Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: DON SIMON JUBANI TRANDI EUROPEN ME 11. 11. 1990

Image result for dom simon jubani

Don Simon JUBANI (1927 – 2011)

 

Don Simon JUBANI asht le në Shkoder me 8 Mars 1927, në një familje qytetare.

1957, merr urdhnat e Meshtarisë nga Imz. Ernesto Çoba dhe emnohet në Mirditë.

1963 – Asht arrestue nga sigumi i shtetit komunist dhe dënohet me akuza politike.

26 vjet burg në Burrel, ka vuejtë si antikomunist dhe me dinjitet, ka kalue ditë dhe muej në një birucë që mbante edhe emnin e Tij, ma shumë se kater vjetë pa shtroje dhe mbuloje, pa ushqim e as cigare, vetem me bukë thatë e me një rracion ujit në tre vakte.

Mbas ardhjes së Jozef Shtraus të Gjermanisë, e me kerkesen e Tij per “lirimin e të burgosunve politik…” edhe Don Simoni, asht lirue nga burgu i Burrelit me 13 Prill 1989.

Asht rikthye në Shkoder, dhe ka fillue privatisht edukimin e Rinisë me ndjesi fetare.

Asht arrestue në Janarin 1990, kur Rinia Shkodrane organizoi Demostraten e heshtun per heqjen e bustit Stalinit, asht torturue nga zv. ministri mbrendshem Zylyftar Ramizi.

4 Nador 1990, ora 9.00 p. dr., në Vorrezat e Rrëmajit të Shkodres, shoferi Mark Morana shkoi e trokiti në deren e Don Simon Jubanit dhe i tha: “Don Simon, Populli asht mbledhë nder vorreza dhe po të pret per Meshë!..”. Dhe, Don Simoni shkoi. Kjo ishte Mesha e Parë mbas “Revolucionit Kultural të 1967”, në Kishën e vogel të  Rrëmajit, e cila u pat djegë pak vite perpara nga agjentët e sigurimit komunist…

Don Simoni shkruen: “Spiunat e mbrendshem e të jashtem të paguem nga sigurimi per të më poshtnue e per të ulë rrolin vendimtar që Shkodra ka luejtë në të gjitha aspektet e jetës shoqnore këtu në Shqipninë tonë…, kanë shkrue dhe perhapë fjalen mbrenda dhe jashta Atdheut, se unë paskam kenë i autorizuem nga Ramiz Alia…”.

Asht e vertetë se ka qarkullue kjo shpifje, po koha vertetoi se kush ishte Prifti Trim i Shkodres Don Simoni?

6 Nandor 1990, Don Simoni asht thirrë në Degen e Mbrendshme të Shkodres nga kryetari Çapajev Taçi dhe shefi policisë Dilaver Papare, që e kercnuen per mos me thanë me 11 Nandor, Meshen që Don Simoni kishte njoftue Popullin e Shkodres me daten 4.

Don Simoni i asht pergjegjë: “Doni a nuk doni ju, unë Meshen me 11 do ta tham!…”.

Fjala e Ramiz Alisë në Byronë Politike të K.Q. PPSh, tregon haptas mendimi i tij per Klerin Katolik në vitin 1990: “Në Shkoder Vatikani ka agjenturat e veta…!”

RRËMAJI… SHKODER… 11 Nandor 1990, ora 11.00 p. dr…

Ishim mbi 50.000 vetë mbrenda murit rrethues të Vorrezave, kur nder tarraca dhe skuta, në vagona e magazina, sampistët e sigurimit shtetit prisnin urdhën me shkrepë snajpert mbi kokat tona… Pa asnjë mbrojtje përveç rreth 300 vllazenve Musliman t’ armatosun…

Por, asht fakt se: “Dora e Zotit”, gjithmonë ishte pranë Atyne Çinarëve… Kjo ishte një e vertetë e provueme vite perpara nga Atdhetari i Madh Shkodran Gjon Kamsi…

NË MESHEN E PARË, Don Simoni nder tjera tha:

“VLLAZEN DHE MOTRA!

Le t’ i kujtojmë per nji minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi nder këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazen e Motrat tona, që kanë ra per nji Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme!.. Në vjetin 1443 kur Heroi i ynë Kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e pershndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë: Lirinë nuk ua pruna unë, por e gjeta midis jush!

Unë i padenjë per ketë mision po Ju tham se Fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun nder zemrat Tueja! Se kjo Fe ka kenë gjithmonë e flakët nder zemrat tona e deshmon ardhja e Juej sot në ket Vend të Shejtë prej të kater anëve të Shqipnisë, per me adhurue, per me falnderue, per me lavdue të Madhin Zot per ketë Mrekulli të madhe që po shohim sot me sy. Se ky Besim ka kenë perherë i ndezun në Shpirtnat tonë e verteton restaurimi i kësaj Kishëze vorrezash ku, kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla, edhe vllaznit tonë myslimanë dhe ortodoksë.

Se kjo Fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona e deshmon edhe ma mirë Shejtnoria e Shna Ndout në Laç, kur midis terrorit mbi ato germadha kanë rrâ mija Shqiptarë per çdo vjetë, sejcili në Fenë e vet, sejcili në gjuhen e vet, vazhdimisht tue Ju lutun Zotit dhe Shejtit Shna Ndue, per të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore, dhe këto lutje u kunorzuen sot me ketë panair plebishitar.

Per të Madhin Zot e per Fenë e Tij, ma bukur se unë flitni Ju, me ato ngushllimet e panumerta që gjeni nga kjo Fe që, i ngushllon, i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendjet e zemrat e të gjithë njerzimit. Per të Madhin Zot e per Shejtnit e Tij, ma bukur se unë flasin shurdhët që ndijnë, pagojcët që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që sherohen…

Duhet t’ i qendrojmë tundimit e s’duhet të perdorim dhunen, as brutalitetin kunder njeni – tjetrit per me kerkue të Drejtat e Liritë që na tokojnë, sepse të gjitha këto Liri e të Drejta, po na epen gradualisht e me rrugë paqsore.

Vetem kështu do t’ ua mbyllim gojen atyne që na quejnë shprehje gjeografike, tokë e pazbulueme, tokë e askujt, vetem kështu, do t’ ua mbyllim gojen anmiqëve tonë, që na konsiderojnë nji popull kopil i gjetun midis katër rrugëve nga Nana Histori…”.

***

Don Simon Jubani ka shkrue: “Ateizmi në Shqipni gjoja e kishte gjetë supernjeriun, Enver Hoxhen, dhe ky donte të fitonte me gjak e terror çka Kisha e kishte fitue me lutje, zotësi, mundim e djersë. Dhe si të gjithë tiranët që skllavnuen Popullin e Perëndisë, edhe ky mori mallkimin e Popullit të Zotit, u shtyp si miza dhe perfundoi në koshin e plehut të historisë, e megjithkëte, salvuesit nuk kanë mësue nga historia!..

Komunizmi na bani edhe ma të famshëm, se na shtoi numurin e Martirëve”.

Mbas Vepres Madhshtore të Meshës së Parë, me 4 dhe 11 Nandor 1990, Don Simoni asht i Pari Klerik Katolik Shqiptar, që asht thirrë në Vatikan me u takue me Papen Gjon Pali II, vizitë e cila, asht pasue nga disa Personalitete botnore në Belgjikë, dy herë nga vetë Administrata Amerikane, Parlamenti Rus, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Stambolli, Kajro, Izraeli dhe shumë institucione jokristjane botnore.

Universiteti i San Franciskos në Kaliforni i ka akordue Don Simon Jubanit diplomen “Honoris Causa”, si protagonist i “Një Epoke të Re në Shqipni”.

Shteti i Miçiganit e ka nderue Don Simonin me një “Special Tribute”.

Don Simon JUBANI ishte nder Figurat ma të vujtuna të Gjenocidit komunist, po edhe nder ma të nderuemet e Klerit Katolik Shqiptar, me qendresen e Tij antikomuniste.

Melbourne, 10 Nandor 2019.

Please follow and like us: