NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE–KUJTOJ AMBASADORIN E SHQIPËRISË NË WASHINGTON, LUBLIN DILJA
Frank Shkreli
Kur kam shkruar për marrëdhëniet amerikano -shqiptare, gjatë 15 viteve të fundit, kam pëmendur kryesisht, diplomatë dhe politikanë amerikanë për meritat e tyre sa u përket marrëdhënieve të forta midis dy popujve tanë. Por, ka edhe diplomatë shqiptarë që kanë kontribuar dhe kontribojnë për forcimin e këtyre lidhjeve miqësore. Një prej tyre, ka qenë ish-Ambasadori i Shqipërisë në Washington, (1993-1997) i ndjeri Lublin Dilja.
Me 10 Tetor të vitit 2009, një sëmundje e rëndë i mori jetën para kohe në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë diplomatike — ish-ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Washington, Lublin Dilja.
Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin Lublinin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore. Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj, post-komunist. Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja, pothuaj menjëherë pasi filloi nga detyra në Washington – dhe si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, ç’prej atëherë e sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi dhe me individë të komunitetit, në veçanti.
Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi ka arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993 si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1997. Ishte kjo një periudhë shumë e rëndësishme por edhe e vështirë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar, të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit. Në atë kohë, mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë – më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend, si realitet. Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë rivendojsa e marrëdhënieve midis dy vendeve tona – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli.
Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhur atë natë tek shtëpia ime, pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë, i ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë. Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri, demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota. Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan. Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të që e njohën dhe e donin. Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por edhe disa vite më vonë, edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar. Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot. Lublini lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore dhe atdhetare. Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme. Ishte shumë i urtë, me sjellje prej zotënie, serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ishte pjesë e pandarë e komunitetit tonë, ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, sidomos gjatë kohës që ka shërbyer në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork. Ish-Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB-së, Adrian Neritani ka thenë për Zërin e Amerikës, me rastin e kalimit në amshim të ambasadorit Dilja, se cilësitë e veçanta njerëzore dhe profesionale të Amb. Dilja janë shprehur edhe në detyrën e tij në OKB, në Nju Jork, duke shtuar se, “Ambasadori Dilja ka qenë një figurë publike, jo thjesht zyrtare, një figurë e respektuar nga komuniteti shqiptar i Amerikës dhe nga kolegët e tij diplomatë, brenda dhe jashtë misionit të OKB-së”.
Autori me Ambasadorin Lublin Dilja dhe me kolegun tim Dr. Elez Biberaj gjatë viteve të shërbimit diplomatik të Ambasadorit në Washington, 1993-1977.
Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan, gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për atë, personalisht. Megjithë vështirsitë dhe sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej çdo ditë ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe si patriot që ishte, u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte vendin e vet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa diplomatë të tjerë shqiptarë të asaj kohe për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin. Por, si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte, me detyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçant.
Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej, trimërisht dhe diplomatikisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante. Dashuria e tij për Atdheun, puna e tij e palodhëshme si dhe besimi i tij i thellë në miqësinë e përhershme të Kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara dhe promovimi i marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, së bashku me komunitetin shqiptar në Amerikë — e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta.
Në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vlerat prej diplomati dhe patrioti shqiptar të denjë, e bëjnë ambasadorin Lublin Dilja, një shëmbull të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.
Për këto arsye dhe të tjera — e kujtoj këtë ish-përfaqsues të Shqipërisë në Washington, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – SHBA — me respekt, si një kontribues i forcimit të këtyre marrëddhënieve — për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i imi dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork.