Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Mund të dehesh…

Gazetari Ismail Xhaferi "thumbon" me vargje politikanët...

 

Mund të dehesh kur pi verë,

Verë të re apo të vjetër,

Veçse shpirtin njerëzor,

Mund ta deh dhe diçka tjetër…

 

Mund të dehesh nga dy buzë,

Nga dy buzë që ndezin zjarr,

Mund të dehesh nga dy sy,

Që i sheh për herë të parë.

 

Dehesh dhe nga një petale,

Që mbi flokë vjen e ulet,

Se përmbi gjoksin e dimrit,

Nis bajamja të çelë lulet…

 

Mund të dehesh nga një natë,

Aq sa që gjumi s’të zë fare,

Se një dritëz xixëllonje,

Ndizet, shuhet në dritare.

 

Mund të dehesh kur vjen vjeshta,

Kur mes reve hëna struket,

Kur të duket sikur pi,

Gjithë lotët që derdhin nuset.

 

Mund të dehesh në vendlindje,

Sapo nis dëbora shpatit,

Mund të dehesh tek pi ujë,

Në një krua pranë fshatit.

 

Mund të dehesh në pranverë,

Kur ndërtojnë zogjtë foletë,

Kur lofata nis çel lulet,

Dhe pastaj i bën gërshetë.

 

Dhe pa pirë ndihemi dehur,

Dhjetra edhe dhjetra herë,

Shpirti bukur i njeriut,

S’dehet vetëm kur pi verë.

Please follow and like us: