Albspirit

Media/News/Publishing

Zyrtarja turke: Do të vazhdojmë të punojmë me SHBA

Shefja për marrëdhëniet e jashtme të në Presidencën e Turqisë, Ayse Sozen Usluer, tha se marrëdhëniet turko-amerikane nuk do të ndikohen ndjeshëm nga grushti i dështuar i shtetit dhe se Turqia do të mbajë një qëndrim diplomatik me përfitim për të dyja vendet.

Zonja Usluer zhvilloi të enjten një intervistë me Zërin e Amerikës për të diskutuar mbi strategjinë e Turqisë pas grushtit të dështuar të 15 korrikut.

Marrëdhëniet SHBA-Turqi mbeten të tensionuara, pas grushtit të shtetit. Disa anëtarë të partisë në pushtet AK kanë bërë akuza me deklarata dhe nëpërmjet mediave sociale, në lidhje me përfshirjen e Uashingtonit në përpjekjen për grusht shteti në Turqi.

Usluer e distancoi presidencën turke nga akuzat e tilla.

“Nuk ka asnjë pikëpamje zyrtare se prapa grushtit të shtetit qëndrojnë fuqi të huaja,” tha zonja Usluer. Ajo tha se akuzat ishin në përgjigje të komenteve të bëra nga disa ligjvënës amerikanë. “Dy senatorë të SHBA komentuan në Twitter, duke thënë se lajmi i mirë i ditës ishte se ushtria u përpoq për të larguar diktatorin turk. Mesazhe të tilla, nuk e ndihmojnë popullin turk. Ne kemi humbur qindra jetë dhe presim solidaritet nga miqtë tanë,” tha Usluer.

Por ajo këmbënguli se Ankaraja do të vazhdojë të punojë me Uashingtonin. “Kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet amerikano-turke. Unë mendoj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë, sidomos në luftën tonë kundër Daesh,” tha ajo, duke iu referuar emrit ISIS-it.

Analistët kanë shprehur hamendje se kriza në Turqi kërcënon të dëmtojë marrëdhëniet SHBA-Turqi, ndërkohë që Presidenti turk Erdogan e lidh SHBA me çështjen e ekstradimit të armikut të tij të vjetër, Fethullah Gulen, predikues islamik që jeton në Pensilvani.

Please follow and like us: