni shoku kryeministër”, i thashë unë.
“Merr një makinë shoqërimi dhe shkoji në zyrë atij Bexhet Zagorçanit dhe i thuaj se ke prerë plepat dhe kryeministri do të vari mu në Zagorçan për këtë shëmti që i ke sjellë parkut”.
Sapo shkova në komitet i thashë dezhurnit se kam një porosi nga kryeministri për kryetarin e komitetit dhe më çuan atje menjëherë.
Sapo i them Bexhetit porosinë e Mehmetit ai u zbardh i tëri në fytyrë si ato statujat e Greqisë. Pastaj piu nja dy hapje…”Bo bo ç’na gjeti”, tha më pas, filloi të justifikohet “unë dhashë urdhër të priten si ishin plepa të vjetër dhe mund rrëzoheshin se ishin të kalbur dhe në atë rrugë buzë liqenit shëtit shoku Enver…”. Bexhetit filloi që t’i merret goja, “unë i shkreti për mirë u mundova”.
“Urgjent, i them unë, mbill filiza të tjerë në atë vend”.
Pas dy ditësh kur u kthyem nga Korça qëndroi përsëri në Pogradec tek vilat dhe duke shëtitur e pa se ishin mbjellë ca filiza të rinj shumë të zhvilluar në vend të atyre që ishin prerë. Nuk foli më, por i erdhi mirë që ishte zbatuar porosia e tij.
Në vitet `70 Mehmeti pati një problem me shëndetin dhe vendosën që të kurohet në Francë. Kuptohet që përveç Mehmetit ishte një grup shoqërimi. Qëndruam 20 ditë.
Mehmeti foli me persona zyrtarë që të mos e shqetësonte asnjë radio apo tv.
Një ditë aty në spital Mehmeti e pyet Bashkim Musain nga Frateri i Përmeti:
“O Bashkim, në Tiranë të kam falur një thikë shumë të veçantë desha ta di e ke me vete këtu në Francë”?
“Po shoku Mehmet”, iu përgjegj Bashkimi dhe nxori thikën nga brezi.
“Të lumtë, i tha Mehmeti, je djalë trim”- dhe e puthi në ballë.
Një ditë na thotë Mehmeti:
“Hë, keni mbledhur ndonjë dollar juve nga dietat apo jo”?
Ne mblodhëm supet
“Dëgjoni ju, kur të ikni do ta merrni nga një televizor, por do t’iu them atyre të ambasadës që t’iu çojë tek një treg që të shtunave ka skonto të madhe dhe t`i blini atje televizorët”.
Dhe ashtu u veprua. Mehmeti dukej shumë i rreptë, por kishte një zemër të madhe.
Dashi ju keni qënë për shumë kohë dhe pranë Hysni Kapos?
Dashamir Çollaku: Më thërret përsëri në zyrë Kadri Hazbiu dhe më thotë:
“Dashi do të shkosh pranë shokut Hysni Kapo, është ndër shokët tanë më të mirë dhe është pa qejf, prandaj do të bësh sytë katër”.
Qëndroja në paradhomën e Hysniut. Aty sëbashku me mua që kujdesej për shëndetin e tij ishte një grup mjekësh, midis tyre dr. Berisha. Ne qëndronim aty të dy: unë bëja shërbim, ndërsa dr. Berisha ishte në pritje të ndonjë emergjence. Hysniu ishte shumë i sëmurë. Desha të theksoi një fakt, me dr. Berishën u miqësuam dhe unë arrita deri atje sa t’i kërkoj një nder të më nxirte nga leksioni të dashurën time, sot bashkëshorten Luljeta Mehqemeja kur ai kishte mësim me grupin e saj në fakultetin e mjeksisë dhe dr. Berisha ma bëri këtë nder.
Desha të theksoj se në paradhomë kishte një frigorifer të madh me tërë llojet e pijeve, vinin këta mjekët e tjerë të bllokut si dr. Ylli Popa dhe të tjerë dhe pinin këto pijet e rralla si uiski, kampari, xhin, fërnet Branka etj, vetëm dr. Berisha nuk pinte asnjë lloj pije, pinte vetëm ujë dhe ndonjë kafe. Desha të nëvizoj një fakt, ne qëndronim gjithë natën në paradhomë dhe kishte disa divanë që mund të shtriheshim. Dr. Berisha nuk qëndronte në divan, por në një karrike dhe me kufje studionte gjithë natën gjuhë të huaja, kishte një vullnet të paparë. Më thotë se pëlqente Pogradeci dhe në verë do të vinte me familjen me pushime. E çoj tek kushëriri im Seit Çollaku. Më thotë Seiti një ditë me dr. Berishën ‘po kalojmë shumë mire, por nuk pin raki…”.
Edhe kur doktor Berisha u bë president dhe kryeministër, kur shihemi më përshëndet me përzemërsi dhe më thërret –Ku je Çollak!
Më thatë në fillim të bisedës se keni një histori të veçantë me Llambi Gegpriftin, çfarë ju ka ndodhur?
Dashamir Çollaku: Llambi Gegprifti ishte djalë nga Mokra dhe kuptohet ishte nga anët tona. E kishin thirrur me urgjencë dhe nga drejtor e kishin zgjedhur si kandidat të Byrosë Politike. Por aty pas pak do të fillonte mbledhja e Byrosë Politike të KQPPSH. Rrotull në koridor ku do të fillonte mbledhja të gjithë antarët e Byrosë Politike ishin të kollarisur me kostume thikë. Llambi nuk e dinte që do të zgjidhej në Byronë Politike dhe kishte veshur një kostum të zakonshëm bezhë dhe një këmishë të thjeshtë ku ja kishte nxjerrë jakën sipër xhaketës.
E shoh Llambin të veshur fare thjeshtë dhe mbi të gjitha pa kollaro. Më erdhi keq, pastaj e kishim nga anët tona. E takova dhe e urova. E pashë më pas nga koka tek këmbët dhe i them:
“Ku do të vesh kështu si je ti në mbledhje të Byrosë Politike, mbi të gjitha ti s’ke kollaro”.
“E ku ta dija unë se do të zgjidhesha atje, më thotë Llambi si i zënë në faj”.
“Eja, i them unë dhe shkuam tek një cep i koridorit, unë hoqa me shpejtësi kollaron time dhe ia vura Llambi Gegpriftit në qafë dhe ai pas pak minutash u fut në mbledhjen e Byrosë Politike.
Më pas Llambi më solli tre kollaro të tjera mua për atë kollaro që i dhashë unë atë ditë në mbledhjen e Byrosë Politike, kishte simbolikë tjetër …por s`kishte rëndësi kjo kishte rëndësi që ai e hodhi lumin atë ditën e parë u fut me kollaro në mbledhjen e Byrosë Politike.
Pas disa kohësh Llambi më kërkon një nder pasi unë isha edhe sekretar i Parë i Rinisë së Gardës.
“Çfarë kërkon”, i them unë.
“Të ndërhysh ti Dashi dhe të më sjellin si shoqërues të parë Agron Shkëmbin”. Kishte një rregull që shoqëruesit e anëtarve të Byrosë Politike duhet të ishin mbi 1,80cm. Agroni ishte i shkurtër, rriti takat e këpucëve që të dukej disi më i gjatë dhe ia plotësuam Llambi Gegpriftit dëshirën dhe mori si shoqërues të parë Agron Shkëmbin.
Keni një histori me Rita Markon?
Dashamir Çollaku: Shkonte Rita Marko në Korçë dhe u caktova unë ta shoqëroja. Kur po i afroheshim Pogradecit, më thotë i inatosur:
“Ore Dashi, nga Çollakët je ti”?
“Po shoku Rita”, i them unë.
“Po Astrit Çollakun çfarë e ke”?
“Jemi kushërinj të afërm”, i them unë.
“Pah ç’më ka bërë ai njeri mua, më ka hequr guzhinjerin më të mirë nga kampi i kuadrove Risto Çomon dhe e ka marrë në turizmin e ri ku është vetë drejtor”.
Qëndruam tek turizmi i ri dhe Rita Marko takoi Astritin. Filluan të përplasen me fjalë. Rita Marko atëhere ishte anëtar i Byrosë Politike dhe President i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, por Astrit Çollaku ishte vëllai i Heroit të Popullit “Reshit Çollaku”.
Astriti i qëndroi serioz dhe i tha se e ka marrë Risto Çomon se mendon që këtu është më mire, vijnë njerëz të rëndësishëm dhe shumë të huaj që vizitojnë Pogradecin dhe hanë në turizëm dhe duhet patjetër një mjeshtër guzhine…Po dhe atje do të hajë me cilësi klasa punëtore, i thotë Rita …Atje nuk ha klasa puntore, por kuadrot kryesore të vendit, prandaj quhet pallati i kuadrove. Rita këmbëngulte se do të hedh në gjyq se ke vendosur autoritetin tënd me drejtuesit e rrethit që e ke marrë.
Astriti iu preu shkurt ‘kam dërguar një guzhinjer tjetër atje, Asim Sokolin dhe ai është i mirë për atje kot që bëjmë llogje…”.
Më pas hëngrën një drekë të dy, gatoi Ristua një tavë me Koran…Iku Rita Markua në Korçë dhe nuk e hapi më atë muhabet…
Kur u larguat nga Blloku, Dashi?
Dashamir Çollaku: Menjëherë pas arrestimit të Kadri Hazbiut. Vëllain tim Mehdinin që kishte grua vajzën e Kadri Hazbiut së bashku me të shoqen e internuan në Rrëshen, ndërsa mua më çuan si shef policie në Kukës. Në Kukës ruaj përshtypjet më të mira nga populli i Kukësit, e duan Kukësin si Pogradecin. Që ditën e dytë më thërret sekretari i Parë i Kukësit Sulë Bushati dhe më thotë: Dashi mos çaj kokën fare, shiko punën, nuk të ngacmon njeri ke mbrojtjen time, me familjen e Çollakëve unë jam mik i ngushtë.