Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Letërsia është e kundërta e ëndrrës së Mao Ce Dunit

Në një intervistë për një gazetë franceze, Ismail Kadare ka folur për Nobelin në letërsi, për Bob Dylan, për letërsinë si tiraninë e tij të zgjedhur, për letërsinë si lumturia e të bërit diçka të ndaluar e po ashtu për kafe “Rostand” dhe mëngjeset kur ulet të shkruajë aty, në tavolinën që rastësisht atë ditë është e zënë nga një çift. Në përgjigjet e shkurtra që jep, Kadare thotë se nuk është faji tij që nuk e ka marrë çmimin Nobel, por këtë nuk di si t’ia shpjegojë shqiptarëve.

E ke zakon të shkruash në rrëmujën e kafenesë dhe kjo nuk ju shqetëson?

Jo, është një lloj rituali. Vij në mëngjes në orën 10.00 kur është disi më qetë. Ulem atje tek ajo tavolina e zënë (aty është tani një çift të dashuruarish). Shkrimi në këtë orë është bërë diçka e natyrshme për mua, ose marr shënime. Në vendin tim s’mund ta bëj këtë, sepse atje jam shumë i njohur dhe kureshtja e njerëzve të shqetëson për të shkruar.

Që prej 4 mijë vjetësh thuhej se më parë ishte akoma më mirë. Pas gjithë këtyre librave, për ju letërsia është akoma më e lehtë?

Jo, njëlloj, veçse dëshira është më e pakët. Shumë gjëra janë thënë. Puna e një shkrimtari është të kuptojë se çfarë duhet të ruajë nga shkrimet e tij dhe çfarë të heqë. Veç një pjesë e botës njerëzore është me interes për letërsinë. Pjesa më e madhe e jetës njerëzore s’ka interes për t’u shkruar. Realizmi socialist pohonte se jeta e popullit është e mrekullueshme, por nuk është aspak.

Le t’u kthehemi kafeneve. Diktaturat i mbyllin baret…

Veçanërisht kafenetë. Diktaturat nuk kanë frikë nga baret, sepse aty ka shumë zhurmë. Diktatorët kanë frikë nga vendet ku flitet në intimitet. Kur u ktheva nga Moska, 22-vjeçar, u habita. Kishte vetëm bare ku pihej birrë. Në Shqipëri, para diktaturës kishte shumë bare me emra romantikë si “Flora”, kafe “Vjena”… Por ato u zhdukën njëra pas tjetrës. Diktatorët kërkojnë të japin përshtypje se janë njerëz me kulturë, e po kështu edhe Enver Hoxha, por s’ishte aspak kështu.

Pra, letërsia juve ju merr gjithë jetën?

Është një kërkesë e vazhdueshme, e pamëshirshme, tiranike, por një formë interesante e tiranisë që e ke zgjedhur vetë.

Letërsia nuk është si morali. A arrin ju ta përbuzni atë?

Jo aspak, dhe është e çuditshme. Ju mund të lodheni nga ajo, të keni frikë nga ajo, por jo ta përbuzni.

Ju keni shkruar nën diktaturën e Enver Hoxhës. A ishte e vështirë të shkruaje?

Jo, madje ishe i lumtur të bëje diçka të ndaluar. Letërsia e vërtetë është diçka jo normale, diçka që krijon çrregullin. Pjesa e popullit që mbështet regjimin është kundër jush. Pjesa tjetër të mbështet dhe ti je midis të dyjave. Është një lumturi e madhe, e pakrahasueshme! Letërsia nuk është morali. Ajo është elitiste, jo demokrate. Është e kundërta e ëndrrës së Maos, i cili donte që në Kina të çudiste botën dhe të prodhonin një milion shkrimtarë. Kjo do ishte një katastrofë e madhe për botën. Letërsia është e padrejtë. Ajo nuk e njeh barazitizmin.

Ti jepje nobelin Bob Dylan-it ishte vallë një gjë e mirë apo absurde?

As njëra e as tjetra. Diçka mes të dyjave. Unë jam shkrimtar dhe siç mund ta keni vënë re, unë kam pothuaj një ide religjioze për letërsinë. Ajo ka një formë përjetësie, që e kapërcen gjuhën në të cilën është shkruar. Greqishtja e vjetër ka vdekur, por Homeri lexohet edhe sot. Vallë duhet shkuar deri tek muzika? Letërsia s’ka nevojë. Vallë Bob Bylan në fund të fundit a e pranoi këtë çmim?

Po, por pa shkuar në Stokholm që ta marrë.

(Kadare qesh)

Çudi pse menduan për të?

Kjo mbetet mister. Por çmimi Nobel është diçka e bukur dhe shumë pozitiv. Ndjehem disi keq ndaj njerëzve të vendit tim, që më kritikojnë pse nuk e kam marrë. Si t’ua shpjegoj që kjo nuk varet nga unë…?

(Marrë nga gazeta ‘DNA’ – Lajmet e Reja të Alsasës. Përkthyer nga “Gazeta Shqiptare”)

Please follow and like us: