Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Kikia: Më qesharakët në kontinent

Viti 2019! Pragu i 2020! Shteti shqiptar, gati 110 vjeçar, është një orkestër tërësisht e ç’akorduar. Ose një ndeshje futbolli ku luhet me disa topa dhe secili shënon gola për hesap të vet.

S’ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë? Jo jo, është edhe më keq. Zgjedhjet e gjykatësve janë edhe më qesharake sesa kur zgjidhnim si të ndanim portat, kur ishim fëmijë e luanim me top llastiku. Kishte më seriozitet, edhe kur vendosnim se ishte penallti.

Në një listë prej 4 kandidatësh, parlamenti voton si gjykatës vendin 2 dhe 3. Meqë presidenti nuk e kishte shpallur dekretin e tij, sipas Kuvendit vendi 1 bëhej automatikisht anëtar. Pastaj presidenti vjen dhe dekreton pikërisht vendin 4. Pastaj vendi 1 shkon dhe betohet si Gjykatës Kushtetues tek noteri.
Pritet ta konfirmojë edhe administratori i njësisë bashkiake….

Në kuadër të kësaj rrumpalle, kryeprokurorja e vendit që kërkon një mandat të plotë tashmë, thotë publikisht se është e papolitizuar. Dhe si argument sjell se ka lëshuar urdhër arresti për Kajmakun e socialistëve të Vorës. Urdhër arresti u lëshua pasi Kajmakut nuk i kishte ngelur më pikë yndyre, pasi ishte denoncuar publikisht, ishte bërë lekcë. U lëshua pasi e shkarkoi KQZ dhe pasi e përzuari edhe vetë PS.

Një betejë e tmerrshme mes politikanëve të korruptuar, për të kontrolluar drejtësinë, për ta përdorur si armë ndaj kundërshtarit apo si mburojë për veten.

Në vendin më të varfër e më të korruptuar të Europës, shteti dëshmon me zë dhe figurë, tani edhe me noter po deshët, se është një organizatë kriminale. Dhe BE duhet ta marrë seriozisht në konsideratë këtë fakt që ta njohë si arsye për tu dhënë azil politik shqiptarëve.

Po, kjo është një arsye edhe më e madhe sesa varfëria, për tia mbathur nga ky vend. Sepse kur je thjeshtë i varfër, ke shpresë se do të bëhesh më mirë. Ndërsa kur jeton nën një shtet si ky, nuk ke më asnjë fije shpresë.

Please follow and like us: