Albspirit

Media/News/Publishing

Martirët e Kishës sonë, dëshmi e vlerave universale të shqiptarëve!

Image result for albina deda

Albina DEDA 

 

Paradoksi i shoqërisë sonë është fatkeqësisht i mjerueshëm tek sheh që  pikërisht në metropolin shqiptar, në vend të martirëve, janë varur portretet e pionierëve të komunizmit, të atyre që instaluan urrejtjen për Fe e Atdhe!

E jo vetëm kaq, por dhe fizikisht në kupolën e qeverisjes po vegjetojnë e drejtojnë bijtë e tyre biologjikë!

E pra kjo është vrasje për së dyti i martirëve tanë!

Ata janë 40 martirë të këtyre trojeve që u lumnuan nga Vatikani.

I dërguari i posaçëm i Papa Benediktit XVI, kardinali Cladio Hummes tha se “këta martirë i bëjnë nder Shqipërisë, pasi i japin emër ndërkombëtar si popull me vlera universale”.

Ky konstatim dëshmon se edhe të martirizuar ata vazhdojnë të ndriçojnë ndër këto troje dritën e besimit tek e ardhmja.

Ata janë 40. Ky numër nuk është rastësi as në historinë dhe as në numeralogjinë kishtare!

Në vitin 320, 40 martirë në Melitenë të Armenisë Romake u ekzekutuan.

Ata u lanë lakuriq në një liqen të ngrirë ku dhe ndërruan jetë, por asesi nuk pranuan të mohojnë fenë e krishterë.

Ky makabritet për fat të keq u përsërit shekullin e kaluar në trojet tona po me 40 martirë.

Nga këta vetëm njëri është viktimë e kohës së Mbretërisë dhe një tjetër i vrarë nga dhuna serbe në Kosovë, ndërsa 38 janë viktima të mizorisë e barbarisë së diktaturës komuniste në Shqipëri!

Që nga Imzot Vincens Prenushi e deri tek Dom Gjon Gazulli secili ka një histori torture e makabriteti, por dhe një histori qëndrese e lavdie.

Ne sot lutemi për martirët e lumnuem!

Lutjes sonë i bashkohet jo vetëm krishtërimi, por mbarë qytetërimi botëror!

Ata janë jo vetëm krenari por së pari dëshmi… dëshmi që duhet të na shoqërojë që ky vend të mos gabojë.

Ata sot na ftojnë që të reflektojmë thellë se ku jemi e ku duhet të jemi!

Është paradoks që sot, pas tre viteve të Lumnimit të këtyre martirëve, Shqipërinë e drejtojnë bijtë dhe pinjollët e atyre që urdhëruan ekzekutimin e tyre.

Biles ata jo vetëm nuk njohin fjalën ndjesë e falje për atë mizori që shkaktuan etërit e tyre, por përkundrazi dekorojnë ekzekutorët e kriminelët.

A nuk dekoroi Edi Rama hetuesin që më pashpirtësi torturoi At Zef Pllumin?!

A nuk gëzon sot pension special kryeprokurori i diktaturës, kryekrimineli Aranit Çela?!

Jo vetëm kaq, por banda e pinjollëve të kuq ka rikthyer haptazi dhe fjalorin bolshevik të etërve duke fyer e diskretituar martirët.

A nuk shohim sot sesi tallet e ironizon kryeministri-bllokmen Edi Rama martirët që u vranë nga Mehmet Shehu në Lushnjë apo martirët e Qafë-Valmirit në Mirditë?

Shpirti i martirëve nuk njeh hakmarrje, por falje siç fali vetë Jezu Krishti.

Po ashtu kanë dëshmuar se dinë të falin qindra të burgosur e të persekutuar politikë në këtë vend.

Se fisnikët dinë të falin.

Por gjithçka ka kufij.

Kjo shtresë që nga gjiri i saj fali kaq martirë duhet të marrë vendin që i takon në shoqërinë shqiptare.

Në një çerek shekulli vendi i tyre është vjedhur tinëzisht, bash nga bijtë e atyre që në këtë vend mbollën makabritete të pashoqe në glob.

Prandaj sot le të lutemi e në heshtje të mejtojmë e reflektojmë të gjithë me besim tek Zoti, por dhe me dashuri për Atdheun që pret shumë nga secili bir e bijë e tij.

Shpirtërat e martirëve fluturojnë të lumnuem në qiell për të qenë dëshmi dhe gardianë të përjetshë m të besimit e lirisë!

Kur u masakruan 40 martirët në Armeni në v.320 Perandori Romak i Orientit ishte LICINIUS, i cili dha tinëzisht pëlqimin për masakrimin e tyre.

Mirëpo Konstandini, Perendori Romak i Oksidentit që prej origjinës ishte Dardan i shpalli luftë dhe e shkatërroi Liciniusin pikërisht për këtë masakër.

Ne sot nuk po i shpallim luftë askujt për këto barbari, por nuk mund të lejojmë më tutje të mbahet i njëjti qëndrim dhe të përdoret e njëjta terminologj nga pushtetarët shqiptarë.

Kodi ynë fisnik gjenetik fetar e njerëzor është falja, por aspak harresa!

Nëntor 2019.

Please follow and like us: