Fritz RADOVANI: KUR ARRESTOHEJ AT PJETER MESHKALLA
AT PJETER MESHKALLA S.J.
(1901 – 1988)
DOSJA Nr. 1033 P. MESHKALLA (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë).
Urdhën arresti ka daten 27 Tetor 1946, ndersa arrestimi asht ba si dishmon z. P. Topalli, me 21 nandor 1946, mbasi atë ditë që ishte festa fetare e Krishtit Mbret, At Mëshkalla kishte predikue për të fundit herë në Kishën Famullitare të Tiranës. Kjo vertetohet edhe me hapjen e Dosjes nga hetuesia me 22 nandor 1946: “…Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija. Me rastin e vdekjes së Imzot Bumçit, i kam ba thirrje nanave të dëshmorëve që mos me kerkue gjak, mbasi kjo ngjallë vëllavrasje…Me Luftën Nacional-Çlirimtare u bashkuen edhe komunistët, e më që këta nuk njohin dhe nuk respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne.
Këte propagandë e kam ba edhe ndër familjet ku kam shkue për vizita e raste tjera…
At Troshani asht kenë eprori em. Ai nuk merrej me politikë, edhe ai si unë, nuk e donte fashizmin…Unë kam dërgue një letër në Misionin Francez, ia kam dorëzue në dorë Briotit për me e dërgue në Vatikan. Këte letër e kam shkrue bashkë me At Frano Kirin, ku kam tregue ndalimin e lirisë së Fesë, fjalës dhe shtypit… Një letër ia shkrova edhe Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës, por nuk mora përgjegje… Për lirinë e shtypit tonë unë kam kërkue me u takue me Nako Spiron, por ky më ka çue njeri tjetër… Për votime nuk kam kenë dakord që mos me pasë secili mendimin e vet për partinë që don… Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhet ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë asnjë nga shtetet e Europës, mbasi atje ka vetëm Parti Demokristjane, gja që do të ishte e mirë me e pasë edhe na…
Imzot Frano Gjini me ka ngarkue me shkrue një letër për Enver Hoxhën, ku bahej fjalë për përkrahjen që duhet me na dhanë shteti né dhe për padrejtësitë që na baheshin… Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “bravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën…Raste të tilla si ky janë kenë të shumta…Mbas çlirimit e rihapa Rrethin e “Shën Pjetrit”, se m’u lutën të rijtë dhe unë e pashë të nevojshme me e rihapë mbasi rinia kishte fillue me u implikue me komunista…”.
Hetimet vazhdojnë nga nandori i 1946 e deri në gjysën e prillit 1947.
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, me datën 18 prill 1947, Tiranë ATSH:
“Dje Gjykata Ushtarake e Garnizonit të Tiranës dha vendimin e saj kundra një grupi klerikësh, armiqë të Popullit Shqiptar, që të veshur me petkun fetarë, kanë punuar për rrëzimin e Pushtetit Popullor, duke qenë në lidhje me agjentë të huaj, prej të cilëve kanë marrë të holla e udhëzime…. Në këte grup bëjnë pjesë: Dom Shtjefën Kurti, Pjetër Meshkalla, Rrok Oboti dhe Peshkopi Irené Banushi.
Në bazë të këtij vëndimi, i pandehuri Dom Shtjefën Kurti u dënua me 20 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave për 5 vjet.
Pjetër Mëhill Mëshkalla u dënua me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjën e të drejtave për 5 vjet.
I pandehuri Rrok Oboti u dënua me 8 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjën e të drejtave për 5 vjet.
Peshkopi Irené Banushi u dënua me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për 3 vjet. Vëndimi i kësaj gjykatë është i formës së prerë.
Edhe të dënuemit vazhduen Kalvarin ku, asnjëherë nuk harruene detyren që i kishin vue vetes ndaj Rinisë e cila, edhe ajo u tregue mirnjohëse deri në fundin e jetes, ku lexojmë nga z. Agim Musta, bashkvuejtës i Padër Mëshkallës, që shkruen:“Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.
Ndersa z. Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”.
Tregonte z. Riza Kuçi: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua P. Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër Mëshkallës…”.
Kur perfundoi dënimin 15 vjet, At Mëshkalla u lirue nga burgu i Burrelit…
Letra historike e Tij e shkrueme me 5 Prill 1967, drejtue terroristit Mehmet Shehu, kur ai ishte kryeminister… E vendosë At Pjeter Meshkallen në vendin e merituem të Herojve të pakrahasueshem të Atyne Herojve të Europës Lindore të masakruem nga komunizmi.
Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Mëshkallës, në “BULETINI KATOLIK SHQIPTAR” Vol. 10, viti 1989, SAN FRANCISKO U.S.A. :
“Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”.
Melbourne, 26 Tetor 2019.