Frank Shkreli – Kryengritja anti-osmane e Malësisë së Madhe
Sipas lajmeve të fundit, mësohet se Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj po viziton Malësinë e Madhe këto ditë për të lartësuar, me praninë e tij si figura përbashkuese e Kombit, kujtimin e – Kryengritjes së Malësisë së Madhe; kësaj ngjarjeje të madhe historike, që sipas historianëve, për nga rëndësia historike, ka ndryshuar përgjithmonë historinë dhe ka shënuar për shekuj me germa ari, kujtimin e këtyre burrave dhe burrneshave malësore, që me trimërinë dhe guximin e tyre, pas pesë shekujsh robërie otomane, shpalosën Flamurin e Gjergj Kastriotit- Skenderbeu, në trojet shqiptare.
Në Malësi shënohet përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, (6 prill, 1911), ose Kryengritjes së Ded Gjo Lulit, siç njihet ndryshe. Kjo kryengritje e malësorëve kundër Perandorisë Osmane, përveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombëtar në tokën shqiptare, prej kohës së Gjergj Kastriotit. Sipas historianëve, ka një rëndësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare. Sipas tyre, veprimtaritë kryengritëse dhe luftërat e malësorëve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Malësi dhe në trojet shqiptare. Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malësisë së Madhe, Ded Gjon Luli dallohet nga lëvizje të tjera të shqiptarëve për liri, pikërisht, nga jehona e madhe që bëri lufta e malësorëve në ato vite, anë e mbanë Evropës. Ndërsa, kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan edhe shumë përfaqësues patriotë nga krahina të tjera të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare.
Është meritë e kryengritjes së Malesise së Madhe fakti se kjo lëvizje nuk ishte e lokalizuar, por kishte qellime mbarëkombetare, gjë që gjeti ndihmen dhe përkrahjen edhe të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të Malësorëve për liri e pavarësi, shkuan në Podgoricë, ku përpiluan Memorandumin për t’ua dërguar fuqive të mëdha të asaj kohe, përfshir Perandorinë osmane, e që përmbante, ndër te tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri, me administratë, gjuhë e buxhet të vetin. Por, edhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar. Memorandumi në fjalë, në të vertetë, ishte një pasqyrim, jo vetëm i kërkesave të Malësorve, por edhe i të gjithë shqiptarëve. Nënshkrimi i përfaqësuesve të malësorëve të kërkesave të shpallura e në Memorandum i bënë kryengritësit Malësorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqsues edhe të kërkesave, por edhe të aspiratave të mbarë Kombit shqiptar për liri e pavarësi, pas pesë shekuj robëri. Lufta për liri e Malësorëve, në fillim të shekullit të kaluar dhe ngritja e flamurit të Skënderbeut në Deçiq që pasoi, ishte simbol i vëllazërimit të kombit shqiptar rreth një Flamuri të vetëm dhe tregoi se Shqiptarët kishin një Atdhe të vetëm e të përbashkët, që dëshironte liri dhe dritë, për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane. Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve në Malësinë e Madhe, gazetat anë mbanë Evropës, ndoshta për herë të parë, shkruanin për Shqipërinë si një entitet, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por flisnin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit robërues turk. Për më tepër, Kryengritja e Malësorve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera anti-osmane në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke çuar, më në fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, 1912. Kjo, falë sakrificave dhe derdhjes së gjakut të dëshmorëve si Ded Gjo Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqën për idealin e shenjtë të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.
Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë por edhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të atyre trojeve, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore, patriotike e pse jo edhe ushtarake e një populli që do t’i thonte lamtumirë së keqes 5-shekullore otomane, një herë e përgjithmonë.
Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me Flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte shqiptarëve dhe botës mbarë, porosinë e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, se këto troje kanë identitet kombëtar: shqiptarë dje, shqiptarë sot, shqiptarë përgjithmonë!
Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin historik të Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që më në fund e çuan atë dhe malësorët e tij drejt Bratilës së Deçiqit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi, eventualisht dhe për fat të keq, drejt një vdekjeje prej martiri që pushtuesit e trojeve shqiptare ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë një gremine tjetër.
Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 mars të vitit 1911, e që kulmoi me ngritjen e Falmurit shqiptar me 6 prill, 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua, kryengritje pas kryengritjeje, deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli!
Një meritë tjetër e këtyre burrave në krye me Ded Gjon Lulin, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota perëndimore, e lakmuar dhe e pushtuar nga armiqtë shekullorë të tij. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët; lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.
Memorandumi dhe kryengritja e malësorëve, mund të konsiderohet edhe fillimi si fillimi i përpjekjeje, që sot do ta quanim, “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, që pasqyronte dëshirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, për bashkim, për liri e pavarësi, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot, se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në botën aktuale shqiptare të korrupcionit e konflikteve politike, koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumë llojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë së vepruari kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare dhe jo për interesa personale as partiake. Kryengritja e malësorëve nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje, për mbijetesën e identitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësinë dhe lirinë e kombit shqiptar. Si e tillë, kryengritja e Malësisë së Madhe që shënohohet sot kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë-kombëtar për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave, vetive e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: dashuria për Atdheun, nderi, besa dhe burrëria shqiptare!
Me shpresë për ditë më të mira e të bukura për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët: Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar!