Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA kërkon mbylljen e llogarive në rrjete sociale të qeveritarëve në Iran

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje zotëruesve të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Twitter që të mbyllin llogaritë e liderëve e Qeverisë iraniane, deri në çastin që interneti do të kthehet në Iran. “Është një regjim thellësisht hipokrit. Ndalon internetin për njerëzit, teksa qeveria vazhdon të përdorë të gjitha llogaritë në këto rrjete sociale. Prandaj, njëra prej gjërave që ne po kërkojmë nga kompanitë si Facebook, Instagram dhe Twitter është që të mbyllin llogaritë e liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, ministrit të Jashtëm Mohammad Javad Zarif dhe presidentit Hassan Rohani, derisa ata të rikthejnë internetin për njerëzit e tyre”,- u shpreh Brian Hook, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin. Qeveria iraniane ka mbyllur pothuajse të gjithë qasjen në internet teksa protestat anti-qeveritare nisën javën e kaluar në mbarë vendin. Megjithatë, grupet monitoruese kanë thënë se në dy ditët e fundit, interneti ka nisur që të rikthehet. Zyrtarët iranianë pretendojnë se protestat, të cilat janë mbajtur në më shumë se 100 qytete pas njoftimit më 15 nëntor për rritjen e çmimit të naftës kanë mbaruar, por pretendime të tilla ende nuk mund të konfirmohen. Teherani ka fajësuar armiqtë e huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe Izraelin se qëndrojnë prapa protestave, të cilat kanë qenë ndër më të dhunshmet. Qeveria ka thënë se pesë persona kanë vdekur gjatë protestave, por grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, kanë thënë se mbi 100 është numri i personave që kanë humbur jetën gjatë protestave.

Please follow and like us: