Seks, drogë dhe gjobëvënie, skandali përfshin policinë spanjolle
Një skandal ka tronditur policinë spanjolle. Uniformat blu në Palma de Majorka akuzohen për një seri shkeljesh që kanë detyruar Prokurorinë Antikorrupsion të nisë një hetim që ka çuar në qeli 6 agjentë.
“Seks, drogë dhe korrupsion në policinë lokale të Palmës”, është titulli i gazetës “El Pais”, që flet edhe për gjobëvënie dhe favorizim të disa biznesmenëve.
Hetimi i prokurorëve ka vënë në dukje raste të ushtrimit të dhunës ndaj prostitutave, bashkëpunim me banda grabitësish, shitje të drogës së sekuestruar, si dhe përfitim të pijeve alkoolike dhe favoreve seksuale në këmbim të informacioneve për aksionet e policisë ndaj bandave.
Gjithashtu, nuk kanë munguar edhe kërcënimet ndaj kujt ka dashur të denonconte shkeljet e agjentëve.
Hetimet, të cilat zgjasin prej 3 vjetësh, kanë arritur deri tek politikanët lokalë, të cilët kanë mbyllur sytë përpara shkeljeve të policisë. Mes tyre rezulton edhe kryetari i Partisë Popullore të Palmës, Jose Maria Rodriguez.