Video/Poeti që vranë se mposhti Sigurimin e Shtetit – Ferdinand Dervishi në Abc Story
Në vitin 1992, kur komunizmi lindor ishte shpërbërë, një film artistik, që tentonte të zbërthente mënyrën se si funksiononte mendja e Josif Stalinit, rindërtoi vrasjen e Sergei Kirovit, – bashkëpunëtorit të tij më të vlerësuar.
Në mendjen e diktatorit komunist, Sergei Kirovi vendosej si tepër i zgjuar dhe i guximshëm… pra ishte i vetmi që mund ti zinte vendin.
Në datën 1 dhjetor të vitit 1934 përfundimi do të ishte një plumb pas koke.
Porse në rastin shqiptar plumbi duhet të shpërthente kokën e Vilson Blloshmit – një të panjohuri nga fshati i thellë Bërzeshtë i Librazhdit – dallimi i vetëm i të cilit ishte dëshira për të lexuar libra dhe sidomos poezi.
Për habi, që të shkonte te qëllimi, shteti komunist ishte angazhuar pothuaj tërësisht, filluar nga krerët e tij, shkuar te Komiteti i Partisë së Rrethit, profesorë e pedagogë, ekspertë e mashtrues, oficerë e bashkëpunëtorë të Sigurimit, hetues e prokurorë, gjykatës provincialë e qendrorë.
Si mund ta rrezikonte ngrehinën e stërmadhe të diktaturës një njeri që e kishin dërguar të rrëmonte si urithi në zgafellët e thellë të minierave?
Përse një djalosh provincial do të tregohej me gisht si armiku publik numër 1?
Pikërisht një histori të parrëfyer të Vilson Blloshmit, poetit që e pushkatuar vetëm sepse me zgjuarsinë e tij ju shmang të gjitha kurtheve e kombinacioneve të Sigurimit të Shtetit, ju ftojmë të ndiqni të plotë në videon e mësipërme përmes një dokumentari të përgatitur nga gazetari Ferdinand Dervishi./ abcnews.al