Albspirit

Media/News/Publishing

Ilia Lëngu: Homazh për poetin, Demir Gjergji!

Në takimin përkujtimor për ndarjen nga jeta një vit më parë të poetit Demir Gjergji nuk më erdhi radha të flisja, ndaj vendosa të them dy fjalë për të në FB. Në takim folën poetë e studiues të letërsisë, duke vënë në dukje vlerat e spikatura dhe mjeshtërinë artistike të këtij shkrimtari që meriton shumë më tepër vëmendje dhe vlerësim.

Demir Gjergji ishte jo vetëm poet i lindur, por dhe me një formim filologjik e kulturor të admirueshëm, falë të cilit ai zotëronte veçoritë e ligjërimit poetik, duke përdorur me mjeshtëri të lartë tërë potencialin shprehës të gjuhës shqipe.

Poeti Demir Gjergji nuk ngutej për të botuar. Ai ishte sa modest aq dhe tejet kërkues ndaj vetes. Ai e përpunonte dhe e hijeshonte vargun e tij poetik për ta bërë atë sa më shprehës, por edhe sa më tê goditur përsa i përket ritmit të brendshëm dhe tingëllimit të harmonishëm. Po jap vetëm dy vargje mbresëlënës për ilustrim nga poezia e tij “Jetëvdekja”: “Djali shtrirë si lis i prerë/Mbi të nëna, – hënë e zezë”, ku imazhi poetik të trondit me forcën e tij shprehëse.

Sidoqoftë, atij i këndonte fjala në shpirt para se ta hidhte në letër. Poeti i mirëfilltë i merr kudo ku shkon fjalët e tija deri sa ato, një ditë të bukur, e marrin përdore me vete dhe ai, siç thotë Aragoni, ndjek rrugën e zogjve…

Para disa vitesh, kam pasur nderin të jem redaktori i vëllimit të tij poetik “Shkrepëtimë e tjetër moti”, i cili nderon jo vetëm poetin, por dhe poezinë e sotme shqipe. Jemi takuar disa herë dhe çdo takim ishte një bashkëbisedim poetik mbresëlënës. Në njërin prej takimeve, folëm për René Char-in. Dy vargjet e para të poezisë “Poeti”[Dans les nacelles de l’enclûme/Vit le Poète solitaire] i përkthyem “për qejfin tonë”, “Në flatrat e Fjalës / Jeton i vetmuar Poeti”.

Aty e përfytyroj prej një viti poetin dhe mikun tim të ndjerë, Demir Gjergji.

Please follow and like us: