Përfshirja në edukim cilësor për çdo fëmijë, pa dallim, si një e drejtë e garantuar
Në qeverisjen tonë, prioritet mbetet rritja e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor për çdo fëmijë, pa dallim, si një e drejtë e garantuar.
Bashkë me Kryeministrin, Albin Kurti dhe përfaqësues të institucioneve të niveleve më të larta të vendit, morëm pjesë në aktivitetin e organizuar nga Presidentja Osmani, së bashku me Bankën Botërore dhe UNICEF-in, për ta mobilizuar zotimin ndaj zhvillimit në fëmijëri të hershme.
E lumtur të shoh se çështjet e adresuara me të drejtë për gjithpërfshirjen në edukimin e hershëm, tashmë janë prioritizuar në çdo aspekt brenda MAShTI, duke përfshirë dokumentet ligjore e udhëzuese si dhe investimet të cilat do të ndihmojnë orientimin në ngritje të cilsësisë dhe qasjes në EFH.
Qeveria ka rritur buxhetin për EFH, ku specifikisht do të ketë fokus ndërtimin dhe adaptimin e objekteve për çerdhe, në mënyrë që të rritet përfshirja e fëmijëve në këtë nivel të edukimit. 5 milion euro janë bugjetuar për këtë qëllim në vitin 2022.
Drafti i Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme është finalizuar dhe gjatë javës do të dërgohet në diskutim publik e pastaj do të provedohet në Qeveri dhe Kuvend.
EFH është një nga 5 fushat prioritare të identifikuara në PSAK.
Kemi themeluar Komitetin Këshillues për EFH që ka për qëllim ofrimin e një forumi gjithëpërfshirës dhe ndërsektorial për të lehtësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet palëve të interesit dhe për të ndihmuar MAShTI-n në zhvillimin dhe implementimin e duhur të politikave në EFH.
Strategjitë që do të ndërmarrim për ngritjen e qasjes dhe kualitetit të programeve të EFH për fëmijët e cenuar ndër tjera janë: sigurimi i mbështetjes përmes asistentëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, lirimi nga pagesa për familjet në nevojë, duke përfshirë familjet rurale, të varfërit, fëmijët me nevoja të veçanta dhe komunitetet pakicë, etj.
Puna e filluar në Ministrinë e Arsimit për avancimin e edukimit në fëmijërinë e hershme po gjen mbështetje të gjerë dhe jemi me fat që në këtë rrugëtim kemi përkrahjen e plotë të presidentes Osmani kryeministrit Kurti, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve tjerë. Sepse investimi në këtë nivel të edukimit do të thotë e sotme më e mirë për fëmijët e familjet, e nesërme e sigurtë për vendin!
Please follow and like us: