Albspirit

Media/News/Publishing

Pse sot Amerika është më e polarizuar politikisht se kurrë?

Nga Brikena Bogdo

Lajme dhe individë, të ardhur nga Amerika shprehen për një polarizim të tejskajshëm të krahëve politikë në këtë vend demokratik. Ky polarizim ka kulmuar në një armiqesi, për të prekur ekstremin, sulmin e institucioneve pas zgjedhjeve presidenciale të para dy viteve. Ajo që po bërtitet fort, në Amerikë, sot, është vjedhja e votës, diskutim kurrë më parë kaq i egër. Ndryshimi i mënyrës së numërimit të votës prek drejtpëdrejt sistemin e fuqishëm amerikan, duke degjeneruar në një përplasje të tipit shqiptar, por kurrsesi amerikan.

Nëpër sondazhet e zgjedhjeve politike të mesmandatit, në 8 nëntor 2022, ndihej një ezaurim i thellë i presientit Biden, në opinionin amerikan, duke arritur në hamendësimin, se pritej një valë e lartë e kuqe, pra e republikanëve. Por nuk ndodhi ajo që pritej nëpër sondazhe. Partia Republikane i kaloi pritshmëritë vetëm në Florida, ku guvernatori Ron De Santis i mundi kundërshtarët bindshëm. Përse ky sukses vetëm në Florida? Çfarë ndodhi me Floridën dhe përse u dynd e kuqja megjithë pakënaqësinë publike, për rritjen e kriminalitetit rekord, rritja e taksave, rritja e cmimeve, indoktrinimi i sforcuar i fëmijëve në shkolla me teoritë transgjinore, politizimi i FBI-së dhe i Departamentit të Drejtësisë, shumë i diskutuar, si të shndëruara në agjenci të pushtetit demokrat? Si mund të shpjegohet një sukses, vetëm në Florida dhe vetëm në ditën e parë, jo të nersërmen? Florida nuk iu bind mënyrave të ndryshme të votimit,  të cilat janë sot më të kontestuara si shkaktare të vjedhjes së votës, në Amerikë.

Në Florida u votua me fletë votimi, personalisht, të cilat numërohen menjëherë, nëpër qendra, duke konfirmuar qartësisht identitetin e personit. Por, kjo procedurë elektorale nuk u zbatua kështu në shtete të tjera, ku dominoi vota me korespodencë, e vendosur në një periudhë emergjence, si ajo e Covid 19, por që shkaktoi aq shumë kontestime për abuzime që arritën, sipas kontestuesve, që të deformonin votën. Edhe në këtë raund elektoral ndodhi i njëjti fenomen.  Edhe një herë u verifikua një rritje misterioze e votave për demokratët, gjë që nuk ndodhi me republikanët. Kjo është një prishje e sistemit elektoral, të ruajtur me fanatizëm nga amerikanët, deri tani. Me probabilitet, kthesat në të kundërt ndodhin 50, me 50 përqind. Nëse me postë do rritej tek demokratët, në këtë progresion duhet të rritej edhe tek republikanët. Këto janë trendet natyrale. Por kur kostatohen shkapërcime drastike, absolutisht është ndërhyrë me forcë,  ose me mashtrim, kurrë natyralisht. Nëse hyjnë mekanizma të shtrembër, apo të sforcuar, këtu ndodhin prishje sistemesh, çka po cënon rëndë demokracinë, në Amerikë. Prandaj, opinini publik në Amerikë shprehet për ndodhi të paparë, kurrë më parë. “Në Amerikë po ndodhin fenomene dhe ngjarje, që nuk kanë ndodhur kurrë më parë, me ardhjen vë pushtet të Biden”, apo “Po nuk u hoq Biden do të ketë luftë civile, në Amerikë” – dëgjon të shprehen amerikanë në bisedat e tyre të zakonshme. Këto opinione po shpërndahen me shpejtësi, në çdo cep të botës.

Kështu ndodhi në Arizona, ku numërimi i votave u pezullua, një mori misterioze votash, mbërritën ditë mbrapa zgjedhjeve. Disa shtete në Amerikë e lejojnë numërimin ditë mbrapa, por jo arritjen e kutive me postë, ditë mbrapa. Prandaj sistemet e fuqishme, si të drejtësisë, ashtu edhe ato zgjedhore, zbatojën me përpikmëri afatin, si një element kyç për mbarëvajtjen e këtij sistemi zgjedhor. Kjo për shkak se, kundërshtari kur shikon trendin, në favor të palës tjetër, ndërhyn jashtë afatit, me një mekanizëm artificial dhe të pakontrolluar dhe përmbys situatën në favor të tij. Kjo është totalisht e palejueshme, në një sistem të konsoliduar, siç është Amerika.

Modifikimet e votës në vitin 2020, në periudhën e covid-it, u justifikuan në një pjesë të madhe të Amerikës, me përdorimin e përhapur të votës me postë, në një situatë ekstreme, rezervuar për njerëz, që nuk mund të paraqiteshin në kutinë e votimit. Situatat ekstreme gjenerojnë e prodhojnë situata të dyshimta. Problemi ka qenë shumë serioz, pasi sekretarët e shteteve u  dërgojnë votë me postë, miliona amerikanëve, ose iu besojnë sistemeve informatike të dyshimta, sidomos kur bëhet fjalë për të verifikuar identitetin, apo firmën e zgjedhësit. Kështu mundësia e mashtrimit, në shkallë të gjerë, ishte dhe mbetet e lartë. Duke mos u verifikuar dot firma dhe identiteti, si dhe rezidenca, askush nuk mund të ndalojë falsifikimin e mijra fletëve të votimitm për t’i plotësuar dhe për t’i dërguar me postë. Jo pak, por në 17 shtete në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u mundësua që fletët e votimit me postë, të eleminonin Trump dhe të përmbysej krejt situata, në favor të Biden.

Gazetari investigativ dhe regjisori Dinesh D’Souza, në dokumentarin e tij  “2000 Mules”, tregoi me dëshmi okulare dhe saktësi analitike, teknikën e famshme “geo tracking”, se si merrnin njerëz të caktuar, pako të tëra me fletë votimi, përmes postës, (që nuk kërkojnë që t’u korrespondojë firma, apo rezidenca), që jepeshin nga OJQ, apo organizma politike, “organizata të aktivistëve të komunitetit, të bërë të famshme nga Obama, dhe i shkarkonin këto fletë votimi, nëpër qendra votimi. Në këtë dokumentar shpaloset me fakte mashtrimi zgjedhor, duke përdorur si mjet politik, covid-in, për të ndryshur fatin e kombit amerikan. Në këtë dokumentar, është hedhur si akuzë, që për blerjen masive të votave u përdorën kontributet monetare të një grupi miliarderësh midis tyre Mark Zuckenberg, Soros, kompanitë e mëdha të teknologjisë, BIG TECH, duke ushtruar fuqi të papara për të ndryshuar krejt ekuilibrat politikë.

Pushtetet ekonomike kanë dalë gati hapur, në imponimin e interesave të tyre, duke prevaluar pushtetin politik, për ta ndryshuar votën popullore. Kompanitë e mëdha, Big Tech, luajnë me figurat politike dhe me jetën e tyre si p.sh. arritën të fshehin informacione të dëmshme për djalin e Joe Biden, Hunter për punët e tij në Ukrainë. Ishte denoncuar, që një pjesë e financimeve për Ukrainën, u përdoërn si kanal riciklimi, ose pastrimi parash, për të mbushur xhepat e demokratëve. Tashmë kanë dalë prova, që ky riciklim ndodhi për financimin e këtyre zgjedhjeve “Midterm”, në nëntor, duke përdorur criptovalutën FTX, të  shoqërisë me të njëjtën emër, me seli në Bahamas. Pronari, Sam Bakman, është një demokrat i deklaruar, që ka një vilë luksoze në Bahamas, ku ka ftuar shpesh demokratë si Toni Blair, apo Bill Clinton. Për zgjedhjet midterm ai hodhi 50 milion dollarë dhe deklaroi, që në vitin 2024 do të hidhte 500 milionë. Por çuditshëm, një javë pas zgjedhjeve të 8 nëntorit, kjo kompani falimenton për 48 orë. Në nëntor ishte kompania e dytë  më e fuqishme e kriptomonedhave, por në mënyrë të menjëhershme falimenton, duke tërhequr pas vetes edhe 100 kompani të tjera, të lidhura me të. Shumë e dyshimtë, duke ngjallur hijë të errëta, që pasi u përdor për interesa jo të pastra, çohet në faliment, për të humbur gjurmët. Çuditshëm, për 48 orë, klientët kanë tërhequr paratë e tyre nga kjo kompani.

Tashmë nuk flitet më për republikanë, kundër demokratëve. Amerikanët janë më të ndarë se kurrë, duke u bllokuar në çështje sociale, racore, gjinore, të etnisë, fesë dhe ekonomisë. Kjo do e polarizojë edhe më shumë Amerikën. Ky eksremitet palësh ka nismën me një shprehje të Hillary Clinton: “Republikanët janë të papranueshëm”, thënie që cënon konceptin e demokracisë, mendimin ndryshe. Amerika u zhvillua në rrugën e vështirë të demokracisë, pasi pranoi të kundërtin politik dhe i jepte dorën kujtdo që fitonte zgjedhjet. Mospranimi i kundërshtarit politik, është cënimi i themeleve të demokracisë, që mbësëhtetet në bashkëjetesën paqësore, të krahëve të kundërt.  “Papranueshmëria” e Hillary Clinton, ka gjeneruar urrejtje të së majtës, ndaj së djathtës. Kjo, në fund, do të çojë në trazira civile. Republikanët, nga ana tjetër flasin për dosje fallco ruse, mbi Trumpin, për një hetim të fallcifikuar, që do të çonte në një impichment dhe me akuza të fabrikuara për kryengritje rreth 6 janarit 2020. Sipas republikanëve, demokratët kanë rënë në rrethin e nëntë të ferrit dhe janë gati të shkatërrojnë kombin për të mos humbur pushtetin dhe kontrollin mbi popullsinë amerikne. Këto kundërakuza midis palësh, kjo urrejtje po kulmon në një egërsi, që trasmeton frikë për lufte civile shumë të shpejtë, aq më tepër që amerikanët janë masivisht të armatosur. Një gjë është e sigurt, që me këto rezultate të deritanishme ku demokratët kanë humbur dhomën e kongresit dhe pritet balotazhi për dhomën e senatit, nuk do të ketë më hetim për Trump, pasi demokratët nuk kanë më shumicën e nevojshme për të kërkuar hetime ndaj ish-presidentit.

Qëllimi nuk duket më fitore e një krahu politik, por përmbysje sistemesh, që mund të sjellë shpërbërje të SHBA-ve. Zëvëndësim me sisteme të tjera, ku mbizotëron konflikti, lufta, egërsia, mospranimi, mosdhënie duarsh kundërshtarit politik. Atëhere, kjo do i sjellë probleme serioze gjithë sistemit zgjedhor amerikan dhe atij të drejtësisë. Pse e them që po cënon dhe sistemin e drejtësisë, një nga shtyllat kryesore në Amerikë për fuqizimin e shtetit. Asnjë hetim nuk është ndërmarrë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Gjykatat nuk pranuan ansjë rast, nuk analizuan as provat, duke hedhur hije të forta dyshimi për çarjen e këtij sistemi zgjedhor, që ka mbajtur fort shtyllat e shtetit në Amerikë. Si ka mundësi? Si po preket kaq fort sistemi i drejtësisë? Kur kanë rënë perandoritë, në shekuj? Kur janë dominuiar nga individët, jo nga sistemet. Nëse dominon individi mbi sistemin, patjetër që do kalohet në manipulime, që do të gjenerojnë kontestime, më pas përplasje, deri në konfrontime fizike, për të humbur, në fund, të gjitha palët. Aq më tepër, kur lihet vendi mbi sisteme zgjedhore, me votues dhe individë të paqartë, të pakontrolluar, çdo gjë përmbyset. Rezultati i këtij konflikti, mes së majtës dhe të djathtës, do të jetë fundi i SHBAve. Abraham Lincolni deklaronte: ”Një komb i ndarë, nuk mund të rezistojë”. Prej këtej e tutje, asnjë palë nuk do të pranojë zgjedhjet në Amerikë, nëse në vitin 2024 do të vazhdohet me prishjen e sistemit, duke dominuar me vota të paqarta, të pa identifikuara, të pakontrolluara. E dimë, ku është Shqipëria, me polarizimin e palëe dhe vjedhjen e votave në zgjedhje.

Deri më tash më i sigurt po rezulton sistemi grek, i cili së pari i detyron të gjithë shtetasit që të votojnë, dhe mund të penalizohen nëse nuk e ushtropjnë këtë detyrim, së dyti duhet të shkojnë në qendrën e votimit, ku kanë janë të rregjistruar, duke u verifikuar lehtësisht rezidenca, voton personalisht, duke shmangur manuipulimin e votave të faksifikuara, firmave e vulave të falcifikuara, apo që të votojnë të vdekurit, si në Shqipëri.

Amerikanët janë armatosur pikërisht për dy arsye themelore, për të ruajtur pronën private dhe sistemin demokratik. Amerikanët shprehen, se ne jemi të armatosur, që nëse vjen një pushtet i keq, që na cënon, ne të jemi të armatosur. Askush nuk mund të dalë sot dhe ta mohoje, apo ta zhbëjë këtë koncept amerikan.

https://www.standard.al/2022/11/21/pse-sot-amerika-eshte-me-e-polarizuar-politikisht-se-kurre/?fbclid=IwAR2-VVDAeqTv01mcfvuVW0ksA2sYeFh2W0daK9Abhxer9Ja8MNJxMw0oW24

Please follow and like us: