Ekskluzive/ Abuzim me 5 milionë euro te Autoriteti i Aviacionit Civil, kërkohet shkarkimi i Kerrit
Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes një raporti prej 30 faqesh ka publikuar shkeljet e rënda të kryera nga Autoriteti i Aviacionit Civil, përgjatë periudhës 1 janar 2018 deri në 31 gusht 2019. Sipas raportit të audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilën e disponon ekskluzivisht Gazeta Shqip, janë plot 39 shkelje të rënda dhe me pasoja në buxhetin e shtetit për shkak të keqadministrimit të këtij subjekti shtetëror.
Madje në fund të raportit përmbledhës, KLSH përcakton se ka indicie të forta për nisjen e hetimeve penale ndaj drejtuesve. Ndërkaq në raport shkruhet “e zeza në të bardhë” masa administrative për largimin nga detyra të drejtorit Krislen Keri dhe përjashtimi nga Shërbimi Civil i Aida Pipikos, dy personat me përgjegjësi të theksuar në skandalet financiare të këtij autoriteti.
Raporti përfundimtar mban datën 31 dhjetor dhe Gazeta Shqip e ka siguruar atë ekskluzivisht. Në faqen e raportit grupi i Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit specifikon fatura të palikujduara, pavarësisht mundësisë që ka pasur për një gjë të tillë, e që kapin vlerën e mbi 20 mijë eurove, por më e rënda është mosderdhja në buxhetin e shtetit e një shumë prej afro 280 milionë lekë në Buxhetin e Shtetit, një shumë që përbën tepricat monetare të mbetura pas shpenzimeve të çdo fundviti buxhetor.
Gjithashtu vihet në dukje një shpenzim prej rreth 71 milionë lekë, si shpërblime për stafin pa marrë miratimin e ministrit të linjës. Një shkelje tjetër e rëndë e shkruar në raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit është edhe një kontratë në shkelje të ligjit e lidhur mes Autoritetit të Aviacionit Civile dhe “Illyrian Guard” sh.a. shoqërie pavarur me objekt shërbim i ruajtjes dhe sigurisë fizike, një organ i krijuar në maj të vitit 2019 me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas raportit, në këtë rast ka një abuzim me një vlerë prej 66 milionë lekë, kontratë e lidhur jashtë kritereve ligjore dhe me urdhrin e Drejtorit Ekzekutiv për përzgjedhjen e shoqërisë që ofron shërbimin e rojes dhe sigurisë së Autoritetit të Aviacionit Civil.
Një tjetër pikë, e cila theksohet në raport ka të bëjë edhe me numrin e punonjësve të shtuar fiktivisht nga drejtuesi Krislen Keri, duke e tejkaluar strukturën me 17 punonjës. Por nga ana tjetër, vihet në dukje humbja e proceseve gjyqësore për nëpunës të larguar nga puna, për të cilët Autoriteti Civil për periudhën 20 mujore ka një humbje në buxhet prej 61 milionë lekë.
Jo më pak rëndësi i është kushtuar edhe një veprimi që lë hapësira për dyshime. Autoriteti Civil në harkun kohor të 6 muajve dhuron dy automjete, një për Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturën dhe një tjetër për Avokaturën e Shtetit dhe nga ana tjetër blen makina për nevojat e saj me vlerë 73 milionë e 584 mijë lekë të vjetra. Sipas audituesve ky investim përveçse absurd, konsiderohet me efekt negativ për financat e shtetit.
Gjithashtu vihen re edhe abuzime në shuma të lartë me sasinë e karburantit. Janë jo pak, por plot 6270 litra benzinë dhe 1367 litra naftë, pa asnjë dokumentacion.
Për këto arsye, KLSH ka përcaktuar edhe masat disiplinore ku në krye të listës qëndron kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri që ka shkaktuar një dëm përafërsisht në 5 milionë euro në Buxhetin e Shtetit. Për të është kërkuar përjashtimi nga Shërbimi Civil. Bashkë me Kerin e njëjta masë është kërkuar edhe për Aid Pipiko me detyrë përgjegjëse e Sektorit të Kontratave dhe Shërbimeve në Autoritetin e Aviacionit Civil./shqip/