“PROBLEM KOSOVAR” I FATOS KLOSIT DHE VAJZA ME EMRIN PRISHTINË E IRAKLI KOÇOLLARIT
REXHEP SHAHU
Në emisionin Dosje të hapura të RTSH, të vitit 2021, kushtuar Ministrit të mbrojtjes të Kosovës, Ahmet Krasniqi, vrarë në pritë në Tiranë natën e 21 shtatorit 1998, Fatos Klosi fyen e nënçmon vrazhdë “kosovarët”, i ndan në shqiptarë e kosovarë, flet me nënvlerësim për kosovarët e FARK-ut e të qeverisë Bukoshi dhe i shet heroj kosovarët e LPK e të UÇK.
Më erdhi shumë keq dhe u trishtova se pse duhet të ndodhë kjo gjë dy dekada pas lufte për Kosovën. Pse duhet të flasë ashtu një njeri që ka qenë dikush në këtë vend, profesor fizike në universitet, kryetar i sherbimit sekret të vendit. Pse duhet ta bëjë pis edhe Kosovën me atë lloj ligjërimi të ndotur me urrejtje. Unë e kam parë shpesh, se ai të del pothuaj përnatë ekraneve e përditë gazetave dhe flet për gjithë gjërat e botës, por nuk ia kam vu re kur bën gjithologji për punët e brendëshme të Shqipërisë. Më trishtoi me përçmimin, shpërfilljen e nënvleresimin ndaj kosovarëve, sikur kosovarët janë të huaj, janë diçka e diku tjetër e ai Klosi është më i zgjedhuri për t’ua bërë gjyqin atyre kosovarëve… U ndjeva keq që ka njerëz të tillë.
Flet për “kosovarët” e punët e Kosovës si për gjëra të rëndomta që nuk i sheh as i ndjen si të tijat por të huaja, të atyre kosovarëve…
Shfaqet si çelësi i sekreteve të botës, si pjesa e padukshme e ajzbergut, si copë e madhe diamanti, sikur ai e ka mbrojtur Kosovën, ia ka sjellë lirinë, sikur është arkitekti i shërbimit sekret të Kosovës, që i ka në grusht lidhjet me partnerët, CIA e gjithë shërbimet e vendeve aleate e përralla me iranianë e arabë sikur ai është gardiani i sekreteve e lirisë së Kosovës.
Fatos Klosi, në ligjërimin e tij në dokumentar, me gjithë redaktimet e krehjet… ka nënçmim për kosovarët edhe pse thonë se servilët e tij e kanë shpallur veteran të luftës në Kosovë, për turpin e tyre, nëse është e vertetë.
Klosi thotë me mllef se, “Ministria e Mbrojtjes e Kosovës kishte shumë objekte në Shqipëri në atë kohë. (Duket që Klosi ka dëshpërim për këtë gjë, nuk i vjen mirë, nuk e përshëndet një gjë të tillë…). Ishte një pjesë e kësaj ushtrie që kryesisht përbëhej nga oficerë, nuk kishte ushtarë… (zgërdhihet këtu Klosi kur i thotë këto fjalë), oficerë të paguar nga qeveria e Kosovës, oficerë që kishin qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbaruar nëpër akademitë jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në Kosovë, por mesa dukesh asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë… Një ushtri vetëm me oficerë nuk funksionon…”.
Klosi flet edhe si ekspert ushtrie këtu dhe ndoshta nga Klosi ka burue ajo urrejtja kundër oficerëve të Kosovës se janë shkollue në akademitë jugosllave, se janë titista siç është Klosi enverist, kur gjithë shqiptarët e Kosovës janë shkolluar në shkolla jugosllave se kanë jetuar 87 vjet, gati një shekull nën Jugosllavi… dhe nuk janë shkolluar as në Tiranë as në Rusi. Janë shkolluar në Beograd, në Zagreb e Lubjanë…
Sipas Klosit është turp të jesh oficer i Kosovës, i shkolluar në Akademitë jugosllave dhe nuk është turp të jesh pedagog fizike i universitetit të Enver Hoxhës të cilin e caktuan në krye të Shqipërisë jugosllavët, serbët, as nuk është turp të bëhesh shef i shërbimit sekret të shtetit pa pasë lidhje me atë shkencë e disiplinë apo teknologjinë moderne të informacionit.
“Për ne nuk ishte ndonjë shqetësim, vijon të thotë Klosi. I vetmi shqetësim që kishim ishte se ata njerëz nga ato kampet ku ishin, qoftë në Mamurras a në Kavajë, Karpen, shpesh e shpesh me uniforma të UÇK që ata s’ishin UÇK (Klosi duhet ta caktonte kush ç’ka ishin, kush ishte titist e kush enverist) dilnin nëpër Tiranë, (Tirana duhej ishte më shumë e Klosit se sa e çdo shqiptari të Kosovës, Klosi nuk u lejon hise në Tiranë shqiptarëve të Kosovës…), e kishin me qejf të dukeshin që jemi kosovarë (nënqesh dhe zgjat a-në te fjala kosovarë), jemi të UÇK… dhe këto i patëm thënë, që normalisht UÇK operon në Kosovë, nuk mund të ketë ushtarë të veshur me uniformë nëpër Tiranë, prandaj mos na i krijoni këto probleme…”
Ata njerëz të UÇK që rrinin me Klosin e me Milon e me zyrtarë të tjerë socialistë, ata lejoheshin “të luftonin” nëpër Durrës e Tiranë me Klosin e nuk kishte nevojë që ata të luftonin në Kosovë… Klosin e shqetësonte ose edhe e trembte mbase ndonjë situatë e mundshme që mund të krijonin trupat speciale të Kosovës që stërviteshin në Karpen të Kavajës në ambiente private. Të gjitha ambientet ku janë stërvitë trupat e Kosovës kanë qenë ambiente private jo shtetërore dhe u është paguar qiraja pronarëve të tyre.
Klosi kishte dy standarte për UÇK, ca i puthte e ca i pështynte sipas ligjërimit të tij në dokumentarin e Noljan Loles.
Klosin, sa e lexoj unë rrëfimin e tij nervoz me përqeshje e zgërdhirje, e shqetësonte shqiptari i Kosovës në Tiranë, nuk e donte, nuk e duronte shqiptarin e Kosovës në Tiranë. Klosi mendon se shqiptari mallakastriot ka më shumë hise në Tiranë se gjakovari… drenicaku, llapjani apo i shqiptari i Gjilanit. Edhe ata shqiptarë të Kosovës që i lëpiheshin dhe e quanin si zot ai i nënqeshte, i nënçmonte, i ironizonte. Disa nga ata donin më shumë Klosin se vëllezërit e tyre… Sa më shumë që ata e adhuronin aq më shumë ai i nënçmonte. Duke parë emisionin mendoja se më shumë e njoh unë Hondurasin se sa e njeh Fatos Klosi Kosovën…
Klosi nuk thotë të vertetën kur thotë se pjesa e kësaj ushtrie të Kosovës (është fjala për trupat e FARK-ut) përbëhej nga oficerë e nuk kishin ushtarë. Vetem në Kukës, në dy qendra stërvitje, në Kolsh e në Kalimash kjo ushtria e Kosovës kishte ushtarë disa herë më shumë se sa kishte divizioni i Kukësit në Kukës, pa llogaritë sa ushtarë kishte në kampet e stërvitjes në Tropojë, Mamurras apo Karpen ku ishin trupat më speciale të Kosovës, që nuk di pse e shqetësonin dhe e frikësonin Klosin…
Oficerat e Kosovës natyrisht që paguheshin nga qeveria e Kosovës për punën që bënin, siç paguhej vetë Klosi nga qeveria e Shqipërisë (nuk e di a paguhej me ndonjë honorar nga Kosova, nuk di gjë për këtë gjë). Ata oficerë të Kosovës kishin lënë punët dhe familjet nëpër botë dhe ishin bashkangjitë luftës por nuk kishin lënë ngrënien e bukës, pirjen e ujit, nuk kishin lënë ushqimin. Klosi firmoste dietat e tij veç rrogës dhe nuk harronte kurrë të merrte shpërblimet… Ndërsa oficerët e Kosovës nuk duhej të merrnin asnjë lloj rroge, ata dhe familjet e tyre duhej të hanin bar…
Por duhet pyetur mirë e duhen parë borderotë legale e të fshehta të Kosovës të UÇK, të Ministrisë së mbrojtjes të Kosovës nëse paguheshin nga dy herë oficerë, nënoficerë e kuadro të Shqipërisë që angazhoheshin me punë e probleme të luftës për Kosovën…
UÇK – në, thotë Klosi e njihja mirë dhe e dija se ata po luftonin në Kosovë. Ku Klos, kush, ku po luftonte… kush ta tha… Po këto ushtarë e oficerë të FARK – ut që hynin në Kosovë a bënin atje mbrëmje vallëzimi me serbët, bënin kurvëri e hajni, apo luftonin, Klos? Ligjërim përçarës.
Klosi thotë se Ahmet Krasniqi nuk ishte emëruar ministër. Klosi e LPK i dinin sekretet e punët e Kosovës. Po Klosi nuk thotë si është e mundur që Ministrin Krasniqi ta dëgjonin mijëra njerëz, oficerë (se nuk kishte ushtarë…), të krijonte struktura ushtarake, të kishte fuqi të lëvronte shuma të mëdha parash, miliona marka edhe pjesës tjetër të UÇK që Klosi e njihte mirë…. Këto para ia jepte qeveria Bukoshi me firmën e Bukoshit. Si është e mundur Klos. Një njeri jo ministër si mund të vepronte kështu me autoritet ministri, të negoconte me të gjithë palët, të udhëhiqte çdo operacion, të firmoste, urdhëronte e lëvronte miliona dojçmarka gjermane institucionalisht, fonde të qeverisë.
Po të shohësh portretin e Fatos Klosit duke u ngërdheshë e zvarritë fjalët në dokumentar të mbulon trishtimi, merr inat gjithë shtetin shqiptar e zyrtarët e tij.
Ndërsa po flas për Fatos Klosin si kreu i shërbimit sekret të Shqipërisë në vitet 1998 – 1999, që flet pa dashuri e shpirt për punët e Kosovës të cilën nuk e sheh si pjesë tonën por si të huaj, si “problem kosovar”, si punë kosovarësh, më shfaqet përballë tij ish shefi i dikurshëm e shërbimit sekret të vendit, Irakli Koçollari.
Nuk kam ngelë unë të gjykoj a amnistoj askënd e asgjë për veprimtarinë e tyre, por unë mund të tregoj një histori të rrallë, mbresëlënëse.
Rastësish në Akademinë e Shkencave në Tiranë ne 2021 njoha ish kryetarin e shërbimit sekret të Shqipërisë, Irakli Koçollarin, sot akademik, dikur edhe diplomat në Greqi e në rininë e tij, në kohën e demostratave të 1981 në Kosovë, oficer zbulimi a sigurimi në Kukës.
I thashë duke qeshë në kafe, si s’më ke njohur kur ke qenë në Kukës që të më bëje spiun që të bëja karierë në Tiranë këto vite që jam pa punë…
Duke i dhënë librin “Shtatë fletore” me 5548 vargje të poetit të varur Havzi Nela që kam përgatitë dhe botuar unë, po i tregoja si kuriozitet se Havziu i ka kushtuar më shumë se dymijë vargje Kosovës dhe demonstatave të 1981 në Kosovë, si askush deri sot nga poetët shqiptarë.
Kam kaluar muaj të tërë në majen e malit të Pushtrikut ato kohë protestash të 1981, më rrëfeu Irakliu. Kosova protestonte, ne rrinim roje në kufi…
E kujtoj se sa e tensionuar ka qenë situata atë pranverë të 1981. E besoja për çfarë fliste Irakliu pasi unë banoja në fshat në Bardhoc afër kufirit me Kosovën, në atë kohë i sapokthyer nga Durrësi ku kisha bërë shkollën e mesme. Por ne e përjetonim atë që ndodhte në Kosovë se në familje flitej gjithë kohën për Kosovën, ne ishim pjesë e Kosovës…
Nga ato protesta e nga ajo kohë kam kujtimin më të bukur të jetës, vijoi Irakliu, në Kukës më lindi fëmija i parë, vajzë dhe ia vura emrin Prishtinë…
Hapa sytë si për ti thënë ma përsërit edhe njëherë se nuk di a e dëgjova mirë…
Vajza jote, fëmija yt i parë, ka emrin Prishtinë…?!
Po, Prishtinë e ka emrin, qeshi lehtë Irakliu…
Irakli Koçollari, një baba i ri, nga Zagoria e Gjirokastrës, oficer sigurimi a zbulimi i shtetit komunist shqiptar, i sapo dalë nga shkolla, që ato muaj të demostratave të Kosovës të vitit 1981 ruante në kufi në malin e Pushtrikut të Hasit, fëmijës së tij të parë, vajzës së tij të parë, ia vë emrin Prishtinë..!
Mbeta pa tekst si i thonë fjalës. Më erdhi turp pa shkak pasi shpesh bëhemi spektatorë në raste akuzash e përfoljesh qoftë me shaka e gjysmë shakaje ndaj njerzve të ndryshëm duke dëgjuar t’i thonë dikujt grek, dikujt serb, dikujt shka dhe gjykojmë bardh e zi në jetë kur në fakt jeta ka më shumë ngjyra e nuanca se sa mendon e din njeriu…
Më shumë se e mrekullueshme kjo që dëgjova. Çfarë lidhje me Kosovën!
Nuk e ka urdhëruar as nxitur partia as shteti as sigurimi i shtetit komunist këtë djalë njëzet vjeç nga fshatrat e Zagorisë së Gjirokastrës që fëmijës së tij të parë, vajzës së tij të parë, t’ia vendosë emrin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Prishtina atëhere ishte gjak, dhimbje, mall, Atdhe, Kosovë, ishte gjysma jonë e munguar. Këtë Irakli Koçollari e shkruan në fëmijën e tij, në identitetin e tij pasi e sheh Kosovën jo të huaj, por pjesë të tij, pjesë të shpirtit të tij.
Ndërsa Irakliu fliste për vajzën e tij me emrin e bukur Prishtinë e për Kosovën, mua më përfytyrohej Qazim Bllaca, i Suharekës, ish kryetari i parë i Bashkisë së Prizrenit, deputet në parlamentin shqiptar, njëri nga shtatë themeluesit e Lidhjes së dytë shqiptare të Prizrenit, ish zevendës ministër i punëve botore në qeverinë e Rexhep Mitrvicës në Tiranë, i dënuar me 31 vite burg e internim nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili mbijetoi në burgun e Tiranës nga ushqimet që ia sillnin në burg dy vjet rrjesht, një ditë njëri e një ditë tjetri, Skënder Gega prej Gjirokastre dhe Muhedin Dino nga Libohova. Ose Avni Bejkova prej Erseke e Xhafer Butka prej Kolonje që ndanë për vite me radhë kafshatën e gojës me Qazim Bllacën në burgun e Burrelit ku mbijetonin 38 të burgosur në 40 metër katrore kaush…
Nuk po flas më shumë e më tej, le të jetë çfarë të dojë Irakli Koçollari, shiks, operativ, sigurims, kryetar sherbimi, diplomat, akademik, kryetar akademie, por ka një shekull distancë, është një mijë vjet dritë larg Fatos Klosit sa u përket raporteve e lidhjeve të tyre shpirtërore me Kosovën, dashurinë për Kosovën e për “ata kosovarët që fryheshin një çikë…, që vdisnin për tu dukur me uniformë e me armë udhëve të Tiranës… pjesë të një ushtrie që kryesisht përbëhej nga oficerë, nuk kishte ushtarë (zgërdhihet), oficerë të paguar nga qeveria e Kosovës, oficerë që kishin qenë oficerë të ushtrisë jugosllave që kishin mbaruar nëpër akademitë jugosllave dhe që po përgatiteshin për t’u futur në Kosovë por mesa dukesh asnjëherë nuk kishin ndërmend të hyjnë. Një ushtri vetem me oficerë nuk funksionon…”.
Ku ta kishte atë luks Kosova që të kishte aq shumë oficerë sa thotë Klosi i tmerruar prej oficerëve të Kosovës që i dukej se mburreshin me uniforma UÇK-je nëpër Tiranë…
Urrejta, përgojimi e nënçmimi nuk ka brirë.
Fatos Klosat nuk e bëjnë dot “close” Kosovën.
Ka kohë që e urdhëroj veten me hesht, por nganjëherë nuk më dëgjon vetja, më del vetja prej vetes.
Please follow and like us: