Nikollaq Neranxi: Kurthet pandemike të Ramës për të falimentuar bizneset
Por duke parë disa hapa që qeveria po ndërmerr, tani mendoj ndryshe, në fakt shteti ekziston edhe këto kohë, por ekzistenca e saj është vetëm për një arsye; për të shkatërruar bizneset që nuk ndajne para me pushtetaret, duke përdorur si pretekst këtë situatë pandemie.
Instrumenti i parë i përdorur, është ai i kredisë sovrane për të paguar për tre muaj pagat e punëtorëve. Është një instrument antiligjor. Pse? Sepse në Kodin e Punës, Neni 129 thuhet shprehimisht që punëdhënësi mund të refuzojë t’i japë punë një të punësuari si dhe ta paguajë, në rastet e forcave madhore.
Në shumicën e vendeve të prekura nga Covid-19, shteti ka vendosur të ndërhyjë në ekonomi, duke garantuar pagat dhe ndihmën sociale, duke shtyrë taksat (masë që Rama e refuzon kategorikisht) dhe duke siguruar likuiditete për biznesin. Ndërsa ne na është ofruar një kredi, e cila krahas penaliteteve që merr nga bankat, në rast pamundësie për të paguar këstet në afat (bllokim aktiviteti, llogarish bankare etj), është parashikuar gjithashtu edhe humbja e aksioneve të cilat më pas do të shiten nga stukturat përkatëse. Pra, ne marrim kredi për të paguar një punë të pakryer, marrim borxh jo për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e efiçencës së tyre, marrim borxh në kohë krize e cila padiskutim që do të japë efekte të shtrira në kohë dhe nëse ky borxh nuk shlyhet për dy vjet, ne humbasim biznesin!!!
Instrumenti i dytë shumë i rrezikshëm, që shteti kërkon të përdorë këto kohë për të na falimentuar, është amnistia fiskale. E thënë ndryshe, nëse ti ke para të padeklaruara, shteti të krijon mundësi t’i pastrosh, pa të pyetur si i ke përfituar, duke i deklaruar ato dhe duke paguar një tatim modest.
Instrumenti i tretë ka të bëjë me shplarjen e trurit nëpërmjet propogandës, që të largohet vëmendja nga përgjegjësitë që duhet të marrë shteti e duke mbjellë armiqësi dhe urrejtje mes shtresave sociale. Rama, me djallëzinë e tij që nuk zhgënjen asnjëherë, sugjeron që sipërmarrësi këto kohë duhet t’ia dalë vetë dhe mos të presë nga shteti. Të shesë vilën, makinën luksoze, jahtin dhe të paguajë punonjësit. Deklarata skandaloze këto, a thua se një sipërmarrës i detyrohet Ramës për të mirat materiale që ka krijuar me djersën e tij. Nuk e di se kujt i drejtohet Rama me këtë thirrje, unë personalisht nuk kam asnjë nga këto dhe a e dini pse? Jo se s’kam mundur t’i blej, por sepse kam menduar gjithmonë se është më mirë që çdo para të fituar, ta invesoj për të rritur biznesin dhe shtuar vendet e punës, e padyshim kam paguar më shumë para ne shtet. Ndërkohë kam konstatuar jo pa zhgënjim që këto pasuri, i disponojnë disa individë të cilët nuk kanë punuar asnjë ditë në jetën e tyre! Dhe mesa duket këto do jenë ata të cilët do të blejnë edhe vilat e jahtet që do shesin sipërmarrësit, se pjesa tjetër dihet qe është në luftë për mbijetesë.
Por nëse me këtë thirrje, Rama i është drejtuar oligarkëve të tij, të cilët janë sot armiqtë më të mëdhenj të biznesit të ndershëm, atëherë me siguri ata duhet t’i kenë ndonjë borxh Ramës, se s’ka arsye tjetër.
Në konkuzion, shteti sot është në këmbë, duke punuar fort për të falimentuar biznesin e ndershëm, duke e futur në kurthin e kredive sovrane ku për të paguar dy vjet paga, të merr aksionet me dy lekë, ku më pas vijnë këta që shplajnë paratë e pista me anë të amnistisë dhe i blejnë këto aksione, duke kompletuar kështu mekanzimin grabitjes së bizneseve me ligje dhe VKM. Në fund të këtij procesi, ju garantoj se korona do na duket si muaj mjalti, në krahasim me trafikantët e drogës, armëve dhe femrave, të cilët do të jenë sipërmarrësit e së nesërmes. Padyshim aty do të kenë pjesen e tyre politikanët e korruptuar, gjykatësit, prokurorët etj.