Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet PRISHTINA: Mitrovicë, jemi me ty!

Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile serbe se përse qeveria serbe nuk ka një strategji për parandalimin e shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po u përgjigjet me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngushtë me tema të brendshme, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse, deri më tani, Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi.

 

Në veriun e Kosovës aktualisht po luhet një dramë e rrezikshme me aktorë të importuar nga nëntoka serbe. Serbët e Kosovës janë vetëm statista në këtë teatër tragjikomik, ku Aleksandar Vuçiqi po mundohet të inskenojë edhe njëherë aftësinë e tij për të mashtruar të tjerët duke luajtur rolin e viktimës, madje duke dalur hapur me një shantazh se “ barrikadat nuk do të tërhiqen deri sa Kosova të pranojë krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Të gjithë e kanë kuptuar lojën e tij përpos disa burokratëve në Bruksel, të cilët ende besojnë në konstruktivitetin e Vuçiqit, ndonëse jo pak analistë dhe vëzhgues ndërkombëtarë tash më e kanë të qartë se kush qëndron prapa barrikadave në veri të Kosovës. Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer në një intervistë për mediat në Kosovë ka thënë, ndër të tjera, se kriminelët që kryejnë operacione në veri janë nën kontrollin e Beogradit. Në të njëtjtën linjë është edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, e cila duke folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ka deklaruar se Beogradi nuk është i interesuar për marrëdhënie normale me Kosovën, teksa theksoi se Rusia ka ndikim të madh në këtë çështje.

Kur jemi te Rusia tash më është e qartë se ndikimi i saj në prodhimin e krizave rajonale është evident. Të gjitha analizat ndërkombëtare shpiejnë në një konkludim se Putini ka nevojë për një vatër të re krize dikund në Ballkan. Arsyeja është e thjeshtë. Kremlini pretendon se një konflikt Serbi-Kosovë do të reduktonte mbështetjen ushtarke të NATO-s dhe SHBA-së për Ukrainën, dhe do ti jepte avantazh ushtrisë së Putinit.

Propaganda e Beogradit është munduar, por pa sukses, që situatën e fundit në verit të Kosovës ta paraqes si konflikt  në mes të serbëve lokalë dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo tezë tinzare dhe falce serbe ushqehet me iluzionin se fuqia e presionit do ta detyrojë udhëheqjen politike të Kosovës në Prishtinë që të gjunjëzohet para kërkesave serbe për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe. Por ishte ish-emisari gjerman në bisedimet Kosovë-Serbi, Wofgang Ischinger ai i cili në një postim në Twitter, ndër të tjera, ka shtruar pyetjen nëse Serbia është e vetëdijshme që nxitja e dhunës në Kosovë do ta bënte të pamundur vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE. Rrjedhimisht, kjo deklaratë e diplomtatit gjerman na bën të kuptojmë se kurrfarë presioni nga ana e Beogradit nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të hartojë politika që dalin jashtë kornizës së saj kushtetuese.

Viteve të fundit rajone të caktuara të Ballkanit po zbrazen si pasojë e shpopullimit masiv, sidomos të të rinjëve që po mësyejnë Perëndimin për një jetë më të mirë. Mediat serbe për çdo ditë raportojnë për zbrazjen e fshatrave të tëra në thellësi të Serbisë, ku vetëm disa pleqë kanë mbetur t’i fikin dritat nëpër shtëpitë e vetmuara dhe të braktisura. Beogradi nuk ka një strategji parandaluese ndaj procesit të shpopullimit, por ka zell të tepruar të merret me Kosovën, duke i keqpërdorur serbët lokalë për nevoja të konsumit të brendshëm politik.

Pyetjeve të vështira të opozitës dhe shoqërisë civile serbe se përse qeveria serbe nuk ka një strategji për parandalimin e shpopullimit të hapësirave të tëra në Serbi, Vuçiqi po u përgjigjet me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës. Sa herë që Vuçiqi zihet ngushtë me tema të brendshme, ai hap një front të ri në Kosovë, sepse, deri më tani, Kosova i ka shërbyer atij si gomë shëptimi.

Dhe në shtypin e Beogradit ka me dhjetëra kolumna e analiza të autorëve të ndryshëm të cilët tashmë e kanë kuptuar se Vuçiqi është i paaftë të notojë në ujërat e rrëmbyeshëm të politikës së brendshme, prandaj ai merret me serbët e painformuar, duke ua imponuar atyre temën e Kosovës si adrenalinë nacionaliste.

Fatkeqësisht në grupin e të painformuarve po del të jenë edhe disa diplomatë perendimorë, të cilët si duket ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi po abuzon edhe me durimin e tyre.

Megjithat, ata që do të duhej ta kuptojnë më së miri Vuçiqin dhe qëllimet e tij tinzare, janë politikanët tanë në Prishtinë, të cilët veprimet e tyre politike e shtetërore është mirë t’i koordinojnë me miqtë tanë perendimorë, sidomos me NATO-n dhe SHBA, sepse vetëm në këtë mënyrë mbrohet pacenueshmëria e sovranitetit të Kosovës. Përvoja ka dëshmuar se kur këto veprime janë të koordinuara, Serbisë i ngushtohet hapësira manovruese, kurse shqiptarët shumicë kanë arsye më tepër të brohorasin: “Mitrovicë, jemi me ty!”

Please follow and like us: