Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Liliputët që hedhin baltë mbi emblemat e kulturës kombëtare

Bardhyl Berberi

 

Po ndiqja një emision në një television dhe aty u sulmua i madhi Kadare. Më pëlqeu ndërhyrja e avokat Ngjelës, i cili sulmoi ashpër me të drejtë personin që anatemoi Kadarenë duke sjellë argumentat e tij për Kadarenë si kulmin e kulturës sonë kombëtare… Befas duke ndjekur sulmuesin e Kadaresë pas emisionit po meditoja me veten time: Si s’u bëmë një here të hajrit ne shqiptarët?! Kush na drejton ne?
Po kush do bëjë këtë?  Disa prej nesh janë katandisur në brezin cinik, tallës e pa sistem vlerash. Tallen me të kaluarën dhe me të ardhmen. Me personalitetet që e merrnin shumë më seriozisht se ne sot vendin tonë.  Disa prej nesh sulmojnë heroin tonë kombëtar Skënderbeun, të tjerët nuk kanë një simbol real dhe e krijojnë vetë, siç është rasti i Robin Hudit… Kritikojnë Kadarenë, një emblemë e kulturës shqiptare që na ka bërë krenar kudo në botë me veprën e tij dhe aq më tepër breza të tërë janë rritur dhe edukuar me veprat e tij…

Natyrshëm lind pyetja: Pse shpesh herë dalin ca çapaçulë, anonimë e zerzebulë që hedhin baltë mbi figura të ndritura të kombit tonë?… Sepse këtë takëm kundërshtarësh ATA e kanë e kanë lënë në hije, ju kanë zënë diellin, skota që shan figurat qëndrore të kombit tonë  Kadarenë apo Agollin është një armatë mediokrish, liliputësh që iu hidhen si karkalecë pa asnjë argument… Kadareja dhe Agolli janë bërë sundues me letërsinë e tyre…

Le të ndalemi tek sulmi i ditëve të fundit ndaj Kadaresë. Po kush e urren Kadarenë, këtë gjeni të shekullit tonë? Atë e urren Serbia, e urrejnë shërbimet e fshehta të saj, e urrejnë komunistët shqiptarë, ish sigurimsat e shtetit, njerëz të paguar nga agjenturat e huaja.

Kadareja është përplasur jo pak herë me serbët për mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar në mbështetje të Kosovës. Këto qarqe të errta mendojnë se nuk duhet të ketë elitë në letërsinë shqipe, të mos ketë nobelist shqiptar… E gjithë kjo frymë anti-Kadare përçohet nga kjo dëshirë serbe, në mos edhe financim i drejtpërdrejt nga Beogradi…

Në fakt këta liliputë anti-Kadare nuk janë thjesht luftë kundër Kadaresë, por është kundër kulturës dhe gjuhës shqipe. Këta fatkeqë nuk e dinë se duke sulmuar kulmet e kulturës kombëtare kanë hedhur baltë mbi atdheun e vet. Këta personalitete të larta e kanë shkruar historinë tonë në letërsi. Një popull që e ka të shkruar historinë e tij në letërsi nuk vdes kurrë sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia.

Shajnë  Kadarenë dhe harrojnë që letërsia e tij është përkthyer në 60 gjuhë të botës dhe është pëlqyer, pranuar dhe lavdëruar nga kritikët më të mëdhenj të saj. E nëse Kadareja dhe Agolli kanë shkruar ndonjë vjershë për partinë atë e kanë patur si haraç për të paguar diktaturën se diktatura kërkonte harac nëse doje të mbijetoje, përndryshe ajo të çonte në satër. Ky inat është me Kadarenë se ai, ndër të tjera, ka bërë autopsinë e komunsitëve që shohin vetën si në pasqyrë tek “Nëpunësi i pallatit të ëndërrave” apo tek “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e Agollit. A ka tallje më të madhe dhe ironi për dikataturën komuniste se sa tek këto dy vepra?

Rrimë e rrimë dhe hop papritur, i kujtojmë Kadaresë dhe Agollit se keni qënë shkrimtarë të diktaturës.. Por çfarë faji kishte Kadareja dhe Agolli, që i ra për hise të jetojnë në në atë kohë. Ta themi troç: Diktatura është dridhur prej tyre… Le t’i vendosim gjërat në kohë, le të ndalemi tek i madhi shkrimtar rus, Dostojevski, që ka qënë ndërgjegjia dhe pasqyra e popullit të vet. Kur ai ishte me pranga në galeritë e Siberisë i dënuar me vdekje prej Carit ai me një pendesë si puthje dore i thuri Carit një ditiramb të famshëm. Populli rus kurrë nuk ia përmendi Dostojevskit këtë fakt se ata e kuptonion thellë haraçin që duhet të paguante Dostojevskit për të shpëtuar kokën. Më tepër se kaq vepra themelore e tij është e një mjeshtërie të lartë.

Pse shumica e njerezve është e prirur për të kujtuar më të keqen? Më të shëmtuarën?
Pse njerëzit e kohës sonë janë kaq të deformuar që duan që të nxijnë gjithçka? Për çdo problem, çështje, situatë, shumica e njerëzve që përbëjnë sot shqiptarët, nis procesin e të menduarit vetëm si t’i nxijë gjërat.

Ne vijmë nga injoranca, izolimi, kemi qenë barkthatë e kokëpalarë. E drejtuesit e këtij vendi kanë ardhur nëpër zyrat e shtetit me fanella leshi që iu vinte era djersë dhe deri në moshën 20 vjeç nuk kishin dalë fotografi… Njerëzit zakonisht në bazë të teorisë së kompensimit, kërkojnë atë që s’kanë pasur kurrë. E njerëzit që morën pushtetin pas viteve ‘90 shfaqën një babëzi të madhe për t’u pasuruar. Kaq e kishin kapacitetin, kaq bënë. Kjo ishte hapësira e tyre mendore e vizionare.

Ka plot njerëz që punojnë, ndërtojnë veten dhe ambientin ku veprojnë çdo ditë e më mirë, me punën e tyre, me kontributin e tyre për veten e për të mirën e përgjithshme. Njerëz që kanë interesa, që zhvillohen, që rriten çdo ditë. Këta nuk shfaqin ironi, sarkazëm, cinizëm, tallje. Këta njerëz, kanë respekt për të kaluarën, e respekt për të ardhmen. Dhe tregojnë përgjegjësinë e tyre çdo ditë

Kështu, ajo që iu mbetet njerëzve është cinizmi dhe tallja. Nese ti sheh diçka të bërë mirë apo një vepër dinjotoze, ti, njeriu i zi, cinik, urith i hedh baltë. Sepse eshte i vetmi mekanizëm që është i thjeshte e pa kosto. “Pse jemi kështu? Si s’u bëmë njëherë”?
Askujt nuk i intereson se pse jemi kështu. Ne, na takon të këpusim zinxhirin e së keqes dhe të respektojmë ikonat tona kombëtare, të mos hedhim baltë mbi ta pasi kemi hedhur baltë për veten tonë. Desha t’i mbyl këto radhë me disa fjale nga një intervistë që i kam bërë Kadaresë në shtëpinë e tij në Tiranë, në Nëntor të vitit 2008 me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, i cila në përfundim të intervistës prej dy orë e gjysmë tha: – Miku im, në një vend anormal në kohën e diktaturës kemi shkruar një letërsi normale.

 

 

 

 

 

Please follow and like us: