Sadik Bejko: Shenjtërimi i martirëve dhe krimet e pandëshkuara
Është një ngjarje me shumë rëndësi shenjtërimi prej Vatikanit i klerikëve katolikë shqiptarë të ekzekutuar barbarisht prej kohës së komunizmit. Është një ngjarje e jashtëzakonshme.
Ndër punët e mia si autor kam dhe një libër për Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin. Këta të dy renditen ndër martirët, të rënët prej mizorive të komunizmit. Pre e gjakderdhjes, e vrasjes pa shkak të njeriut. Ashtu si klerikët që u vranë për shkak të detyrës, u vranë se ushtronin profesionin e shenjtë të meshtarit.
Tani ata zyrtarisht marrin bekimin, shenjtërimin si martirë të kishës.
Martirët e kishës u bëfshin fanarë njerindriçues, fanarë të ndërgjegjes sonë, si njerëz, si histori dhe si e ardhme.
Dënimi i krimeve, dënimi i terrorizmit shtetëror si sistem i qeverisjes, me shenjtërimin e martirëve merr një përshkallëzim nga e mira. Është një kthesë kjo që do të ndodhë më 5 nëntor 2016 në Shkodër.
Kur u braktisëm te komunizmi për shkak të ndarjes së botës në dy kampe, Kisha e Madhe e Romës mbase e dinte se në Poloni dhe në Shqiperi, po hidhte në thonjtë, në ‘gojën e ujkut’ njerëzit e saj. Po i flakte në ‘gojën e ujkut’ pastorët, dhjakët, peshkopët, ndër më të devotshmit klerikë të saj. Ajo i dinte rrethanat me peshë planetare pse duhet t’i nënshtohej këtij verdikti.
Kanë kaluar kaq vjet që komunizmit ka rënë. Krimet e asaj mynzyre nuk janë ndëshkuar. Komunizmi formalisht quhet i përmbysur. Por viktimat e tij ende nuk janë rehabilituar. Varret e shumë prej atyre që vdiqën në kampe a vdiqën pa u gjykuar në burgje ende nuk dihet se ku janë.
Tani që Kisha e Romës me shenjtëri u kthye në këto troje, ne shpresojmë se krimet e komunizmit do të ndëshkohen, se do të jetë një Nuremberg i vonuar gjyqi mbi atë kohë të krimit dhe të dhunës shtetërore mbi qytetarët e pafajshëm.
Kështu ne mund të shpresojmë se po kthehemi te Perëndimi, te rrënjët e kulturës sonë.
Faleminderit Shenjtëri Papa Gjon Pali II (Karol Józef Wojtyła), që shkele së pari në tokën tonë duke premtuar bekim e shelbim të njeriut të dhunuar nga komunizmi.
Faleminderit veçan tani Shënjtërisë së tij Papa Francesko që dheun e tokës sonë, ajrin e qiellit tonë na e mbolli me shenjtërinë e martirëve tanë të kishës.
28 Prill 2016.