Albspirit

Media/News/Publishing

Dea Toçi: Lunatik (2)

SHI…

Pikat e shiut ranë mbi xham

dhe Kadareja se ç’mu kujtua,

për dikë ai ndjente mall,

siç për ty më merr mua.

Të dy jetonin në të njëjtin qytet,

me njëri-tjetrin shiheshin rrallë.

Unë me ty shihem çdo ditë

dhe aq më shumë për ty ndiej mall.

Ai nga ëndrra desh të zgjohej,

se kishte rënë në gjumë keq,

unë lus ëndrrën të të sjellë prapë,

njëjtë si dje, njëjtë si pardje…

Tek ti më sjell çdo poezi,

ca pika shiu ranë mbi qelq…

Të njëjtin shi po ndjen dhe ti,

kë po mendon s’e di për dreq…

 

ÇIFTI IDEAL

Luaneshës ia mbron supet vetëm një luan

dhe ai prehjen e gjen vetëm në gjoksin e saj.

Asnjë maçok luaneshës forcën nuk ia mban,

qetësinë luanit asnjë mace nuk ia fal.

 

RREZIK

I pagabueshëm është vetëm ai që nuk guxon,

buza nuk të digjet nëse gjellën s’e provon.

Mundesh nga rreziku të rrish i paprekur,

por shijen s’e provon dot, buzët pa i djegur.

 

NJË HISTORI

Ndodhi gjëma diku në Librazhd,

nga Tirana pak kilometra, gati 68,

vjehrri me vjehrrën nusen kapin mat,

bashkë me dashnorin këmbët përpjetë.

Djali i shkretë në emigrim punëtor,

rropatej tu çonte bukën te shpia’

nuse e djalit s’e mbante me dorë,

tjetrin e mori të dilte nga vetmia.

Dashnorin e gjeti në rrjete sociale,

kur burrin s’e pati më në shtrat,

pa u takuar, veç njohje virtuale,

e thirri në shtëpi, e ftoi në mëkat.

E futi në shtëpinë ku burri e la,

për prindërit kujdes, as fjalë as shaka,

e futi në shtratin bashkëshortor,

nusja që s’ishte e prekur me dorë.

Ashtu si të shumtët, nga jugu në veri,

dikur u krenua djali i shtëpisë,

vajzën pa të kaluar e gjeti ai,

iu krenua prindërve, farefisnisë.

U gjeti vajzë të urtë e punëtore,

t’i lajë e t’i shplajë, ç’të kenë nevojë,

atje në kurbet jeton me dashnoren,

ndoshta e nxjerr dhe të prostituojë.

Por pak ka rëndësi djali a dashnorja,

rëndësi ka bota nuk tallet me ta,

se vajzë e ndershme u shërben në familje,

tek shtëpia sytë poshtë, për MashaAllah.

Ndodh gjëma diku atje në Librazhd,

krejt bota e pa, video lemeri,

nusja ka futur të huajin në shtrat,

vjehrra dhe vjehrri i kapin të dy.

I mjeri djalë kur lajmin merr vesh,

si do jetë ndjerë i shkreti vallë,

ç’do i ketë thënë dashnores tek shtrati,

nusen ma kapën mbi tjetrin lart?

Apo i biem në qafë kot,

ndodh s’ka dashnore është djalë punëtor,

që rjep lëkurën i djegur nga dielli

kur grurin e mbjell diku në tetor?

Askush nuk ka faj, as vjehrra as vjehrri,

mendoni, ua futi tjetrin në shtrat,

as nusja s’ka faj, iu dogj “i mjeri”,

se burri s’e prekte, aq kohë larg.

S’ka faj as ai që iku emigrimit,

se kërkonte një jetë dhe më të mirë,

e ndoshta familjen s’e merrte dot pranë,

sa të kishte dhe pak hapësirë.

Problemi është që plasa duke ua thënë,

martohuni vetëm me ata që dashuroni,

çdo lidhje tjetër për çdo arsyetim,

ti e blen topin, tjetri bën golin.

Martohuni vetëm kur shpirti t’ju thotë,

kjo është për mua-ky është i duhuri,

vetëm atëherë s’ka distancë në botë

t’ju çojë tek tradhëtia, as dhe tek druri.

 

NJË SKUADËR

Ata që ikin kur ju vini

dhe vijnë kur ju ikni,

derën mos ia hapni.

Lërini jashtë!

 

Në dashuri duhet të jesh një skuadër,

jo të luash lojën “E ka kush e ka”.

 

VETËVRASJA

Njëmijë vetë të ngrihen

shpinën të ta kthejnë,

dreq me bir të mblidhen

fatin të ta rrëmbejnë,

bota të rrotullohet

kundra të të dalin,

ti qëndro këtu,

shpirtin dot s’ta marrin.

 

Thyej krejt ç’të del përpara

edhe pasqyrën ku shikon veten,

mbi veten mbaj vetëm Zotin,

i lumi Ai ta fali jetën.

Prish çdo gjurmë që mban në tokë,

asgjë pa djegur mos harro,

zhduk të vogël e të madh,

por veten kurrë mos e lëndo.

Se shkon një natë e vjen një ditë

gjithçka nën tokë dheu e tretë,

vazhdon e keqja bën kërdinë,

në fund të tokës mbetesh vetë.

Se qan i madh e qan i vogël,

kush nga mërzia e kush për nam,

por vetëm tretesh në fund të tokës

dhe vjen një ditë askush më s’qan.

 

I PENDUARI

E dua,

njeriun që pas një faji është penduar

dhe pendimin thellë në shpirt e ndjen.

Do të jetë gjithmonë më i pastër

se ai që kurrë s’ka gabuar

dhe tundimi çdo çast e bren.

 

DASHURIA DHUROHET

Thonë se gjithçka lejohet në luftë dhe në dashuri,

por kurrë një dashuri me luftë nuk fitohet.

Dhe në paç me vete të plotë një artileri,

dashuria s’njeh forcën, dashuria dhurohet.

Në jetë të duhet për gjithçka të luftosh,

me gjak e me mund, me djersë e papushim,

veç dashurisë, kurrë s’duhet ta kërkosh,

njeriu që të do, të jepet pa çmim.

 

MOS E HUMB

Kur ta gjeni atë që doni,

mos e lëshoni për gjithë jetën.

Sa shpirtra kanë ngrirë

në përpjekje për të dashur atë që gjetën.

 

TASH’ E SA KOHË

Nuk ta them dot sa fort mungon,

gjithë fjalët e mundshme janë të kota.

Tash’ e sa kohë,

emri yt për mua është e gjithë bota.

Tash’ e sa kohë ritmi i jetës ndal,

e përhumbur kur nis dhe mendoj për ty

dhe nuk gjej dot më asnjë fjalë,

as ty nuk ta shpreh dot, për çudi.

Kur ndjenja shtohet dhe fjalët mbarojnë,

proporcion i zhdrejtë qenka kjo punë.

Dhe pse mungon çdo ditë e më shumë,

tash’ e sa kohë me veten flas unë.

 

PORTA JOTE

Njeriu ose e kupton që një dashuri ka në jetë

dhe gjithçka e bën në emër të saj,

ia fal dhe zhgënjimin, pritjen, dështimin ia fal,

ose kur bindet që nuk është për të tërhiqet

menjëherë,

pa bërë fajtor fatin, as veten, as tjetrin asnjëherë.

Mund të rrish jashtë vilave shumëkatëshe me luks

dhe çelsi yt nuk të jep asnjë shpresë,

sikundër mund të gjendesh në një garsoniere të

ngushtë,

ku futesh pa çels, ku futesh pa ftesë.

Po gjetët derën që është për çelsin tuaj

do hapet dhe nëse e kyçur është me dryn,

jashtë portës së tjetrit gjithmonë do zmbrapsesh

dhe hapur të jetë, kurrë dot nuk hyn.

 

NË DASHURI FITON AI QË IKËN

Në dashuri thonë fiton ai që ikën,

provojeni njëherë dhe do më kujtoni,

nëse dikush s’vlerësoi që i falët gjithë ditën,

gjysmën e saj të jepni provoni.

Do shihni sa bukur fillon t’ju vijë pas

në heshtje, ngadalë, ndryshon pa kuptuar,

njeriu kur dashurinë ia falët pamasë,

e hidhte në asgjë pa e vlerësuar.

Ju do më shumë kur sheh t’ju humbë,

atëherë kupton ç’ka patur në duar,

vetëm se kështu nuk di a dua unë,

t’më duash kur unë filloj mos të t’dua.

Një lojë e pashoq është dashuria,

kurrë nuk ecin të dy në një drejtim,

ndaj sot lind pyetja në mendimet e mia,

të jem ajo që ikën apo që rri?!

 

PLANI C

Ai që funksionon gjithmonë është plani C.

Dy të parët janë derivate të shëmtuara të njëri-

tjetrit.

 

QENIT

Sytë e tu janë më e pastra dashuri,

asgjë nuk kërkon kur pranë më vjen,

asgjë nuk të jap kur tek ti vij,

por ti, je më e pastra dashuri.

Në botën tënde sot më ler të hyj,

ta shoh dua veten si më shikon ti,

ndalon për pak jeta, ritmi i saj i ashpër,

pa ngjyra, fallsitete… Jemi bardh e zi.

Ti s’kërkon asgjë, unë nuk di ç’të jap…

Përkëdhelja ime duket kaq e varfër.

Sa në borxh të jam i bukuri qeni im,

ti po më fal dashurinë më të pastër.

 

PENG

Çdo njeri ka një dashuri të madhe në jetë,

të cilën asnjë problem nuk ka fuqinë t’i japë fund

dhe asnjë zgjidhje forcën t’i japë jetë.

Dashuria e madhe gjithmonë peng i fatit ngel…

 

MOTO

Kur nuk ke pulën

ha sallatë,

por mos prano një sorrë në pjatë.

 

SEZONI I BREKËVE

Erdhi qershori vera filloi,

nuk di në të qaj a të gëzoj,

do shoh pemët të nxjerrin fletët

apo vajzat tek fotografojnë brekët.

Ja njëra po del, u thye në mes,

një tjetër nga shtëpia tha mezi pres,

të shkoj në plazh foto të bëj,

erdhi dita rrjetin ta tërboj.

U mblodhën të gjitha me shoqe shumë,

festë me shisha, party me shkumë,

rrjetin e dogji filtri sa u ndez,

një vlerë çdo ditë nga pak po vdes.

Harroi njerëzia pse shkohet në det,

askush nuk bën not, veç foto me brekë.

Dhe unë sa herë hap të mjerin telefon,

lus qiellin dhe stinët, të mbarojë ky sezon.

 

E ARDHME E SIGURT

Tek e ardhmja jam plot siguri,

sepse kur kthej kokën nga e shkuara

shoh që gjërat tani të harruara,

dikush i shkruajti me mjeshtëri.

 

INSOMNIA

Si të ta them që ti po mungon

kur kokën çdo natë vë mbi jastek,

dhe pse në këtë dhomë nuk ishe kurrë,

ke lënë erën tënde kudo në çdo cep.

E vetmja që s’kam është gjithçka që dua,

bast mbi çdo gjë do vija sot,

që të mbështetesha në krahët e tua

dhe pa zë të ulërija “Faleminderit Zot”.

Please follow and like us: