Zhuliana Jorganxhi: In memoriam, Enriko Veizi!
Tani mbi mua ka rënë heshtja e mortit. Koka më ka mbetur e kthyer pak nga ana e djathtë, ku rri ime bijë, Enida. Ime shoqe, Ema, më rri mbi krye. E shkreta ajo ç’ka hequr me dhe pa mua! Pranë saj rri nëna, që nuk heq nga goja fjalët: “I bukuri i nënës, ku po më ikën kështu? Ta shkurtuan jetën katilat, o bir?! Ç’më duhet tani mua jeta pa ty, o bir i nënës, bir”! Ime motër, Tefta rri pranë sime bije dhe qan në heshtje. Dy binjakët, Enoja dhe Endri, ende nuk kuptojnë, që më kanë dhe për pak orë. Të dy rrinë pranë e pranë dhe presin burrat, tek dhoma e tyre. Rrinë të hutuar dhe s’flasin dot një fjalë. Me ta është dhe im vëlla Genci. Njerëzit nuk pushojnë së ardhuri sot në shtëpinë time. Ka dhe prej tyre, që më braktisën atëhere mua dhe gruan time dhe sot nuk pushojnë duke më numëruar të mirat! Çdo gjë filloi atë ditë të enjte, të gjashtë shkurtit njëmijë e nëntë qind e tetëdhjetë e gjashtë. U zgjova atë mëngjes si çdo ditë, hëngra mëngjesin me pak qumësht të blerë nga gruaja , një ditë më parë, pas një rradhe të gjatë, që në orën tre të mëngjesit. Piva me të kafen dhe u nisa. Ajo, atë ditë do të shkonte në Durrës, se kishte një rast vdekje në farefisin e saj. E kujt i shkonte mendja, se aty rreth orës dhjetë, do të hynin në zyrën time kryetari i degës së qytetit dhe dy civilë dhe do të më thoshnin ato fjalë, që i thuheshin atëhere “armikut”: ” Gjergj Veziri, në emër të popullit je i arrestuar!”. Më hodhën prangat në duart dhe as më lanë të veshja pallton, por më nxorrën nga zyra dhe në oborrin e ndërmarrjes pashë “gazin” e Degës. Hyra aty dhe u ula në sediljen prapa mes dy civilëve. Prej atij çasti s’isha më njeri i lirë. Jeta ime kishte pushuar atë ditë. Tani isha një “i hetuar” nga hetuesia e qytetit, e atij qyteti, ku kisha punuar për gati njëzet e katër vjet. Ishte një çerek shekulli punë! Këtë, që po provoja unë e kishin provuar më parë miqtë e mi, të cilët ishin burgosur dhe dënuar rëndë. Ishte një kohë, që sikur ishin ndalur këto arrestime dhe dënime në sektorin e naftës, por isha gënjyer. Enver Hoxha kishte gati një vit që kishte vdekur. Me të kisha pasur rastin të takohesha dikur me një grup bashkëpunëtorësh të mi. Kishim marrë krahë nga ai takim. Kishim kujtuar, se mund të punonim të qetë, sepse ai, koka e udhëheqjes na kishte takuar dhe vlerësuar, por ja s’kishte kaluar pak kohë dhe mbi sektorin tonë ai lëshoi përsëri rrufetë e tij. Inxhinierë të zotë si Kosta, ai që dikur kishte udhëhequr diplomën time dhe ishte bërë mik i familjes, siç kisha marrë vesh kishte vdekur në tortura. Drejtor Nashua ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Për të kisha dëgjuar, se e kishin pushkatuar dhe ja tani pikërisht pas vdekjes së Enverit erdhën prangat në duart e mia. Ku kisha gabuar? Po Ema me fëmijët ç’bëjnë tani? Ç’do bëhet me ta? Do t’i heqin me siguri nga qyteti, do t’i internojnë? Kush ishin ata që kishin urdhëruar arrestimin tim? Para pak muajsh, tek ne kishin ardhur ata dy nga lart, njëri dikur kishte qënë inxhinier mekanik, kurse tjetri shofer. Byroja politike vit pas viti ishte “zbrazur” nga “garda e vjetër” dhe në vend të tyre ishin “ngjitur” karrocierët, shoferët dhe mjelëset e lopëve! Ata të dy, as që kishin zbritur nga makina atë ditë, por siç duket kishin shkuar lart dhe raportuar, se aty në “naftë” ka sabotim, se aty “angjetura” e huaj kishte vepruar me duart e mia dhe të Taqos, drejtorit tim. Ema, siç mësova pas “lirimit” tim, atë mbrëmje ishte kthyer nga Durrësi. Kishte thirrur nga poshtë pallatit emrin tim, por asnjë përgjigje. Kishte ngjitur shkallët dhe kishte hapur derën e apartamentit tonë, aty në katin e dytë. Prapa derës rrinin të tmerruar të tre fëmijët. -Mami! Mami! Kanë arrestuar babin!-i kishte thënë vajza me një zë që shprehte tmerr dhe llahtarë. Apartamenti ishte kthyer përmbys. Njerëzit e Sigurimit kishin kontrolluar çdo cep të tij. Emës i ishte marrë fryma një çast, pastaj kishte përmbledhur veten. I kishte mbështjellë me krahët e saj të tre fëmijët dhe kishte filluar të qante me dënesë. Fëmijët qanin me të. Vajza, gjashtëmbëdhjetë vjeçare, Enida, dridhej nën dënesa. Ajo ishte shumë e lidhur me mua, po ashtu dhe njëri nga binjakët dhjetëvjeçarë, Enoja. Atë mbrëmje Ema u mundua të qetësonte fëmijët, t’iu përgatiste atyre darkën, por mendja ishte tek unë.
Xhaviti, ishte hetuesi, që“merreshe” me mua. “Merreshe” me mua, do të thoshte, që aty në atë dhomën e errët të hetuesisë, unë i lidhur me duar prapa pas një karrigeje metalike, të ngulur në çimento, prisja papushim goditjet e tij. Grushte në fytyrër, shkelma në kurriz, në bark dhe gjoks. E njihja, se ai hiqej si “shok” e “mik” i ne intelektualëve të qytetit, aq më shumë, që kur u zgjodha dhe kryetar i degës së Lidhjes në këtë qytet. Pikturat e mia kishin zënë vend në shumë ekspozita të qytetit dhe në ato kombëtaret kisha fituar çmime. Piktura kishte qënë dashuria ime e parë! Kisha filluar të pikturoja qysh fëmijë. “Ata”, siç më tregonte më vonë Ema, kur kishin përmbysur shtëpinë tonë i kishin marrë ato si “prova”. Kishin rrëmbyer edhe disa katalogë pikturash, që unë kisha mundur të sjell nga ato dy rrugë që pata bërë jashtë shtetit. Ato albume pikturash do të bënin dhe një “dëshmi” tjetër kundër meje, si njeri që pëlqeja artin e huaj, kurse “daljet jashtë shtetit” për shkëmbim eksperience, do të ishin si shkak për të më ngatërruar me agjenturat e huaja!… Unë me agjentura të huaja?! Unë, që kur shkoja në institutet jashtë dhe shikoja sa kishte ecur shkenca, ndjehesha ngushtë dhe më vinte turp për dijet e mia të kufizuara në krahasim me ato ku kishte arritur bota e kërkimeve në naftë. Më vinte të qaja, që kishim mbetur aq prapa botës! Unë, që çdo eksperiencë të fituar aty, mundohesha, që sado pak, brenda mundësive të vendit tim ta vija çdo ditë në jetë. Aty në atë dhomë të errët qelie, pas torturave të tmerrshme, ndjeja se si një zhgënjim i dhimbshëm pushtonte gjithë qënien time. Kisha sakrifikuar gjithçka për punën time, nga që e dashuroja atë. Kisha sakrifikuar familjen, gjumin, pushimet e mia vjetore dhe përse?! Që një ditë të përfundoja këtu në këtë qeli me damkën e armikut sabotator!…
Mëngjesi e kishte gjetur me sy të enjtur. Kishte bërë gati çajin për fëmijët, i kishte lënë porosi Enidës dy binjakët dhe ishte nisur për punë. Rrugës ecte kokëulur. Nuk donte të takonte njeri as me sy. Ajo ishte kryeinxhiniere në fabrikën e makaronave. Ç’do bëhej tani me të? Mos do ta internonin? Po ai, Gjergji, burri i saj çfarë kishte bërë, që e kishin arrestuar ? Kishin punuar një jetë, ai si nëndrejtori i Institutit të studimeve të naftës dhe ajo në fabrikë. Mos vallë kishte vënë firmën në ndonjë projekt të gabuar, që mund të quhej me atë fjalën e tmerrshme “sabotim”?! “Sabotatorë në naftë” “ishin zbuluar” gjatë gjithë kohës, që kur ajo njihte Gjergjin dhe kishte prej tyre që ishin dënuar dhe me pushkatim… Për pak sa nuk u përplas me dikë. Ishte Petriti, një punëtor i Azotikut, me të cilin e lidhte një krushqi e largët. -Bëju e fortë!-i tha ai në vend të përshëndetjes “mirëmëngjes!”-Do të jetë bërë ndonjë gabim. Gjergjin unë e kam si vëlla. -Ik-i tha ajo me zë të dredhur-ik dhe mos më tako më! Por, ai sikur të mos kishte dëgjuar gjë vazhdoi: -Për çdo nevojë mua më ke pranë!
Nuk kam si t’ia harroja për gjithë jetën atij mikut tim, Petritit, që për sa vite unë lëngova burgjeve iu ndodh pranë familjes sime. Nuk ia harroj as mikut tim shkrimtar Aliut, që një ditë kishte takuar nënën time dhe i kishte dhënë një stekë me cigare për të m’i sjellë mua në burg. Ato cigare ishin shenjë e mikut që nuk më kishte braktisur dhe nuk më kishte harruar. Ema, nuk kishte filluar mirë punën, sa kishte veshur përparësen e bardhë në laborator, kur kishte hyrë sekretari i partisë i fabrikës dhe pa e përshëndetur i kishte thënë: -Ema, të kërkojnë në komitetin e Partisë. Kishte hequr përparësen, kishte veshur pallton dhe kishte dalë nga fabrika. -Ti duhet të dish për tët shoq shumë gjëra-i kishte thënë sekretari i dytë i komitetit. -Hapju Partisë! Ajo duhet t’i dijë të gjitha. Ai yt shoq vazhdon të heshtë. Nuk do të pranojë asgjë! -Unë s’di asgjë përse e kanë arrestuar-tha Ema pa e parë në sy. -Mendoju mirë, ne ty të kemi zgjedhur në forumet e larta të gruas. Je në kryesinë e këshillit të përgjithshëm të BGSH-së. Mendo për fëmijët e tu, se ai yt shoq nuk ka menduar për ju! Ema heshtëte. -Ik tani-i kishte thënë më në fund sekretari – ne jemi këtu dhe presim të na ndihmosh. Ema kishte thënë si nëpër dhëmbë “ditën e mirë!” dhe kishte dalë nga ai prag i komitetit të partisë më e vrarë se sa kishte hyrë. “Ç’kërkojnë nga unë?!” pyeste veten. Ndjeu se për pak po i thyheshin gjunjët. Kishte kaluar natën më të tmerrshme të jetës së saj. Pas asaj dite, atë e kishin ulur nga përgjegjësia si kryeinxhiniere dhe e kishin çuar inxhiniere në prodhim. I kishin bërë mbledhje kolektivi, ku kishin kërkuar të “dënonte” mua, burrin e saj, shokun e jetës për njëzet vjet! Ajo ishte ngritur dhe kishte thënë: “Partia i di të gjitha. Nëse im shoq Gjergji, do të ketë faj le ta dënojë!” Mbledhja e kolektivit kishte kaluar si kishte kaluar, por ajo e këshillit të gruas së rrethit kishte qënë më e mundimshmja për Emën. Aty, gjithë ato gra, dikur “shoqe” të saj të plenumeve dhe kongreseve të gruas, ishin ngritur dhe kishin folur gjithë mllef gati gjer në shkumëzim për atë “armikun” Gjergj Vezirin dhe kishin kërkuar, që dhe ajo, si bashkëshorte e tij “të mbante qëndrim dhe ta dënonte”… Nga qytetet ku banonin, kishin erdhur që të nesërmen e arrestimit im vëlla i vogël Genci dhe ime motër Tefta. Genci kishte blerë një stekë prej dhjetë paketa cigaresh dhe kishte shkuar me njëherë në degën e brendshme të merrte vesh se ç’bëhej me mua. Ime motër nuk kishte marrë guximin të vinte në atë derë. Burri i saj ishte oficer dhe ajo kishte frikë mos merrej ndonjë masë edhe kundrejt tij, si kunat i një të arrestuari. Nga bodrumi, ku kisha tani njëzetë e katër orë i mbyllur, nga ajo dhomë e errët, kishte dalë ato çaste hetuesi im, më mirë të them “torturuesi” im, Xhavit Korrja. Krahëve, siç më tregonte më vonë im vëlla, kishte hedhur një nga ata xhupat me jakë peliçeje, që mbajnë ushtarakët. Qeshte me të madhe me një nga hetuesit e tjerë të degës. Në dorë mbante ndezur cigaren. Im vëlla, Genci e njihte. Kishin qënë dikur shokë të një klase në shkollën e mesme. Zemra e tij sikur ishte ngrohur pas atij kallkani që kishte kaluar. I ishte afruar me ndrojtje Xhavitit dhe i kishte thënë: -Shoku Xhavit…Im vëlla është i pafajshëm! Unë mund të isha brenda, jo ai! -Yt vëlla është një kriminel i poshtër, që s’e ka shokun! Ai është koka e grupit! Ai do plumbin kokës! -Jo, jo! Im vëlla nuk është kriminel!-kishte thirrur Genci dhe kishte shpërthyer në lot. Xhaviti e kishte lënë aty të dërmuar nga dhimbja, me atë stetkën e cigareve që Genci kishte blerë për mua. I shkreti Genc! Gjithë jetën më ka adhuruar si vëllain e tij më të madh. Më dhimbej ai djalë, që pas arrestimit tim e kishin “zbritur” nga përgjegjësia si kryeinxhinier dhe e kishin çuar të punonte si përgjegjës turni në prodhim. Ai jetonte me nënën. Im atë kishte tre vjet që kishte vdekur. Nëna ime! Shenjtorja ime! Për sa vjet bëra burg ajo nuk iu nda rrugës së kalvarit tim! Më ndoqi nga burgu në burg! Në diell dhe shi, në të nxehtë dhe tufan. E shihja nga oborri i burgut tek ngjitej rrugës me ato dy torbat e rënda me ushqime dhe ndërresa për mua. Vitin e parë, nga një kamare e vogël takonim vetëm duart. Nuk na lejohej të shiheshim sy ndër sy. Ema nuk mund të vinte me të. Në çastet kur mbetesha vetë pas “marrjes në pyetje” nga hetuesit, kujtoja gjithë jetën time. Çastet më të bukura kishin qënë ato kur u njoha me Emën. Shëtitjet tona buzë detit në qytetin tim bregdetar, fejesa dhe më vonë ato dy javë pushimesh pas martesës sonë në kampin e punëtorëve në qytetin e Korçës. Ai ishte pushimi i parë dhe i fundit me Emën. I dhënë me pasion pas punës sime i mohova vetes ditët e pushimit. Ema shkonte me pushime në verë në qytetin e Vlorës, tek nëna ime së bashku me tre fëmijët tanë, pa mua. Lindja e fëmijëve kishte qënë gëzimi më i madh i jetës sime. Ata ma mbushën jetën dhe pas çdo dite të punës sime të lodhshme dhe cfilitëse, me gjithëse shumë herë i lija dhe i gjeja në gjumë, ato çaste që isha me ta, ishin çaste të mrekullueshme. I kisha parë të porsalindur, iu kisha dëgjuar natën të qarën e tyre, i kisha mbajtur përdore në hapin e tyre të parë, më kishte mrekulluar fjala e parë e thënë nga ato buzë fëmije, i kisha marrë përdore për t’i çuar për herë të parë në shkollë dhe këto kujtime sikur më bënin të ndjeja më shumë, se ç’kisha humbur me arrestimin dhe burgosjen time. Ndarja prej Emës dhe prej tyre ishte një dhembje, që më ndiqte pas në ato vite burgu. “Le të veprojë siç është më mirë për të dhe fëmijët, i thashë dikur nënës në një nga takimet tona.-Po qe se e shikon të nevojshme, le të bëjë ndarjen! Ne kështu njësoj të ndarë jemi!” Ema kërkoi ndarjen, por kjo u bë e mundur vetëm pas gjyqit tim dhe dënimit që m’u dha: “Njëzet e tre vjet burg! Për sabotim të ekonomisë socialiste!”, por para se të vinte dita e gjyqit, ç’hoqa unë, vetëm atij, varrit tim, ku po shkoj tani, do t’ia tregoj…
x x x
Tetëmbëdhjetë muaj hetuesi! Grushtet dhe shqelmat nuk u ndanë. Në pushimet mes torturave pyesja veten: “ç’ju kam bërë këtyre njërëzve, që të më urrejnë dhe të më poshtërojnë kështu?!”. Ata nuk ishin thjesht ekzekutorë torture. Në çdo grusht dhe goditje atyre iu shpëtonin fjalë urrejtjeje të dala nga shpirti i tyre katran. Kush i kishte mësuar të urrenin kaq keq?! E keqja, më në fund, po e kuptoja, rridhte nga lart me rropamë dhe vinte e mblidhej pastaj si në një sterë të zezë tek këta ekzekutorë të tmerrshëm. Në jetën time s’i kisha bërë keq asnjë mize. Më pëlqente gjithçka ishte e bukur në natyrë, në njerëzit. Dashuroja artet, muzikën, gjuhët e huaja, punën, me gjithë vështirësitë e saj. Atë punë, unë nuk do ta ndërroja kurrë me një post atje lart në ministri. Ishte punë kërkuese, hulumtuese dhe kur një ditë jepte rezultatet e saj të mira, pra kur zbulohej një vëndburim i ri, s’kishte gjë më të bukur, se gëzimin e ndanim të gjithë bashkë, specialistë, inxhinierë dhe naftëtarë dhe ja tani për gjithë këtë dashuri, që mbaja brenda shpirtit, si një të pafaj, më torturonin, njerëz të liq e të pashpirt. Torturë e tmerrshme ishte ajo kur më hoqën pa anestezi, me pincë elektriçisti, gjithë dhëmbët e mia të para! ( Në rininë time ato më dukeshin, se ishin gjëja më e bukur në fytyrën time. Kisha dhëmbë, që siç më thoshte nëna, ishin si inxhi!). Ulërija nga dhimbja, po ku deshën t’ja dinte Xhaviti me shokë?! Kur e panë, se dhe ashtu unë nuk firmosa deklaratën e diktuar prej tyre, atëhere filloi tortura më e tmerrshme. Më hoqën pantallonat dhe të mbathurat më përkulën kurrizin dhe ndjeva në anusin tim të hynte diçka dhe pastaj një lloj lëngu, që i vinte era qepë. Ulërita nga djegia e tmerrshme, që më shkaktoi ai lëng në gjithë barkun tim! Kjo torturë u përsërit me ditë me rradhë. Ashtu të çveshur lakuriq duke kaluar nëpër korridorin e errët, vetëm pas një muaji, më bënë të hyj në një dhomë ku ishte dushi. Uji ishte akull dhe ishte fillimi i marsit… -Ne të bëjmë të pish shurrën tënde!-thërriste Xhaviti. E pra, edhe urinën time jam detyruar ta pi, nga etja që kisha ditët e para. Pa bukë, pa ujë. Trupi im u tret. Trupi im njëmetër e nëntëdhjetë dhe që peshonte dikur mbi nëntëdhjetë kile. Flokët e mia të verdha çdo muaj qetheshin në zero për kaq vjet me rradhë! Kur dola nga burgu isha i thinjur…Isha dyzet e gjashtë vjeç, sa i kisha mbushur, kur më mbyllën aty dhe po dilja i dërmuar, sikur të kisha jetuar njëqind vjet! Tetëmbëdhjetë muaj hetuesi! Pesëqind e dyzetë ditë tortura, gjersa një ditë më thanë: “Ti sikur ke grua dhe tre fëmijë, hë?! S’i ke për të patur më!” Më thoni, kush nuk do të nënshkruante atë deklaratë për të mos i vrarë fëmijët e tij? Dhe unë e nënshkrova… “Ah, sikur të mos ta kishte nënshkruar atë të shkretë deklaratë!”, i kishte thënë Ema, Andreas, mikut tim të rinisë, aty para Gjykatës së Lartë në Tiranë, atë qershor të nëntëdhjetës, tek kërkonte të drejtën e studimit për Enidën.. “Kur je aty brenda, i kishte thënë Andrea, gati në vesh, e nënshkruan dhe me këmbë!”
x x x
Të lehtë s’e kishte as Enida gjashtëmbëdhjetëvjeçare. Ishte e para e shkollës, ishte zgjedhur sekretare rinie për klasën e saj. Kisha një dobësi të madhe për të dhe ajo për mua, ndoshta se ishte e para që më thirri “babi”ose është ajo që thonë, se vajzat lidhen më shumë me etërit. Pas arrestimit tim, shoqet i ishin larguar dhe nuk i vinin më në shtëpi, si dikur. E kishin hequr dhe si sekretare të rinisë. Ishte mbyllur në vetvete dhe shpesh grindej me Emën, sidomos pas “ndarjes”, që kjo kishte kërkuar me mua. Studionte gjithë pasditen dhe nuk dilte kurrë më nga shtëpia. Erdhi mosha e maturës. Të gjitha notat ishin dhjeta në dëftesën e saj, vetëm ajo mësuesja e marksizëm-leninizmit nuk i vuri më notën dhjetë. Vajza e një të dënuari , “armiku” të Partisë, nuk mund të meritonte dhjetën në atë lëndë! Ajo as që priste t’i dilte e drejta e studimit atje ku kishte kërkuar. Erdhi shtatori i atij viti dhe ajo u detyruar të hynte punëtore në ngakim shkarkim tek fabrika e Emës. Punëtore ngarkim shkarkimi, ajo nxënësja e parë e shkollës! E kush do të fejohej nesër me të? Kush do të merrte për grua një vajzë me atin e dënuar njëzet e tre vjet burg?! Një ditë korriku, tek ngrinte arkat bosh prej dërrase iu afrua një djalë i ri. Ajo e njihte atë. Ishte Ervini, djali i njërit nga inxhinierët e shfrytëzimit të puseve të naftës. Ai ishte student në shkencat e natyrës, dega kimi industriale. Kishte ardhur të punonte muajt e verës në atë fabrikë, aty në repartin e ngarkim shkarkimit. Enida i ishte shmangur në fillim afrimit të tij. A nuk i kishte ndodhur, që pas arrestimit dhe burgosjes sime, ai djali i aktorit, që jetonte në apartamentitn përballë kishte filluar të sillej keq me të. Një ditë, kur vajza po vinte çelësin në bravë për të hapur derën, ai që atë çast u ndodh në korridor e kapi Enidën për krahu dhe kërkoi ta puthë, por vajza i dha një të shtyrë dhe ndër kohë kishte mundur të hapte derën. Hyri në apratament dhe duke iu dridhur duart, kishte mbyllur me çelës derën. Për këtë i kishte folur të ëmës sa kish hyrë në shtëpi. “Kam frikë, moj mami! Kam frikë mos ndonjë ditë më hyn në shtëpi dhe nga ai pritet gjithçka! Tani, që babi është në burg, ai horr kujton që mund të sillet si të dojë me mua!”… Ervini ditë pas dite afrohej gjithnjë e më shumë me Enidën. E priste sa mbaronte turnin dhe bënte me të rrugën deri tek pallati ynë. Shkuan kohë dhe me atë djalë, Enida ndihej e mbrojtur…Tani ata kanë shpallur fejesën, por unë s’do të mund të shoh dot Enidën time të dashur të veshur nuse. Tani ajo vazhdon fakultetin aty ku dëshëronte, në degën e arkiteturës. Binjakët e mi, tani janë rritur dhe kanë hedhur shtat. Kur Genci pas kaq e kaq vitesh burgu më solli Enon, në një nga ditët e takimit, unë nuk e njoha. -Cili është ai pas teje?-e pyeta i habitur. -Është yt bir, Enoja nuk po e njeh?-më pyeti Genci i habitur Enoja ishte bërë një djalosh i bukur. Vetëm dorën mundëm t’i jepnim njëri tjetrit. Polici ishte mes nesh dhe ruante çdo lëvizje tonën. Enoja gjithë kohës pothuajse nuk tha asnjë fjalë. Përgjigjej me nga një “po” ose “jo” për çdo pyetje që i bëja unë. Dukej që ishte i tronditur. Unë isha para tij, një njeri tjetër. I dobësuar sa më s’ka, me dhëmbët përpara të hequra, me supet e rëna nga dobësimi…Atë ditë u ndjeva disi i gëzuar. Munda pas katër vjet të shoh njërin nga fëmijët e mi. “Ema nuk di gjë, që Enoja erdhi të të takojë”-më tha Genci. E kuptova, frika Emës i kishte hyrë në asht. Gjithçka e bënte për të ruajtur fëmijët tanë. Para dy vjetësh ishte bërë ndarja jonë. Atë ditë, Ema do të më shihte për herë të parë pas dy vjetësh dhe unë atë. Kishte pritur në korridor të gjykatës për gati një orë dhe një çast ishte ndjerë keq. Kishte hyrë me vrap në një nga banjot, që ishin aty dhe kishte qarë duke mbytur dënesat. Nuk donte të ndahej kurrë nga unë, por ndryshe atë dhe fëmijët tanë e priste internimi. A s’isha unë, që i kisha thënë nënës sime, që poqese duhej, Ema të kërkonte prishjen e martesës sonë. Kur hyra në sallë me policin, që më shoqëronte, ajo rrinte e ulur në një nga karriget e rradhës së parë. U pamë sy ndër sy gjatë. Sytë e saj folën sa për mijëra fjalë ato çaste. Gjykatësja, një grua e shkurtër me syze optike të errëta filloi të lexojë kërkesën e Emës për çbërje martese, pas kësaj m’u drejtua mua duke më akuzuar si “armik”. Unë kërkova fjalën: “Shoqja gjykatëse, unë e desha dhe e dua gruan time dhe fëmijët e mi…” -Po ta doje-më ndërpreu gjykatësja,- nuk kishe përfunduar aty ku je sot! -Për atë unë mora dënimin dhe po e vuaj-thashë. Gjyqi mbaroi shpejt dhe prej andej unë dhe Ema dolëm si dy të huaj. Ai ishte takimi i parë dhe i fundit me të pas arrestimit tim. x x x “Shpëtuat mirë!”, na tha mua dhe Taqos polici, që na shoqëronte në autoburg, pasi kishim dëgjuar vendimin e gjykatës. “Të tjerët si ju kanë ngrënë plumbin!” Të dy me Taqon të lidhur dorë pas dore me pranga u pamë sy ndër sy. Unë isha dënuar me njëzet e tre vjet, kurse ai si drejtor njëzetë e pesë vjet! Nuk e dinim, as ai as unë a do të dilnim gjallë ndonjë ditë. Autoburgu u nis. Rruga për në kampin “Përparimi” kishte qënë e tmerrshme. Taqon e zuri makina dhe autoburgu u mbush me të vjellat e tij. Gjatë gjithë rrugës ai mbeti i mbështetur mbi gjurin tim të majtë dhe kur më në fund arritëm, unë për ditë të tëra këmbën e tërhiqja zvarrë, aq shumë më ishte mpirë! Ditët e para të kampit filloi të më afrohej një tip, të cilin nuk e njihja. “Mos u shoqëro me të, se është spiun i kampit”, dëgjova dikë të më pëshpëriste ngadalë. E falenderova me sy. Ato vite në atë kamp njëherë në muaj vinte e shkreta nënë e ngarkuar me ndërresa dhe ushqime. Torturat në hetuesi, vitet në atë kamp ma rënuan shëndetin dhe aty zuri fill ajo sëmundje, që një ditë do të më shtrinte këtu ku jam tani. x x x Lëvizja studentore e dhjetorit na zuri mua dhe Taqon në burgun e Tiranës. Na kishin sjellë aty vetëm se duhej të përkthenim literaturë, unë nga anglishtja dhe ai nga rusishtja. Kishim një vit e gjysëm në atë burg, dhe natyrisht ndjeheshim shumë më mirë, se në kampin “Përparimi”, të rrethuar nga telat me gjëmba, ku një kilometër terren ishte lëruar me plug, që nëse dikush kapërxente ato tela t’i dalloheshin gjurmët… Askush nga të burgosurit, siç tregonin ata më të vjetrit, nuk kishte guxuar të kapërxente ato tela. Rojet si karakolle rrinin syhapur ditë e natë me “kallashnikov” në dorë. Torturat në hetuesi dhe puna në atë kamp, ma morën shpirtin, kurse këtu bënim si të thuash punë “intelektuale”, atë të profesionit tonë. Në këtë burg gjatë orës “së ajrimit” një ditë m’u afrua një djalë i ri. -Ti je Gjergj Veziri, më tha-unë të njoh, se dhe unë e dashuroj pikturën. Ti të paktën je burrë, siç të ka bërë nëna, kurse mua “këta” më kanë tredhur! Jetoj kot! Unë u drodha. Ç’t’i thoshnja atij djali, që nuk kishte mbushur ndoshta akoma të tridhjetat dhe e kishin kthyer në një njeri të mjerë?! Në Tiranë u takova dhe me Endrin. Një ditë pas lëvizjes së studentëve dhe formimit të Partisë Demokratike, në janar të vitit njëmijë e nëntëqind e nënëtëdhjetë e një, tek ne erdhi një komision nga ata të Helsinkit. Me ta ne folëm gjatë, unë në gjuhën angleze dhe Taqua rusisht, por kur u ndamë prej tyre i thashë Taqos: “Si harruam t’iu flisnim për llahtarën e autoburgut?” Ditën, që u hodh monumenti i Enver Hoxhës, oshëtima e zërave të popullit në sheshin “Skënderbej” dëgjoheshin deri në burgun tonë. Me siguri policët ishin shtuar dhe burgu ishte rrethuar nga ata. Pas ca ditë më erdhi e më takoi përsëri Genci, këtë herë me të dy djemtë, Enon dhe Endrin. Në sytë e tyre lexohej shpresa për lirimin tim. I dorëzova Gencit dyzet faqe letër, ku i kërkoja Ministrisë së Drejtësisë, që posa ishte krijuar ato ditë, pafajësinë time. Aty kisha shkruar gjithçka kisha hequr në hetuesi dhe se nëse kisha nënshkruar një deklaratë fajësie, atë e kisha bërë nën dhunë dhe torturë psikologjike dhe fizike. Burgu ynë po zbrazej për ditë, vetëm ne, unë me Taqon më kot prisnim çdo ditë të liroheshim. “Ju nuk ju lirojnë, se s’jeni të burgosur të ndërgjegjes, por për sabotim!”, na tha një polic një ditë, zor se ju lirojnë as me ndërhyrjen e atyre, si i thonë të helinskit…” Lajmin e lirimit na e dhanë një mbrëmje të njëzetë e tetë marsit njëmijë e nëntëqin e nëntëdhjetë e një, tri ditë para zgjedhjeve të para pluraliste. S’kemi fjetur gjithë natën. Mëngjesin e asaj dite erdhën dhe më morën kushërinjtë e mi këtu në Tiranë. Kishim gjashtë vjet plot që s’ishim parë! Pas pak erdhi dhe Genci me motrën. Emën e kishin lajmëruar që atë mbrëmje me telegram. Atë e kishte marrë në dorë në mëngjes në fillim Enida dhe kishte vrapuar tek e ëma aty në punë:”Mami! Babi del sot!” Takimi me familjen ishte sa i përmallshëm për mua, aq edhe i dhimbshëm. Fëmijët ishin rritur. Enida ishte bërë një vajzë e bukur, kurse binjakët nuk më ndaheshin. Ema kishte filluar të thinjej…Rrudha të lehta i kishin pushtuar cepat e syve, me gjithatë ishte po ajo Ema e bukur, pas së cilës isha dashuruar përjetë! “Tani na duhet të martohemi dhe një herë”, i thashë atë mbrëmje kur mbetëm vetë. Ajo më buzëqeshi si e zënë në faj dhe tha: “E bëra për hir të fë…” Nuk e lashë të mbaronte fjalën, por e putha ëmbël në ato buzë… x x x Ai më doli përpara aty në bulevardin e qytetit dhe mua m’u vranë sytë. U afrua duke buzëqeshur sikur të kishim qënë miq të vjetër. Më zgjati dorën, por unë nuk ia dhashë timen. -Mos ji i zëmëruar me mua! -tha- Me ty jam sjellë më mirë se me të tjerët, me gjithatë … Nuk e lashë të mbaronte fjalën. -Kur më arrestove isha vetëm dyzetegjashtë vjeç dhe deri atëhere as nënë as atë nuk kishin vënë dorë mbi mua, kurse ti… I ktheva krahët me mendimin se s’do ta takoja kurrë më në jetë, por nuk qe e thënë. Kur kërkova një ditë në Tiranë të noterizoja një dokument për Ministrinë e Drejtësisë, ku kërkoja marrjen e pafajësisë sime, ai sa s’më doli përsëri përpara. Në një nga rrugët kryesore të Tiranës, pothuaj aty në zemër të saj, sipër një tip dyqani ishte shkruar me ngjyrë të kuqe “NOTER”. Për pak do të kisha hyrë aty, sikur të mos më shfaqej pas xhamash fytyra e tij tek po i vuloste një klienti një dokument… “Ah, thashë me vete, derisa në Shqipëri nuk u bë Nurembegu i komunizmit, njerëz, xhelatë si Xhaviti, do të kullosin përsëri…Ndoshta dhe “justifikohen” me atë, që “ne kemi bërë detyrën! S’kemi faj, fajet i kishte sistemi!…” x x x Ema herë pas herë ngrihet nga aty ku është ulur pranë kokës sime. E di, ka merak, që gjithçka në ceremoninë e përcjelljes sime të jetë në rregull. Ato lekë, që mora shpërblim si i dënuar nga diktatura, ajo do t’i shpenzojë për drekën e përmortshme dhe për varrin tim… Ema, Ema! Punova një jetë dhe kurrë s’e bëmë bashkë një pushim në verë, sepse meraku për punën nuk më la të shijoja jetën me ty dhe fëmijët e mi. Unë, për ty, siç e ke thënë kaq herë, kam qënë vëlla, shok, burrë dhe ati i denjë i fëmijëve të tu! Ti ishe vajzë e vetme dhe prindërit e tu kishin rritur një vajzë plot virtyte. Ata ikën njëri pas tjetrit, por ti ndiheshe e lumtur krah meje, por këtë lumturi na e prenë në mes, e dashur! Erdhën vitet e burgut… dhe ja pas dy vjet lirie unë po të le përsëri vetëm. Fëmijët do të kenë jetën e tyre. Enida do të mbarojë shkollën dhe do të martohet me Ervinin. Dy binjakët gjithashtu do të studiojnë, do të njohin vajzat e tyre dhe një ditë do të krijojnë dhe ata familjen e tyre, kurse ti Ema e dashur, që tani nuk je veçse pesëdhjetëvjeç, do të mbetesh në vetminë tënde…pa mua! Unë po iki në kulm të dashurisë për ty dhe për jetën, pesëdhjetë e katër vjeç! Ma shkurtuan jetën e dashur dhe ty t’i nxinë ditët! O nënë e shtrenjtë! Po ndahem dhe prej teje, o shenjtorja ime, që nuk u lodhe duke më ndjekur gjatë gjithë kalvarit tim, nga ty, që je e gjitha dashuri, një dashuri që nuk të braktis kurrë! E di, po të le zemërplasur, por ti duhet të jetosh për vëllanë, motrën, për fëmijët e mi, në sytë e të cilëve do të më gjesh gjithmonë mua, djalin tënd të madh, fëmijën tënd të parë, për të cilin asnjë çast nuk mendove keq, por përkundrazi ke qenë krenare për ç’ka unë isha. Tani u mbyll dhe arkëmorti im! Krahë të fuqishëm po më ngrehin. Mbi supe njerëzish, që nuk e dija se më donin kaq shumë, po kaloj gjithë bulevardin e vetëm të qytetit. Njerëz mos harroni, iu kam dashur shumë! Paqja dhe dashuria qoftë mes jush!
Trieste, maj 2008.
Please follow and like us: