Vlora Obertinca: ‘Fëmija’ brenda nesh
“Kur shërohet ndërdija, lumturohet vetëdija“, Vlora Obertinca.
“A e keni vërejtur se ka shumë njerëz që janë të suksesshëm në karrierë, por nga brenda ndihen të zbrazët apo edhe si një fëmijë i madh, i cili nuk ka arritur pjekurinë e moshës asnjëherë. Këta njerëz aspirojnë të jenë prindër të dashur, por shumë shpesh “e humbin“ këtë epitet, madje duke e lënduar emocionalisht veten dhe fëmijën. Këta njerëz kanë dëshirë për intimitet, por ndonjëherë pyesni veten nëse ia vlen të luftojnë, sepse intimiteti lidhet me mbajtje përgjegjësie dhe mund të sjellë komplikime, meqë mungon vetëbesimi i plotë. Zakonisht janë të harxhuar emocionalisht, sepse në ndërdije jetojnë ende në të kaluarën, ku kanë përjetuar thyerje të thella emocionale, bie fjala nga dështimet në dashuri dhe si pasojë e kësaj shfaqen ndjenja të vazhdueshme të paqarta ankthi ose depresioni.
Më tutje, mund të kenë përjetuar efektet e fshehura, por të dëmshme të një fëmijërie të dhimbshme – duke mbajtur brenda vetes një “fëmijë të brendshëm të lënduar” që thërret për vëmendje dhe shërim. Ky fëmijë i lënduar është ndërdija jonë, në të cilën përfundojnë 95 % të mendimeve tona brenda ditës, për të cilat as që jemi të vetëdijshëm.
Ekzistojnë teknika për ta shëruar ndërdijen apo fëmijën brenda nesh.
Libri më i mirë i të gjitha kohërave për shërimin e ndërdijes është libri më i shitur në “New York Times” që titullohet “Home coming” nga John Bradshaw, i cili tregon se si mund të mësojmë të ushqejmë atë fëmijë të brendshëm, në thelb duke i ofruar vetes prindërimin e mirë që kishim nevojë dhe dëshironim në fëmijërinë tonë të hershme.
Bradshaw thotë se “fëmija i brendshëm” i shëruar bëhet burim vitaliteti, duke na mundësuar të gjejmë gëzim dhe energji të re në të jetuarit.
Kjo terapi e shërimit të ndërdijes apo fëmijës së lënduar, ka gjetur një vlerësim të lartë dhe aplikativ nga neuro- shkenca moderne.
Secili nga ne, ka një fëmijë të lënduar brenda vetes, madje ky lëndim mund të ndodhë edhe në moshën e pjekur. Ndërdija, për secilin nga ne ka nevojë për shërim. Andaj, kujdesuni për veten tuaj, duke e bërë më të mirën që mundeni sepse jeta është e bukur kur shijohet në lumturi”.