Albspirit

Media/News/Publishing

Fran Gjoka: Shkrimtari dhe poeti i talentuar, Pajtim Xhelo

 

(Dolën në dritë katër librat e rinj të poetit, prozatorit e studjuesit vlonjat, Pajtim Xhelo).

Këto ditë Shtëpia Botuese NACIONAL  botoi katër librat e rinj të Pajtim Xhelos: “Ti duhet të jetosh”  –  tregime dhe novella, “Vejusha me sy të gjelbër”  –  novella, “Në mugëtirë yjet arratisen” – lirika dhe “Pranverë e vonuar” – lirika.

Mjafton të kesh lexuar  krijimet e mëparëshme të Pajtim Xhelos dhe je i sigurt që edhe këto janë të po atij niveli, madje do gjejmë aty edhe prurjen me sukses të padiskutueshëm të të prozës së shkurtër moderne, si tregimi impresion. Do thoja pa rezervë që është një risi në Letërsinë Shqipe bashkëkohore, një risi që duhet vlerësuar nga kritika e kohës (nëse ajo  është e pranishme akoma).

Pa hyrë në detaje për të analizuar hollësisht poezinë dhe prozën e sapo sjellë, sepse atë po e lë në dorën e lexuesit, po paraqes: Një biografi e shkurtër e shkrimtarit, poetit, studjuesit  të gjuhësisë, historisë së lashtë dhe publiçistit Pajtim Xhelo.

U lind në qytetin e Vlorës, në një familje shumë të herëshme qytetare me tradita intelektuale dhe atmëmëdhetare nga të dy prindërit. Që në vitet e para të shkollës, shquhej për një përqëndrim të pazakontë në marrjen e dijeve. Mësuesit e tij thoshin që ky djalë nuk studionte për të marrë nota të mira. Ai studionte për njohuri të qëndrueshme, me piksynyme të qarta, që të njihte sa më mirë botën që e rrethonte. Është ndër nxënësit e rrallë, me formim të përgjithshëm, i vlerësuar me notën 10 në letërsi dhe lëndët shoqërore dhe me 10 në matematikë dhe shkencat e përpikta. Kish prirje të veçantë për gjuhët e huaja, të cilat më vonë e ndihmuan në studimet e tij në shkencat albanologjike. Shquhej për një pjekuri të parakohshme, seriozitet në çdo hap që hidhte, këmbëngulje, etje për dije. Mësuesit dhe shokët e tij trgonin se ai nuk mësonte kurrë përmendësh, pa e zbërthyer dhe kuptuar në thelb gjithçka të re. Pasioni për letërsisnë u vu re që në moshë të re. Në klasën e pestë mësuesja e gjuhës ruse, Mjaftime Gorishti, duke parë që njohuritë e tij ishin më të përparuara se ato të moshatarëve të tij, e ngarkoi me mbarëvajtjen e bibliotekës së shkollës Nr. 2 “Naim Frashëri”. Kjo bëri që ai të niste të lexonte me një etje të jashtëzakonshme që në atë moshë (11 – 12 vjeç), autorë të dëgjuar, si Tolstoi, Dikensi, Viktor Hygoi, Balzak, Stendal, Xhek London Gorki, Turgenjev, Gogol, Pushkin, Lermontov, Majakovski, Dikens, Shollohov, Migjeni, Mjeda, Noli, Çajupi e shumë të tjerë. Siç tregon edhe vetë, nuk i duhej të studionte shumë në shtëpi, sidomos në matematikë. Cili qe sekreti? Kishte një vëmendje të jashtëzakonëshme në shpjegim.

Shokët e tij thonë që kur mësuesit shpjegonin, ai nuk shkëputej nga dëgjimi, sikur bota të përmbysej rreth tij. Mbase do duket e pabesueshme, po në moshën 13 vjeçare Pajtim Xhelo shkruajti një novelë me temë nga jeta shkollore, novelë që u vlerësua nga një shkrimtar vlonjat, mësues letërsie, Miliano Stefa. Që kur ishte në vitin e parë të gjimnazit, mësuesi i letësisë, Daut Shtino, u thosh të gjithëve, që Pajtim Xhelo e njihte drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe më mirë se vet mësuesit e Gjuhës. Një ngatërresë e sajuar në biografi, bëri që të mos shkonte në Universitet në degën që donte. Shkoi me dy muaj vonesë për Agronomi. Nga letërsia dhe arti nuk u shkëput. Luajti teatër, këndoi, ishte atlet cilësor…

Një djalë me prirje, që mbase, në parim, edhe kundërshtonin njeratjetrën. Në pesë vitet studentore shkruajti dhe botoi heraherës në gazetën ‘Studenti’ e më pas në gazetën lokale të qytetit. E emëruan në Shkollën e Mesme të Llakatundit (Teknikum bujqësor ), nga ku, për shkak të asaj përbërjeje politike të sajuar e larguan me shkakun që lexonte libra të ndaluar. Pas 13 orë mbledhje, ku u mbrojt nga të 59 mësuesit (me përjashtim të sekretarit të Partisë, drejtorit dhe spiunit) shpëtoi nga dënimi me burg, po mori një goditje që e detyroi të heshtëte për disa vite. Deri atëhere kish gati për botim dy novela, tre vëllime me tregime dhe dy vëllime me poezi. I pushtuar nga paniku dhe frika mos e përndiqnin, i dogji të gjitha dorëshkrimet në sobën e drurit. Nga shkrimet nuk hoqi dorë, por fshehur, pa ia trguar askujt. Gjatë kohës, studionte autodidakt për historiografinë e lashtë të popullit tonë, e cila i dha dorë të përfundonte romanin e tij historik “Mallkim i përjetshëm”, të cilin e aprovoi për botim Shtëpia Botuese “Naim Frashëri“ në vitin 1988, ku ishte nëndrejtoreshë Iskra Tata Thoma. Recensenti historik, Myzafer Korkuti e vlerësoi me notat më të larta, jo vetëm nga ana e vërtetësisë historike, por edhe si lexues I kualifikuar. Po kështu edhe recensenti tjetër, Arben Xoxe. Romanin nuk pranoi ta linte për botim, sepse nuk ra dakord që të ndryshonte një fakt historik…

Donte t’i përmbahej me përpikmëri vërtetësisë historike. E botoi në vitin 1997, nëpër plumbat e marsit të tmerrshëm të atij viti të mbrapshtë. Në vitin 1992 nxjerr gazetën “ Zgjimi “ si gazetë e vetme në Vlorë, sepse gazeta“ Vlora “tashmë ishte mbyllur. Po atë vit çel shtëpinë e parë dhe të vetme botuese në Vlorë me emrin “Flamuri“. Nisi botimin e një almanaku letrar me titullin “Aulona“, por për shkak të vështirësive financiare dhe teknologjisë shumë të vjetër të makinerive të shypshkronjës, dolën në dritë vetëm tre numra. Po kështu boton një gazetë të dytë dyjavore me titull “Ekartshkin” (ekonomi, aert, shkencë, informacion). Edhe ajo pasoi almanakun, dolën vetëm tre numra dhe nuk jetoi më. Siç thotë edhe vetë Pajtimi, nëse do t’i presësh rrugëtimin një artisti krijues, vëre në drejtim dhe ia ke arritur qëllimit. Ato vite për Pajtimin ishin një zbrazëtirë, pa krijimtari. Në të vërtetë nga viti 1990 , deri në vitin 1997, duke qenë drejtor në dy ndërmarje, nuk pati mundësi të merrej me krijimtari. Botimet i nisi në vitin 1997 dhe 1998. Për shkak të një diabeti shumëvjeçar (që në moshën 18 vjeç, kur nuk i doli e drejta e studimit), pati probleme të rënda me sytë. Bëri 9 ndërhyrje në klinikat ruse dhe deri në vitin 2015 nuk mundi të shkruante. Pas këtij viti, edhe pse duke sakrifikuar shëndetin e të parit, vijoi të shkruante dhe të botonte me një vullnet dhe frymëzim të jashtëzakonshëm. Vetë Pajtimi thotë: “Mund të duket çudi, po Zoti ma ktheu borxhin e viteve që heshta”.

Ka botuar dy romane dhe të tretin e ka gati për botim, 10 vëllime me lirika, dy vëllime me novela, në bashkautorësi me Iskra Tata Thoma në një vëllim tjetër me novela në bashkautorësi me Iskrën, një novelë xhepi, një vëllim me tregime, një libër me studime albanologjike dhe librin ëe fundit, në bashkëpunim me Iskrën me “Shprehje frazeologjike përmes rrëfenjave.

Këto ditë, edhe pse në rrethana shumë të rënduara me shëndetin (i diagnostikuar nga një sëmundje e pashërueshme), dolën nga botimi katër librat e tij të rinj, dy vëllime me lirika dhe dy vëllime me tregime dhe novela. Gjithsej ka botuar 23 libra. Edhe pse me probleme të rënda shëndetësore, ai po vijon krijimtarinë. Ja si shprehet Iskra  Tata  Thoma, prozatore, kritike letrare, redaktore, përkthyese, studjuese për mikun e saj, Pajtimin: “Pajtim Xhelo, si shkrimtar ka arritur në majën e Olimpit në të gjitha gjinitë e prozës, që nga tregimi i shkurtër, novela, romani (madje edhe romani historik që është aq i vështirë, sidomos kur flet për lashtësinë). Më duhet të theksoj faktin, që, edhe pse nuk është çam, ka shkruar aq shumë tregime për Çamërinë, aq sa kanë shkruar të gjithë krijuesit çamë, të marrë së bashku. Disa nga shokët, me shaka i thonë: “Ti je çam“. E kam të vështirë ta them me siguri, nëse Pajtimi ka lënë pa na sjellë në tregimet e tij, ndonjë krahinë të Shqipërisë Natyrore, apo, siç i quan ai, Epirit, Iliirisë dhe Maqedonisë me origjinë pellazge, duke nisur që nga Trieste, në Mitrovicë, në Ulqin, në Folorinë, Kostur, Konicë, Grebene, Selanik deri në Artë dhe Prevezë… Them se na i ka sjellë të gjitha trevat pellazge në krijimet e tij… Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe disa rrëfenja impresioniste të tpit të Kafkës etj. Shpesh, madje mund të them pa frikë, rëndom, në përshkrimet kthehet në prozë poetike të mirëfilltë, me të gjithë bukurinë e këtij stili, veçanërisht me mendimin e thyer dhe tingullin ngacmues për shpirtin. Si poet, më duhet të pranoj se i ka kaluar përmasat mbarëkombëtare, madje i ka kapërxyer edhe këto kufij. Në një kohë, kur poezia, jo vetëm te ne, por edhe në botë është zbehur, është bërë thjesht një prozë e zhveshur nga melodia, flladet dhe aromat e vesës nektarore, lirikat e Pajtim Xhelos të rrëmbejnë shpirtin, për të të çuar në yllësitë e përfytyruara të legjendave hyjnore. Edhe poezia e tij epike të rrëmben në krahë, për të të çuar mysafir në botën burrërore të nderit, besnikërisë, bujarisë dhe trimërisë. Poezia e tij është gati hyjnore, teknika ka arritur përsosmërinë. Shpirti i tij i madhërishëm na flet me gjuhën e Perëndive përmes vargjeve brilante. Gjuha e poezive të tij (natyrshëm, edhe e prozës) është shqipja e kulluar, larg huazimeve dhe ndikimeve. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe… Ai ka bërë një punë të palodhur për të përzënë nga fjalori fjalët “ardhacake” si i quan fjalët e panevojshme që kanë pushtuar leksikun e Gjuhës Shqipe. Ai ka studjuar historiografinë e lashtësisë së popullit tonë, ka arritur në përfundime me vlera të pamohueshme që hedhin dritë mbi të vërtetat që na i kanë rrëmbyer padrejtësisht fqinjët tanë. Natyrisht, nuk kish si të ndodhte ndryshe, që një njeri me një kulturë kaq të gjerë e të thellë në të gjitha fushat e jetës, një intelektual i mirëfilltë si Pajtim Xhelo, të mos ishte edhe një poet dhe shkrimtar me përmasa të pakufishme, të pa konturuara. Ky është shoku dhe miku im, Pajtim Xhelo, njeriu me një përvojë jetësore të jashtëzakonshme, që po na i lë këtë përvojë si margaritar për brezat që do vinë. Dhe të mendosh, që ky njeri deri para pesë viteve, nuk tha kurrë me gojën e vet: “Jam poet, apo shkrimtar, apo studjues”. Po, thoshte gjithmonë: “E dua vendin tim, e dua kombin tim, e dua qytetin tim mbi jetën time fizike”. Një njeri me të tilla vlera, që nuk thotë “jam poet, jam shkrimtar, jam studjues” është mishërim i thjeshtësisë, i dinjitetit dhe krenarisë që hesht, por që flet me gjuhën e një shpirti të shenjtë, i kujtoj Qeverisë e sidomos pushtetit vendor të Vlorës që t’i krijojë kushte minimale këtij njeriu me përmasa të jashtëzakonshme, që ka pranuar të digjet pa flakë, pa bujë dhe zhurmë për të mirën e Kombit, të Atmëmëdheut dhe Vlorës sonë.

Edhe pse me probleme të rënda me shëndetin, sidomos me sytë, për të cilët mjekët e kanë këshilluar të mos lexojë e të mos skruajë, pasi bëri nëntë ndërhyrje për të ruajtur këtë pakëz dritë, ky njeri ka vendosur të sakrifikohet për atë qëllim madhor që i ka vënë vetes… Të lerë trashëgim krijimet e tij perla për të gjithë ne, edhe për fëmijët e tij, se tjetër pasuri ai nuk ka. I Uroj me zemër jetë të gjatë këtij njeriu të thjeshtë, të heshtur, që nuk e ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete që ka mbledhur për vite të tëra nektarin e jetës për të na sjellë mjaltin e shpirtit. Që në gjimnaz, ne e thërrisnim Esenin. E them pa e tepëruar, që Vlora ka fat të ketë një Esenin të ri. Ku ka poet tjetër që ka shkruar për Vlorën 24 poezi perla, që nuk ngjajnë aspak me njera-tjetrën. Ku ka poet tjetër, që në të dhjetë vëllimet e tij me poezi të na sjellë, njlloj si në prozë, dashurinë, gëzimin, trishtimin, zhgënjimin, miqësinë e sinqertë, pabesinë, rrëzimin dhe ringritjen, merakun, dhëmbjen, fitoren dhe humbjen menjë stil klasik mjeshtëror, ku rima, ritmi, figurat e mrekullueshme letrare, brishtësia dhe ëmbëlsia të të bëjnë të ndihesh në një lirishtë pylli, në një majë mali, të të puthin valët e detit, të të freskojë ujët kristal të një kroi, të këndosh me netët hënore, të vallëzosh me yjet… Shqipëria e ka këtë fat. Vlora e ka këtë fat. Veç ne, shqiptarët, duhet të mësohemi t’i vlerësojmë njerëzit që i shërbejnë kombit me përkushtim që kur ata janë gjallë. Me keqardhje dhe dhëmbje, më duhet të bëj të ditur që poeti, shkrimtari, studjuesi dhe publicisti i përmasave mbarëkombëtare Pajtim Xhelo, po  jeton mbase ditët e fundit nën dhëmbjet e një sëmundjeje të pashërueshme me kurajo, duke më thënë në telefon: “Më vjen keq që do lë pa përfunduar dy romane, bashkë me një të tretë që më mbeti dorëshkrim”. Përsëri i urojmë shëndet dhe vetëm shëndet!

Please follow and like us: