Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Bajlozi i frikshëm

 Image result for viron kona

 Viron Kona

 

Bajlozi i frikshëm 1)

 

Mbyllur në shtëpitë-karantinë rrimë, mendojmë,

për ditët që ikin e për t`pasigurtat ku shkojmë,

në shoqërinë e pareshtur t`cicërimave t`zogjve,

sirenave t`policisë e  ambulancave që gulçojnë.

 

Medijet na bombardojnë non – stop pareshtur,

virusi i zi përhapet dhunshëm si muzikë horor,

jeta njerëzore e rruzulli tokësor po tronditen,

na mban fort n`kthetra  bajlozi i zi me kurorë.2).

 

Zemërohemi pareshtur që s`po e mundim dot,

këtë të paudhë, të paburrë dhe armik  tinëzar,

ç`na duhen armët atomike,raketat hapësinore,

kur s`bëjmë dot zap këtë korona virus zuzar!?

 

Mblidhemi,strukemi familjarë, të rritur, fëmijë,

pranë njëri-tjetrit në shtëpitë tona – karantinë,

t`kapur fort nga mankthet çdo natë e çdo ditë,

shpresojmë jetën, por përfytyrojmë tragjedinë.

 

Çdo zbulim shkencor është si një  yll në errësirë,

na ngjall shpresë se  ilaçin e duhur po zbulojmë,

por lajmet kaotike kundërshtojnë njëri – tjetrin,

me telekomanda n`duar stacione jete kërkojmë.

 

Humbja  e besimit  s`po na ndihmon për asgjë,

veçse na mjegullon keq të ardhmen që na pret,

ndaj, mblidhuni o  të ditur t`gjithë botës mbarë,

ta shporrim nga globi këtë xhelat që po na vret!

 

T`u kthejmë buzqeshjen fytyrave njerëzore,

të thithim me tërë forcën e mushkrive lirinë,

të ngrihemi së bashku kundër bajlozit të zi,

ta prangosim shpejt në muzeun -karantinë.

 

—————–

1). Bajloz (Baloz). Figurë mitologjike e rapsodive popullore që përfaqëson një rrezik, një vigan të keq, herë-herë edhe përbindësh.

2). Koronavirus ose “virusi me kurorë” është një nga dhjetëra viruse, që shkaktojnë gripin dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Simptomat kryesore janë: lodhje dhe dobësi e përgjithshme, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke, kollë, temperaturë e lartë dhe ethe. Prekja nga këto lloj virusesh mund të shkaktojë probleme serioze kryesisht te moshat e vjetra dhe te pacientë me imunitet të dobët.

 

 

 

 

Please follow and like us: