Prof. Xhevat Lloshi solli veprën monumentale kushtuar Gjergj Qiriazit
Shkup, 19.11.2019 – Manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nën organizimin e ITSHKSH-Shkup, dhe me mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, sot e vazhdoi aktivitetin e pestë me radhë, për nderë të festës së shkronjave.
Familja e shquar rilindëse e Qiriazëve të Manastirit, e ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve të ndryshëm, dhe për ta janë botuar shkrime e punime të shumta. Sidomos për Gjerasimin dhe Sevastinë, kemi libra të veçantë, ndërsa deri më tani ka munguar një punim serioz shkencor kushtuar Gjergjit. E këtë boshllëk, në mënyrën më të mirë të mundshme, e ka plotësuar me punën e tij studimore disavjeçare, profesori i nderuar Xhevat Lloshi.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në bashkëpunim me Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante, solli para publikut të gjerë librin dyvëllimësh të autorit Xhevat Lloshi, me titull: “Gjergj Qiriazi në Kongresin e Manastirit”. Pra, ky libër vjen edhe si një dedikim për 111-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit.
Në fillim të aktivitetit, para mysafirëve të shumë nga Kosova e Shqipëria, folën drejtori i ITSHKSH-Shkup, Skender Asani dhe personi përgjegjës i veprimtarisë botuese të Institutit, Sevdail Demiri.
Në vazhdim, pikëpamjet e tyre rreth këtyre dy vëllimeve kushtuar Gjergj Qiriazit në Kongresin e Manastirit, i paraqitën njohësit e mirëfilltë të kësaj vepre: si Xhon Kuanrud, studiues amerikan, njohës i mirë i historisë e kulturës shqiptare, dhe autor i disa punimeve e librave shkencore kushtuar Qiriazëve të Manastirit, albanologu David Hosaflook – drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Teuta Toska – hulumtuese në fushën e etnolinguistikës dhe filozofisë së gjuhës, si dhe në fushën e historiografisë së krishterimit në Shqipëri, pedagoge në Universitetin e Elbasanit, si dh Femi Cakolli – kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës.
Në fund, fjala ishte për autorin Xhevat Lloshi, i cili duke falënderuar dy institutet për botimin e veprave të tij, tha se përmes kësaj monografie dyvëllimëshe, ka dashur që në mënyrë sa më objektive dhe në dritën e dokumenteve, ta ndriçojë figurën e Gjergj Qiriazit, i cili ka qenë shtyllë e Kongresit të Manastirit, por fatkeqësisht i pahulumtuar mjaftueshëm deri më tani.
“Ditët e Alfabetit” nesër vazhdojnë në Manastir, ku do të mbahet Akademia shkencore kushtuar 111-vjetorit të Kongresit të Manastirit.