Manjani sulmon Xhafën: Bëri një shpifje të rëndë!
I akuzuar nga Fatmir Xhafa për bllokimin e reformës në drejtësi, Ylli Manjani tha se kjo ishte një shpifje e rëndë nga ana e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Manjani shpërndau për gazetarët emailin që i dërgoi Fatmir Xhafës natën e kaluar, ku i kërkonte një takim tjetër me negociatorët për të biseduar edhe njëherë për draftin e propozuar nga eksperti i OPDAT. “Nuk kam thënë as po, as jo” u shpreh Ylli Manjani duke deklaruar se e gjitha ishte një shpifje e Fatmir Xhafës, një alibi e tij për faktin se nuk ka kryer detyrat e tij Kushtetuese.
“Unë nuk e di se për çfarë rishikimi të tekstit ju keni rënë dakort. Ka shumë ndryshime nga ajo që kemi rënë dakort, ditën e hënë. Kërkesa ime për mbledhjen e negociatorëve është injoruar. Kështu që unë nuk mund të shprehem as jam dakort, as nuk jam dakort me email. Unë jam Ministër i Drejtësisë, nuk mund të keqpërdoren fjalët e mia, Fatmir Xhafa të tërheqë atë që tha. Emaili im është ky. Nuk thashë që jam kundër. Nuk jam as pro, as kundër”, tha Manjani për gazetarët.