Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme tremuajshe për t’u mundësuar autoriteteve që të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të frytshme ndaj përgjegjësve për përpjekjen e grushtit ushtarak të shtetit.
Erdogan, i cili ka nisur spastrimet masive në institucionet shtetërore që nga përpjekja për grusht shteti më 15 korrik, tha se vendimi është në përputhje të plotë me kushtetutën e Turqisë dhe nuk dëmton sundimin e ligjit apo liritë themelore të qytetarëve turq.
Gjendja e jashtëzakonshme, e cila hyn në fuqi pas botimit në Gazetën Zyrtare të Turqisë, do të lejojë presidentin dhe kabinetin qeveritar të anashkalojnë parlamentin në miratimin e ligjeve të reja dhe të kufizojnë ose pezullojnë të drejtat dhe liritë nëse shihet e nevojshme.
Erdogan e shpalli vendimin në një paraqitje televizive pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.