Albspirit

Media/News/Publishing

Gjermania furnizon me armë Ukrainën

Dy ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, qeveria gjermane vendosi të shtunën furnizimin e Ukrainës me armë të rënda. Gjermania do të dërgojë 1000 armë anti-tank dhe 500 raketa të tipit “Stinger”. Furnizimet e Bundeswehrit do të dërgohen sa më shpejt të jetë e mundur në Ukrainë. Po ashtu dy vendeve të NATO-s, Holandës dhe Estonisë iu lejua nga Gjermania të furnizojnë Ukrainën me armë nga prodhime gjermane ose me pjesë të mbetura armatimi të RDGJ-së.

Deri më tani qeveria gjermane e kishte refuzuar dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë me arsyetimin, se bëhet fjalë për një rajon krize. “Agresioni rus kundër Ukrainës shenjon një pikë kthese. Ai kërcënon të gjithë rendin tonë të pasluftës”, deklaroi kancelari gjerman, Olaf Scholz. “Në këtë situatë është detyrimi ynë, të mbështesim Ukrainën sa të mundemi për mbrojtje kundër ushtrisë së invazionit të Vladimir Putinit. Gjermania qëndron ngushtë në krah të Ukrainës”.

Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock dhe zëvendëskancelari, Robert Habeck, të dy nga Të Gjelbrit deklaruan se “pas sulmit të paturpshëm të Rusisë, Ukraina duhet të ketë mundësi të mbrohet. Ajo ka një të drejtë të patundshme për vetëmbrojtje. Qeveria gjermane e mbështet për këtë Ukrainën me pajisje dhe materiale të nevojshme urgjente.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e përshëndeti vendimin e Gjermanisë. “Vazhdo kështu kancelar Olaf Scholz”, shkroi ai në twitter. Ukraina kishte kërkuar prej muajsh furnizime me armë. Qeveria gjermane e bllokonte këtë qartë, duke iu referuar rregullave strikte të eksportimit të armëve dhe marrëveshjes së koaliconit. Sipas rregullave të nënshkruara para 20 vjetësh Gjermania nuk dërgon armë në zona konflikti.

Po ashtu Gjermania nuk e bllokon më dhe e mbështet edhe shkëputjen “me synim të caktuar” të Rusisë nga sistemi SWIFT. Po punohet “me intensitet” për këtë, që të goditen “personat e duhur”, tha ministrja e Jashtme, Baerbock.

Please follow and like us: