Albspirit

Media/News/Publishing

Todo Bojdani, një muze në dokumente dhe fotografi

 

(Rreth librit”Todo Bojdani – Dokumente, kujtime, përjetime)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

U formua në ambientin patriotik shqiptar

Todo Bojdani ishte një atdhetar dhe trim, i frymëzuar nga idealet fisnike, ju përkushtua luftës për çlirim duke u radhitur partizan dhe specialist i shërbimit të ndërlidhjes në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Të nisur nga këto ideale, na vjen në kohë monografia e përgatitur nga Albert Z. Zholi dhe Sulejman Basha (Omerbashi), ku e kanë përshkruar mjaft dinjitoze jetën dhe veprën e Tij, duke shfrytëzuar mjaft dokumenta, fotografi, fakte të thjeshta dhe mendim teorik dhe praktik. Për jetën dhe veprën e Todo Bojanit, autorët kanë arritur të përgatisin një libër me vlera historike, që përmes historisë së tij dhe të veprimtarisë si partizan, ushtarak dhe civil të hidhet dritë mbi të vërtetat e luftës, aksionet dhe përpjekjet e shërbimit të ndërlidhjes dhe të radios për drejtimin e formacioneve partizane dhe arritjen e fitores përfundimtare, çlirimin e vendit.

Shkrime të tilla për personalitete atdhetare është nder, por dhe përgjegjësi, siç është dhe figura e partizanit dhe specialistit të radios dhe ndërlidhjes Todo Bojdani. Ai ishte patriot dhe antifashist, ka luftuar, punuar dhe kontribuar në kohë historike për ngritjen dhe lartësimin e ushtrisë partizane shqiptare. Ka qenë koha dhe momenti historik, që prunë në skenë lëvizjen dhe Luftën legjendare Antifashiste, e cila afirmoi dhe nxori në dukje mjaft patriotë e luftëtarë, midis të cilëve edhe Todo Bojdani. Sigurisht, Todo ishte formuar me ndjenja patriotike që në rininë e tij, në ambientin patriotik shqiptar, në Rumani dhe Drenicë, fshati i lindjes, në gjirin e familjes patriote Bojdani. Ai u edukua me frymën atdhetare, që e përcollën në shekuj burrat, grat dhe luftëtarët e hershëm të fshatit, të krahinës dhe të Korçës.

Nga studimi i historisë së veprimtarisë antifashiste dhe të kontributit atdhetar të Todos, të këtij luftëtari, ndjejmë krenari për këtë figurë patriotike që gjithë jetën qëndroi ushtar i atdheut. Ai vjen nga fisi i njohur Bojdanëve të Drenovës së Korçës, një fshat-qytet i Shqipërisë jug-lindore, të njohur për histori dhe tradita luftarake e kulturore, me kapedanë e luftëtarë të shquar, burra të mençur e të zotë dhe gra të emencipuara të gjendura në krah të burrave, njerëz këmbëngulës e kurajozë, me një botë të gjerë shpirtërore, me zakone e tradita të spikatura.

Figurë patriotike shfaqet Petrina, nëna e Todos, e bija e Papa Teodor Koço Ikonomit, priftit të mirënjohur të kohës të Boboshticës në vitet 1900. Kjo familje atdhetare kishte nip shkrimtarin Viktor Eftimiu. Petrina kishte kulturë, ajo kishte jetuar dhe studiuar në Rumani. Burri i vdiq shpejt, por ajo në jetë u tregua grua e fortë dhe luftarake, diti të mbajë familjen në ekonomi dhe bashkë me djemtë: Dhimitër, Zisi, Todo dhe Ilo, ju përkushtuan luftës për çlirimin e vendit. Shtëpia e tyre në Boboshticë u bë që nga fillimi i lëvizjes një nga bazat kryesore të luftës në rrethin e Korçës.

Me kontribute të vlerësuar në qarkun e Korçës

Todo vinte nga familje me tradita dhe të pasura. Fisnikëria e këtij fisi doli jashtë hapësirave të Drenovës dhe u shqua e dha kontribut të dukshëm gjatë LANÇ-it, ku të katër vëllezërit Bojdani bashkë me nënë Petrina e kthyen shtëpinë në bazë të fuqishme të luftës. Nga kjo familje doli Todo Bojdani, që u bë i njohur në hapësirën shqiptare, në fushën e ndërlidhejs dhe të radios, të përgatitjes së kursantëve luftëtar për ndërlidhjen telefonike dhe radio. Todo luftëtar dhe ushtarak i përgatitur, duke përligjur virtytet morale, i ka ngjitur shkallët e vlerësimeve në kohë, si dhe është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhëra e medalje të ndryshme. Shkolla e mesme që Todo mbaroi në Tiranë në Institutin Teknik, shërbimin ushtarak në Shkollën e Plotësimit për Oficerë, kurset përgatitore për ndërlidhje e radioteknikë në Jugosllavi, për specializim në BS, kalitën disiplinën ushtarake, karakterin burrëror dhe moralin e lartë atdhetar.

Todo, në fillimet e Lëvizjes, luftoi si pjesëmarrës aktiv, nga anëtar i Grupit Komunist të Korçës në vitin 1936, në anëtar të PKSH që në themelim, u bë zëri i luftës partizane, por dhe një ndër veprimtarët kryesor të aksioneve duke i dhënë nder dhe shkëlqim luftëtarit të ri që po formohej dhe kalitet në aksione të guximshme. Ai zë një vend nderi dhe të merituar për organizimin e mjaft aksioneve, duke luftuan dhe rrezikuan jetën, në realizimin e idelave për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe ndërtimin e një shoqërie të re demokratike. Në vitet 1941-1943 gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) për çlirimin e Shqipërisë, Todo dha një kontribut të vlerësuar në qarkun e Korçës për organizimin dhe ngritjen e ndërlidhjes dhe të radiostacionit në bazat partizane, në punën plot pasion për organizimin e radiondërlidhjes, ku me të drejtë mbajti pseudonimin “shigjeta”.

Todo Bojdani ka kryer një aktivitet të dukshëm në vendosjen e radiondërlidhjes në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për këtë flasin arkivat nëpërmjet dokumentave dhe fotove, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë e antifashistit Todo, i cili ka qenë dhe një nga veprimtarët e palodhur në realizimin e ndërlidhjes me radio edhe në formacioneve partizane. Libri i përgatitur e tregon mjaft rrjedhshëm veprimtarinë e këtij antifashisti, ndaj dhe monografia e përgatitur për të, tregon një jetë plot përkushtim ndaj Atdheut. Luftimet dhe betejat e zhvilluara gjatë LANÇ-it, e bënë Todon dëshmitar dhe protagonist aktiv në shumë ngjarje e zhvillime kryesore të saj. Kudo Todo, gjendej aty ku ishte Shtabi i Përgjithshëm, ku kryhej aksioni për marrjen e Radio-Korçës, nga Orman-Çifligu, në Bakull, në Panarit, në Helmës, në Kongresin e Përmetit, në Odriçan, në Tiranë për vendosjen e radiondërlidhjes me formacionet partizane, me qarqet e vendit dhe me fqinjët.

Punoi me shpirt për organizimin e Radio-Tiranës dhe të sektorit teknik

Mbas çlirimit, në kushtet e një ekonomie të vështirë të dalë nga lufta, luftëtarët iu përveshën punës për të ndërtuar, organizuar e ngritur stacionin teknik të Radio-Tiranës dhe të Centralit SITA, duke dhënë maksimumin e njohurive të tij. Në vitin 1945, Todo punoi për caktimin e brezit të frekuencave të Shqipërisë, për transformime rrënjësore të radiostacioneve, në hapjen e kurseve për radioteknikë, duke qenë përgjegjës teknik i Radio-Tiranës, mbajti mbi supe mjaft detyra të kohës në këtë institucion kryesor, për mbajtje në gjendje pune dhe të mos kishte ndërprerje në transmentimet, në kushtet kur apararturat ishin të amortizuara.

Në vitin 1953 Todo Bojdani ka shërbyer si ushtarak karriere i ushtrisë shqiptare, në repartin e specializuar për tekinkën e radios në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke punuar e luftuar dhe i përkushtuar për profesionin e radioteknikën e shkencës ushtarake shqiptare. Karriera ushtarake filloi në vitin 1961, kur gradohet Major dhe kryen detyrën e shefit të Laboratorit Qendror të Ndërlidhjes.

Jeta dhe vepra e Todos është e lidhur në mënyrë të pazgjidhur me historinë e Radio-Tiranës dhe me historinë e Ndërlidjes Ushtarake shqiptare. Të gjitha vështirësitë në jetë e në punë ai i kapërceu në heshtje, me durim, me konsultim, me qëndresë, pa u tërhequr prej tyre, pa kryer detyrën e dhënë. Todi në jetë u bë instruktor, mësues dhe edukues për radioteknikën shqiptare, duke dhënë përvojë dhe kualitet, ai përçoi me pasion, efektshmëri e dashuri artin e radios në breza. Kështu kaloi mjaft vite të jetës së tij ushtarake i lidhur me Laboratorin Qendror të Radio-Teknikës dhe të shërbimin e ndërlidhjes.

Nëpërmjet dokumentacionit shohim figurën e partizanit Todo

Në jetë ai u paraqit si një figurë patriotike, njeri me vizion dhe i përkushtuar ndaj punës dhe zanatit, por edhe i heshtur e me kulturë të gjerë, intelektual me vlera që nuk foli për vete, por vetëm për punën dhe shokët. Rrugën për tek merita, gjithmonë i linte hapësirë në mënyrë të natyrshme, punës dhe pasionit. Në jetën partizane, por dhe pas çlirimit, kudo në shoqëri, në punë dhe në familje, vendosi ndërgjegjen e pastër, përkushtimin ndaj zanatit, si vlera, por dhe ndjenjën e respektit për të, pa pritur për përfitim. Nderimi dhe admirimi për kontributin e tij në jetë ka ardhur në mënyrë të natyrshme. Todo në jetën e tij ka shkruajtur për ndërlidhjen në luftë, për përkushtimin e tij dhe të shokëve në realizimin e këtij shërbimi të domosdosshëm, ka shkruar për luftëtarët të cilët ranë dhe dëshmorë, për shokët e tij të shumët që bënë të mundur realizimin e komunikimit nga partizani i thjeshtë tek Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë partizane, Enver Hoxha. Ata lanë dokumenta të cilat na flasin sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, nëpërmjet shkrimeve të thjeshta, detyrave, porosive dhe urdhërave të dhënë nga komanda partizane për shërbimin e ndërlidhejs. Nëpërmjet këtyre dokumentave ne shikojmë shqetësimin, seriozitetin dhe aksionin e tyre, evidentojmë rolin e Todos, në kontributin e dhënë në realizimin e shërbimit të ndërlidhjes. Dokumentacioni në arkiva, na paraqet jetën dhe veprimtarinë e bërë në luftë, ku vend zënë tiparet kryesore si zgjuarsia, guximi dhe trimëria në realizimin e aksioneve, në ngritjen e shërbimit të ndërlidhejs në kushte mjaft të vështira, të terrenit, të motit dhe të luftimeve të vazhdueshme të pushtuesit. Nëpërmjet këtij dokumentacioni shohim figurën e partizanit Todo, i cili shfaqet si ideuse, realizues dhe praktikues në mjaft procese të shërbimit të ndërlidhjes, deri në rolin e pedagogut në ngritjen e kurseve të vijueshme në përgatitjen e specialistëve për këtë shërbim.

Duke qenë punonjës i Radio-Tiranës, të institucionit të rëndësishën në vitet para luftës, por dhe gjatë luftës deri në vitin 1942, që ishte në detyrën e sheft të teknikës në Radio-Korçës, ishte vënë në krye të punëve për të ndihmuar lëvizjen antifashiste. Ishte mendimi i Todos që më 9 shtator 1943, i propozon komandës partizane aksionin për marrjen e radiostacionit të Radio-Korçës. Kështu më 10 shtator 1943 Todo drejton dhe realizon me sukses aksionin e rrëmbimit të radiostacionit për të mos rënë në dorën e pushtuesit nazist. Për këtë aksion që bëri jehonë në Korçë dhe në Shqipëri, Todi do të ndiqej nga komanda gjermane gjatë gjithë kohës të pushtimit të saj në vend. Pas këtij aksioni të bujshëm, si komunist, antifashist dhe partizan ju përkushtua ngritjes dhe organizimit të shërbimit ndërlidhjes me telefo dhe me radio, duke filluar nga Shtabi i Përgjithshëm me formacioneve luftarake partizane. Ndaj për përgatitjen e kësaj veprimtarie madhore të luftës, ai me guxim dhe karakter të fortë e të palëkundur, ndërmori mjaft aksione për gjetjen e pajisjeve të ndërlidhejs duke u futor ilegalisht në Tiranë dhe realizoi ndërlidhjen ndërmjet Komandës së Korpormatës I dhe Komitetit Qarkor të Tiranës me Shtabin e Përgjithshëm. Në libër pasqyrohen mjaft dokumente që drejtpërdrejt, tërthorazi, na vërtetojnë me fakte aksione të Todos si individuale, por dhe të organizuara. Gjatë leximit të librit ndeshim në histori të ndodhura në Radio-Tirana, e në Korçë. Ishte Todo partizan që mori në dorëzim Radio-Tiranën dhe Centralin SITA. Ai hapi transmetimin e parë të çlirimit dhe që foli për Qeverinë Demokratike më 28 Nëntor 1944.

Në këtë libër me dokumente paraqitet dhe Koçi Xoxe, i cili në luftë ka dhënë një shërbim të vlerësuar për ndërlidhjen. Në kërkim të aktivitetit të Todo Bojdanit, u gjendem para faktit se Qendra e Ndërlidhjes u krijua në Korçë dhe me kontributin e Koçi Xoxes që ka qenë i padiskutueshëm. Idetë, planet dhe aksionet në ndihmë të organizimit të ndërlidhjes, prej vitit 1943, Todo i diskutonte me Koçi Xoxen, cili, në autoritetin e njerit prej drejtuesëve të PKSH, ua dërgonte anëtarëve të tjerë, apo dhe formacioneve partizane.

Gjithmonë ka qenë nder të flasësh, të evidentosh dhe të shkruash për njerëz me vlera humane dhe të rralla. Në jetë ai qëndroi me moral të pastër, paraqiti vendosmëri dhe tregoi kurajo në situata të vështira, duke ju dhënë vlera dhe guxim edhe të tjerëve. Ai kudo shfaqi dukshëm mirësjellje, cilësi karakteristike e Todos, duke i bërë njerëzit për vete, duke shfaqur respekt dhe dashamirësi në çdo rrethanë e situatë të krijuar. Edhe pse sot dëshmitarët e kohës së tij janë larguar nga jeta, dokumentat dhe fotot flasin për këtë kulturë dhe mirësi të shfaqura prej tij në jetë. Shokët e luftës dhe të punës, në foto dhe në dokumenta, por edhe në shkrimet e tyre të pakta shprehen për vlerat e shfaqura në jetë të mikut të tyre plotë jetë të Todo Bojdanit.

Libri për Todo Bojdanin është njëkohësisht e një homazh për luftën partizane, për partizanët, për dëshmorët dhe shërbimin e ndërlidhës në Shqipëri dhe në veçanti për luftën e Korçës. Kjo monografi mund të quhet dhe një enciklopedi pasi në të hyjnë dhe dalin 715 personazhe, ka mbi 170 fotografi mjaft të veçanta, si dhe mbi 30 dokumente historike, etj. Libri ka vlera historike dhe njohëse për trevën e Korçës, por dhe për Radio-Tiranën.

Please follow and like us: