Petrit Ruka: Atdheu u shit…
Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…
U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.
Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin, miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.
Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjmë limonadë,
Të dyja palët numurojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet dhe ata… paratë.
Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.
Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë “…po ky si s’vuri pak mend,
poet i mirë, po mbeti idiot…”.