Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: AVOKATO-SEKSERËT E KRIMIT, DUHET TË JENË PARA VETINGUT!

Image result for nikollaq neranxi"

Ndërkohë që presim përfundimin e procesit vetingut i cili po nxjerr jashtë sistemit të drejtësisë, gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, ka akoma një çështje të pazgjidhur: Po me avokatët çfarë do bëhet? Ata janë privatë, nuk mbahen me taksat tona, por nuk është fakt i panjohur që avokatët shpesh i kanë bere dëm drejtësisë po aq sa një prokuror dhe gjyqtar i korruptuar.

Me siguri ashtu si une, edhe ju keni mbetur te zhgenjyer se si shumë personazhe të akuzuar për vepra të rënda penale; nga abuzimi me pushtetin, korrupsioni, vjedhjet, madje edhe vrasjet, investojnë shumë në procesin e mbrojtjes. Dhe si me magji, avokati ia del që klientin e tij, ta nxjerrë të pafajshëm ose t’ia hedhë me ndonjë dënim qesharak edhe në rastet kur provat e akuzave të rënda, janë bërë publike dhe mediatizuar.

Kjo ndodh jo se avokati i të korruptuarit, është ndonjë gjeni në gjetjen e argumentave ligjore, thjesht ai është një sekser i shkëlqyer, që di si të ndajë paratë e krimit të kientit të tij, me prokurorët dhe gjykatësit. Ndërkohë, nëse ti je një qytetar i ndershëm dhe nuk ke asnjë lidhje me padrejtësitë dhe krimin, çuditërisht nuk fiton asnjë gjyq! Kjo sepse ti mendon se ai që të mbron është avokat, por në fakt ai është thjesht një sekser! Prandaj avokatët ndajnë suksesin me të korruptuarit dhe dështimin me njerëzit e ndërshëm.

Pikërisht ashtu siç thoshte aktori i madh Toto: “Avokatët mbrojnë hajdutët, sepse merren vesh shumë mirë me njëri tjetrin, si mes kolegësh!”.

Në Shqipëri, këto 30 vite, avokatët i kanë dhënë një dorë të mirë shkatërrimit të drejtësisë. Janë ca avokatë, monstra të vërteta, që bëjnë korrupsion hapur, që bëjnë pazare ashiqare dhe të dëmtuar mbeten vetëm qytetarët, jo hajdutët, kolegët e tyre me një fjalë. Ka avokatë të cilët shpikin lloj-lloj marifetesh për të përfituar maksimalisht, duke korruptuar gjyqtarë në çdo shkallë gjyqësori, që sajojnë prova, që gjejnë marifetçinj me të cilët ndajnë më pas fitimet.
Dhe kjo kategori avokatësh, duhet hetuar në çdo detaj e në çdo dosje që kanë marrë gjoja si mbrojtës ligjorë. Ky kontigjent avokatësh, duhet të hetohen për mashtrimet që u kanë bërë njerëzve. Ndoshta do ishte mirë, që një pjese të këtyre avokatëve t’u hiqej licenca për pak kohë, ose përgjithmonë, por ama për të gjithë ata duhet patjetër një proces vetingu, njësoj si për prokurorët dhe gjykatësit.

Sepse me të vërtetë avokatët janë privatë dhe çmimet e shërbimeve i përcaktojnë siç duan vetë, por se cili klient ja ka dhënë parate, ku i ka marrë, a janë transparente burimet, duhen hetuar që ç’ke me të, sepse këtu futemi në rregullin numër një të luftës kundër korrupsionit; të gjurmojmë paranë e pisët, nga erdhi dhe ku shkoi.

E nëse avokati u pasurua, sepse kontribuoi për të nxjerrë nga burgu një vrasës apo hajdut, paratë me të cilat ai është paguar, janë para krimi dhe avokati në këtë rast, siç ndodh me oligarkët e pushtetit, është thjesht një lavatriçe e parave të krimit dhe korrupsionit.
E çfarë kuptimi ka një sistem drejtësie i reformuar, ku përballë gjyqtarit qe kaloi vetingun, qëndron ai sekseri i dikurshëm? Prandaj lind si nevojë imediate, kalimi i avokatëve të “djallit”, në sitën e vetingut, sepse nuk mund të kemi një trup të shëndetshëm, kur aty qëndrojnë akoma metastazat e kancerit, avokato-sekseret!

Avokato-sekserët e krimit, duhet të jenë para vetingut!

Please follow and like us: