Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë fshihet pas magjisë së kapeles? Ambra e kapeleve

 Ambra Hysa
“Every day, I like to make hats that make people dream”.
— Philip Treacy
Çdo ditë, dua të qëndis kapelet që i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë…
Kjo është pikërisht ndjesia që unë kam për kapelet. Asnjëherë nuk zbukuroj një kapele, nuk filloj të punoj për një rreth koke pa menduar për muzën që do ta mbajë atë mbi kokë. Aksesorët janë energji, gjithçka lidhet me mënyrën sesi ata na bëjnë të ndihemi.
Është një dozë dashurie që e marr çdo ditë. Sa herë shoh një kapele në vitrinat e qyteteve më të mëdha të botës, mendoj për atë që fshihet pas ngjyrës dhe dizenjos, është një proçes frymëzues, mistik, tërheqës, i paqtë, i errët… si mendimet e natës.
“Ambrascollection” është shtëpia ime e kapeleve, është ajo që unë kam krijuar me fantazi dhe dashuri, duke qëndruar pranë klienteve.
Sa më shumë njoh botën e tyre aq më shumë kuptoj sesi i ndizen ato yjet që unë më vonë do ia qendis kapeleve.
Iniciale, lule, xhins dhe gurë…
Rrathë apo kapele të thjeshta, të punuara handmade, kapelet ose beretat franceze janë të preferuarat e vajzave shqiptare.
Sepse vajzat tona nuk janë vetëm të bukura, janë vajza plot atmosferë, që luajnë me stile dhe role të ndryshme…dhe kapelja të ofron gjithmonë një “rol” të ri.
Mund të “fshihesh” nën strehen e saj duke u kthyer në një grua tmerrësisht tërheqëse.
Kur shoh një vajzë me kapele instiktivisht më vjen të mendoj që ajo është një vajzë që lexon libra dhe jeton disa jetë njëkohësisht nën lëkurën e saj.
Ajo çdo ditë është një personazh i veçantë, duke mos e humbur asnjëherë veten…Kjo e bën atë të paparashikueshme aq sa të pakopjueshme. Vajzat me kapele frymëzojnë, i kopjojnë dhe i ëndërrojnë. Por nëse ata të kopjojnë, ti ke fituar.
Në fund të ditës… në art, ne të gjithe jemi kopjacë të mëdhenj, është mënyra sesi interpretojmë ajo që bën diferencën.
A keni kaluar ndonjëherë pranë dikujt që ka aromë të mrekullueshme? Është njësoj si kur kaloni pranë një zonjushe që mban mbi kokë një kapele mbresëlënëse.
Kjo është magjia që i bën bashkë parfumet dhe kapelet, kanë energji mistike, janë fshehtësia e elegancës shpirtërore të një gruaje, janë ndjesi e parezistueshme, që i reziston kohës.
A mund të mbani mend mendimet dhe ndjenjat që ju zgjohen si rezultat?
Parfumet dhe kapelet janë shumë më tepër sesa thjesht një ndjesi, një aromë. Ata kanë fuqinë të ngjallin ndjenja dashurie, energjie, fuqie, lumturie, nderimi, sensualiteti dhe paqeje.
Mos e nënvlerësoni magjinë e tyre.
Please follow and like us: