70 vjet më parë… PROKOFIEV VS STALIN
Saimir Z. Kadiu
Sergei Sergeyevich Prokofiev, kompozitori i famshëm rus, autori i shumë kryeveprave të muzikës klasike (përfshirë “Simfoninë e shtatë” dhe muzikën e baletit “Romeo dhe Zhulieta”) vdiq 70 vjet më parë, më 5 mars 1953, në të njëjtin ditë me Stalinin (50 minuta përpara tij).
Ai jetonte shumë afër Sheshit të Kuq dhe për tre ditë me radhë turmat e mbledhura për nderimet për diktatorin e kuq e bënin të pamundur shërbimin e funeralit në ndërtesën e Bashkimit të Kompozitorëve Sovjetikë.
Arkivoli i tij për në banesën e fundit në Novodevichy të Moskës, lëvizi në kah të kundërt me lëvizjen e turmave që bënin homazhe për Stalinin.
Vetëm 40 veta morën pjesë në varrim ku rusi Shostakoviç dhe armeni Khachaturian ishin më të shquarit…
Nuk kishte kurora në funeralin e tij… të gjitha shkonin për Stalinin. Por fqinjët e tij hoqën vazot me lule nga shtëpitë e tyre dhe zëvendësuan kurorat e munguara.
Asnjë nga kompozimet e tij nuk u luajt në funeralin e tij. Të gjithë muzikantët ishin angazhuar në ceremoninë e Stalinit. Thuhet që në heshtje ata luajtën muzikën e Prokofiev për të nderuar gjeniun e tyre të muzikës.
Lënia mënjanë e ceremonive dhe mungesa e figurave më të mëdha të artit dhe muzikës sovjetikë ne varrimin e Prokofiev bënë që ai të konsiderohet edhe si “viktima” e fundit e gjeorgjianit…
Është një koicidencë që lidh kompozitorin e madh me Stalinin përveç ditës së vdekjes…
Më 21 dhjetor 1941, në ditën e lindjes së Stalinit, Orkestra Simfonike e BBC nën drejtimin e Sir Adrian Boult dha një koncert për të nderuar Stalinin në ditën e lindjes, ndërsa ky i fundit ishte strukur në Moskë nga përparimet gjermane në territorin e Bashkimit Sovjetik (BS). Orkestra luajti vetëm muzikë nga Prokofiev…
Lina, gruaja spanjolle e Prokofiev, u arrestua në vitin 1948 nga policia sekrete e Stalinit dhe vuajti 8 vite në Gulagët e BS. Ajo nuk ishte e pranishme në varrimin e të shoqit dhe e mori vesh pas disa ditësh. Në fillim nga radiot në kamp dhe më pas nga një letër e të birit që i shkruante “Çfarë koncidencë e tmerrshme… babai vdiq në të njëjtën ditë me Stalinin”.
Prokofiev konsiderohet kompozitori më popullor i shekullit XX.