Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: GALINA

Tregim, bazuar mbi një ngjarje të vërtetë

Klientët e kafenesë italiane “Diana”, thuajse janë të njëjtë. Gjithmonë ata ulen në të njëjtat tavolina dhe bufetierja, një vajzë e re nga Sicilia, nuk i pyet kurrë çfarë kërkojnë, por instiktivisht bën të njëjtat shërbime. Unë rri i vetëm tek cepi, poshtë murales së Kullës së Pizës, ku në rrezen e vështrimit tim më duhet të përfshij ekranin e televizorit dhe gjysmën e banakut nga më vjen kafeja aromatike “esspreso”.

Bisedat e zakonshme janë kampionatet e futbollit, ku unë rrallë hyj në diskutime, por tani vendin e tyre e ka zënë lufta në Ukrainë, rusët, NATO-ja dhe emigrantët që kanë filluar të mbërrijnë valë-valë edhe këtu në Kanada. Sa hapet dera, i shikoj me kujdes klientët dhe përpiqem se mos midis tyre më zë syri Galinën. Qëkur nisi lufta, ajo nuk shkel më këtu.

Është një grua rreth të pesëdhjetave, me trup mesatar. Origjinën e ka ruse. Dallon që atje përtej se nga vjen; ka sy të kaltër, pikaloshe në fytyrë dhe flokët e dendur biondë i mban të lidhur pas qafës. Ka zë të hollë dhe është mjaft e respektueshme, jo vetëm me personelin, por me të gjithë ne të tjerët. Nuk di qysh e si është martuar me një italian të pasur, rreth njëzet vjet më të madh në moshë se sa ajo.

Fatkeqësisht nuk kanë fëmijë. Kuzhinjerja e lokalit është e afërme e të shoqit dhe ata vijnë shpesh për ta vizituar këtu, në vendin e punës. Pasi përshëndeten me kushërirën, dalin në sallë. Ulen midis italianëve. Galina nuk i ndjek dot bisedat për sportin, sidomos kur ata ngrenë zërin, shkëputet prej tyre dhe vjen e ulet në tavolinën time. Sigurisht nuk harrona snjëherë të marrë lejë.

Ka krijuarnjë lloj afiniteti që kurse mori vesh se unë shkruaj libra, kështu bisedat tona në shumicën e rasteve janë për librat, sidomos për letërsinë artistike. Më tregon se në Rusi, në vendlindjen e saj, lexohet shumë, edhe tani që ka hyrë në masë media elektronike. Unë i flas përTolstoin, Turgenjevin, Bulganovin, Pushkinin, Eseninin, Dostojevskin, Çehovin…

Një ditë i recitova në rusisht “Letrën e Tatjanës drejtuar Onjeginit”. E befasuar,u ngrit në këmbë dhe duartrokiti. Sytë e kaltër i shkëlqenin. Pastaj i tregoi të shoqit që ta dëgjonte e tërë salla se çfarë po ndodhte me ne. Të gjithë qeshën.

– Flet rusisht? Pse nuk ma ke thënë? – më pyeti me kureshtje, duke bërë edhe një qortim miqësor.

– Mbaj mend shumë pak, kam bërë katër vjet në shkollë të mesme, por nuk e kam ushtruar, kështu, e kam harruar, – iu përgjigja.

Nuk desha t’i tregoj se që në vitin 1960 vendi ynë u nda nga Traktati i Varshavës dhe ish-Bashkimin Sovjetik ne e konsideronim vend armik. Nuk donim t’ia dëgjonim as emrin, jo më të flisnim gjuhën e tyre. Politikë hesapi.

– Fol rusisht dhe unë do përpiqem të kuptoj, – i propozova për ta zbutur.

Ajo ashtu bëri, pa nga dritaret dhe tha “snjeg”, m’u kujtua “snow”, i thashë, dmth dëborë.

Qeshi me dashamirësi duke zbuluar një sërë dhëmbësh të drejtë e të bardhë. Pastaj kaluam tek gjendja në Rusi. Ajo e viziton vendlindjen e saj shpesh, së bashku me burrin bankier.

– Si janë ekonomikisht? – e pyeta unë duke marrë afërsisht me mend situatën në ish-vendet socialiste.

– Nuk janë hiç mirë, nuk u mjafton rroga, – më tha duke rrudhur ballin.

– Ti, dmth burri juaj, i ndihmoni materialisht?

– Sa herë që shkojmë, por janë shumë, nuk ua dalim dot të gjithëve. Më parë donin veshje, por tani duan vetëm dollarë.

– Çudi, vendi më i madh në botë, me gjithë ato pasuri… Kam lexuar se në Arktik kanë zbuluar sasi të mëdha gazi për të furnizuar gjithë botën.

Ajo uli zërin dhe tha ngadalë: “Armi…”.

 

***

Qëkurse ka nisur lufta në Ukrahinë, as Galinën dhe as të shoqin e saj pasanik nuk e kam parë më. Çfarë u ka ndodhur?! Ndoshta do ta marr vesh një ditë kur të mbarojë Lufta…

Mississauga, 7 Prill 2022.

 

https://flasshqip.ca/andej-ketej/6956-galina-rusia-ukraina-nga-avdulla-kenaci?fbclid=IwAR2HwIfAT1ztWP4FZDErjanzWCPpwZl7flyNfnrXynMZY9vUJX0Hl06OzEQ

Please follow and like us: