Universiteti i Gjakovës përkujton Holokaustin
Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” nën përkujdesjen e Rektorit Prof. Ass. Dr. Artan Nimani u zhvillua dita ndërkombëtare e përkujtimit të Holokaustit.
Në një ambient shumë solemn, të shoqëruar nga tingujt klasik instrumentistëve të shkollës së muzikës, u hap ceremonia nga prorektorja Prof. Dr. Vjollca Dibra, e cila falënderoi mysafirët e shumtë që nga niveli qendror dhe lokal, përfaqësues të policisë dhe prokurorisë së shtetit, të universiteteve publike, të ambasadave të akredituara në Kosovë, por edhe mësimdhënës dhe studentë të UGJFA-së.
Rektori në fjalën e tij ju drejtua të pranishmëve me fjalët:
“Universiteti ynë e organizon për herë të parë, por që tani e tutje do të jetë ngjarje tradicionale në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit. Sot, edhe Gjakova i bashkohet botës demokratike në përkujtim të kësaj dite, që ka domethënie të veçantë jo vetëm për komunitetin hebre, por për mbarë njerëzimin. Ne, si tempull i dijes e ndjejmë obligim moral e shpirtëror, që të përkujtojmë lavdinë dhe mbi të, të ndërtojmë të ardhmen për brezat që vijnë. Kjo ditë është dita e rimëkëmbjes së njerëzimit, e fitores mbi të keqen, dhe e përuljes për ata që u flijuan vetëm pse ishin një komb tjetër, vetëm pse ishin Popull i zgjedhur, siç thotë Bibla”.
Në emër të Ambasadës Amerikane në Kosovës, foli z. John W. Bush II, i cili dhe falënderoi UGJFA-në për këtë organizim. Ndër të tjera ai ceki rëndësinë e madhe të përkujtimit dhe diskriminimit të popujve dhe vuajtjet e tyre nëpër kohë. Ai shtoi se UGJFA sot iu bashku edhe 3 ngjarjeve tjera në Kosovë, që organizohen në përkujtim të kësaj dite të veçantë.
Në pamundësi të jetë fizikisht, të pranishmëve iu drejtua edhe Ambasadorja e Izraelit z. Alona Fisher Kamm përmes video linkut. Ajo falënderoj Universitetin dhe në veçanti Rektorin Nimani për iniciativën dhe madhështinë e kësaj ceremonie.
Pjesë e programit të kësaj ngjarje ishte edhe ekspozita e organizuar në bashkëpunim me përfaqësuesin e Korpusit Diplomatik Hebre për Kosovë z. Flori Zevi.
Artan Nimani: Populli shqiptar dhe Gjakova u bë streha e hebrenjve!
Të nderuar të pranishëm, përfaqësues të komunitetit Hebre në Kosovë, studentë, profesorë, përfaqësues të jetës publike dhe politike në Kosovë, përfaqësues të Ambasadave të akredituara në Kosovë, Polici e Kosovës, KFOR, udhëheqës shpirtëror e fetarë, familjar të dëshmorëve të kombit.
Më lejoni që t’iu përshëndes në emër të UGJFA—së dhe t’ju uroj mirëseardhje në këtë ngjarje që Universiteti ynë e organizon për herë të parë, por që tani e tutje do të jetë ngjarje tradicionale në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit. Sot, edhe Gjakova i bashkohet botës demokratike në përkujtim të kësaj dite, që ka domethënie të vecantë jo vetëm për komunitetin hebre, por për mbarë njerzimin.
Ne, si tempull i dijes e ndjejmë obligim moral e shpirtëror, që të përkujtojmë lavdinë dhe mbi të, të ndërtojmë të ardhmen për brezat që vijnë. Kjo ditë është dita e rimëkëmbjes së njerëzimit, e firores mbi të keqen, dhe e përuljes për ata që u flijuan vetëm pse ishin një komb tjetër, vetëm pse ishin Popull i zgjedhur, sic thotë Bibla.
Kur reflektojmë mbi këtë ligësi njerëzore, kujtojmë sesi gjithçka filloi nga fjala, kështu që ne si tempull i fjalës dhe dijes e kemi detyrë hyjnore që të mësojmë dhe shqipërojmë drejtë fjalët, por dhe të pranojmë gabimet.
Nëpërmjet fjalëve u krijua një rrëfenjë e rreme për hebrenjtë, nëpërmjet fjalëve u ngjiz frika që më pas u shndërrua në urrejtje.
Pra, nga fjalët paragjykimet u shndërruan në stereotipe dhe ajo që dikur nuk mund të imagjinohej u shndërrua në praktikë, një urrejtje e verbër kundër hebrenjve deri në shfarosje të justifikuar.
Populli Hebre dhe populli ynë kanë pothuajse një histori të përbashkët që nga gjeneza e deri në ditët tona.
Tendenca për shfarosje të një kombi që kishte ndodhur 75 vite më parë u përsërit në kombin tim, ku regjimi kriminal serb deshi të shfarosë popullin e Kosovës, dhe Gjakova është një nder Aushvicet e historisë së fundëshekullit të kaluar. Hitleri dhe Millosheviqi kishin vizon dhe mizion, që të zhdukin dy popujt që janë të vjetër sa vet historia.
E ndaj të nevojshme dhe dëshiroj të theksoj se dita e përkujtimit të Holokaustit nuk është vetëm një rast më shumë për t’u ruajtur nga anti-semitizmi por mundësi për një reflektim të thellë për të kuptuar se çfarë sjell urrejtja.
Ju lutemi të bëhëmi bashkë të gjithë dhe të reflektojmë e mendojmë për një të ardhme të sigurt në botë. S’ka vend më të mirë se sa këtu në Gjakovë dhe në Universitet, që të bëjmë thirrje për dashuri dhe respektim të diversitetit sot.
Populli shqiptar e veçmas Gjakova ishte strehimore e hebrenjeve në kohë të liga, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjithashtu Gjakova ishte cak i spastrimit etnik dhe martirizimit mizor, masiv nga forcat serbe, andaj dua që Gjakova të jetë vendi i kthesës së madhe.
Lavdi e përjetshme për të gjithë viktimat e Holokaustit hebre dhe shqiptar ndër vite.
https://uni-gjk.org/…/universiteti-i-gjakoves-perkujton-hol…