Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Petrit Derraj dhe libri ‘’Mbresa nga jeta në Bashin malor’’

Autori Petrit Derraj del së fundi para publikut lexues me librin ‘’Mbresa nga jeta në Bashin malor’’. I angazhuar prej vitesh në fushën e krijimtarisë letrare, kryesisht në poezi, esse e publiçistikë, vepra përbën një ardhje të re cilësore në krijimtarinë e suksesshme të autorit. Libri është një monument letrar fund e krye optimist kushtuar jetës, historisë, folklorit dhe traditave labe, në fokusin e të cilit vihet vatra familjare, fisi dhe bota e vendlindjes, është jeta me gjithë vështirësitë e saj, me gëzimet, hidhërimet, me dallgë fatesh të pritura dhe të papritura, me përpjekjet dhe hap pas hapi me përballimin e tyre: mbijetesën.
Libri nis me një parathënie vlerësuese shkruar me klas profesional dhe dashamirësi nga Enver Memishaj. Nuk pretendoj të shprehem më saktë e më bukur, as të hyj dot në thellësinë hulumtuese të parathënies së E. Memishajt. Do shpreh thjesht e shkurt mendimet dhe emocionet që më ngjalli leximi i këtij libri, aq sa më lejon kjo hapësirë publiçitare.
Dhe do ta nis me respektin për autorin, mikun tim të mirë Petrit Derraj, këtë pinjoll të denjë të Derrajve, të atij fisi të dëgjuar bashiot, për të cilin kënga thotë: ‘’Për liri, nder e sinuar, e shkrepnin pa u menduar’’, ndërsa për miqësi: ‘’kërkonin ajkën e fisit / si gdhendësi palcën e lisit / Gjithë jetën të uruar / bukëdhënë e sofërshtruar’’.
Autori në këtë libër qëmton nëpër kohë çaste e periudha ku spikatin vlera të larta morale, zakone e tradita labe të ruajtura e të përcjella nga brezi në brez. Nëpër faqet e librit me plot ngjarje mbresëlënëse, të shprehura me gjuhë të pasur e narativë të rrjedhshme, me realizëm dhe frymë optimiste, lexuesi ecën hap pas hapi nëpër vite, ndien emocionet e fjalës artistike të autorit, mbushet me frymë jete, me bëma heronjsh e hapësirë malesh, me fyej barinjsh e aroma trëndeline.
Përgëzime autorit për këtë vepër dinjitoze dhe urime për vepra të reja!
Please follow and like us: