Albspirit

Media/News/Publishing

Akademi Përkujtimore Jubilare për Heroin e Kosovës, Bylbyl Breçani i Epopesë Historike të Koshares

 

Ramiz Lushaj

Akademia Përkujtimore Jubilare për heroin Bylbyl Hazir Breçani, në 50-Vjetorin e Lindjes së tij (13 maj 1974, në Tropojë), në 25-Vjetorin e rënies së tij (25 qershor 1999, në Gjakovë); në 25-Vjetorin e Epopesë historike të Koshares; në 25-Vjetorin e Lirisë së Republikës së Kosovës; mbajtur në Tiranë, në metropolin shqiptar, në “Tirana International Hotel” më 13 maj 2024, me 152 të Ftuar Nderi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Amerika, Anglia, Zvicra, Gjermania, Franca, Norvegjia, Greqia, Turqia, Azia, etj.

Kjo Akademi Përkujtimore Jubilare e 13 majit 2024 u mbajt nën Patronatin e MSc. Ramiz Tafilaj- Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”, Antar i Bordit Këshillues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë; filantrop i mirënjohur shqiptaro-amerikan; biznesmen, botues, veprimtar i Çështjes Kombëtare Shqiptare; kontributor i arsimit, kulturës, shtypit, letërsisë shqiptare, etj.

Bylbyl Hazir Breçani i Epopesë së Koshares, i Brigadës 138 “Agim Ramadani” mban këto vlerësime e nderime: *“Hero i Kosovës” (Kosovë, 2019); *“Dëshmor i Kombit” (Kosovë, 2017); *“Dëshmor i Atdheut” (Shqipëri, 2004); *Medaljen “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” (Kosovë, 2019); *“Qytetar Nderi” i Tropojës (Shqipëri, 2018); *“Qytetar Nderi” i komunës Bujan (Tropojë); *“Mirënjohje” nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK); *“Mirënjohje” nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës; *Medaljen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet” (Kosovë, AAK, 2021); *Çmimin e Madh “Yjet e Kombit”(“Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”);*Shkolla në Markaj, në vendlindje, e mori emrin e Tij (Tropojë); *Një rrugë në qytetin e Bajramcurrit e mban emrin e Tij (Tropojë); *Një rrugë në komunën e Prishtinës, kryeqytetin e Republikës së Kosovës, e mban emrin e Tij; *Akademi Përkujtimore Jubilare për Heroin Bylbyl Hazir Breçani në 20 vjetorin e rënies së Tij, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Ramush Haradinaj (24 qershor 2019, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, salla “UNESCO”); *Konkurs Poetik Kombëtar për heroin Bylbyl Hazir Breçani (Shqipëri, 2019); *Themelohet Çmimi i Lartë “Bylbyl Breçani” në vitin 2021; * Dhjetra këngë, poezi, artikuj, kumtime, i janë kushtuar Heroit Bylbyl Hazir Breçani (në vitet 1999-2024); *13 maj 2024;- Akademi Përkujtimore Jubilare për Heroin Bylbyl Hazir Breçani (Tiranë); *Nëntor 2024- do të ngrihet Memoriali për Epopenë e Koshares dhe Shtatorja për Bylbyl Hazir Breçanin, një nga 114 Heronjtë e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, që përbëjnë një kompleks skulpturor, muzeal, natyror, në rrugën “Bylbyl Breçani” në Tropojë e, që mirëpritet të përurohet në prag të Festës së Flamurit, në Nëntor 2024.

Në këtë veprimtari nderuan me praninë e Tyre: Sh.T.Z. Skënder F. Durmishi-Ambasador i Republikës së Kosovës në Tiranë; Z. Rrustem Berisha- ish Komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe i Epopesë historike të Koshares, ish-Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës; Z. Anton Quni- deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës; ambasador Genc Muçaj- Drejtor Ekzekutiv I Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë; dr. Islam Lauka- ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë; Gjeneral Skënder Doçi- ish Komandant i Batalionit “Atlantiku” të Kosovës, Prof. dr. Salih Krasniqi nga Prishtina, studiues, mjek, pjesmarrës e veteran i tri luftërave, Kosovë-Lugina e Preshevës-Maqedoni e Veriut; Gjeneral Fadil Hadërgjonaj, kolonel Feriz Trezhnjeva, nënkolonel Rakip Sadikaj- ndër drejtuesit e lartë dhe të shquar të Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe në Epopenë e Koshares; ushtarak i lartë, pedagog, politikan Eduard Abazi dhe ushtarak i lartë e pedagog Ylli Mici, që stërviten Dy Grupet e para Guerrile nga Kosova (1991) si Adem Jashari, Sali Çekaj e 105 të tjerë; Armina Nuraj- kryetare e Zyrës për Rajonin e Sanxhakut në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në RS e me qendër në Luginën e Preshevës; ushtarakë të lartë nga Tropoja që kontribuan ndërvite për Luftën dhe Lirinë e Kososvës, si: Gjeneral Muhamet Bucpapaj, kolonel Zenel Kuana (tevona, edhe ish Prefekt i Qarkut te Kukesit), kolonelet Halil Kuçana, Idriz Kuca, Besnik Sylaj, nenkolonelet Rexhep Kortoçi, Rakip Sadikaj, Besim Kuçana, Mehmet Mehmetaj, ushtarakët Kujtim Vatoci, Avni Hoxha, Avni Baliaj; e shumë të tjerë.

Nderonin me praninë e tyre edhe vëllezër e motra dhe dajët (nga Puka) të heroit të shquar Bylbyl Hazir Breçani, si dhe djemë e vajza të xhaxhallarëve, kushërinj të afërm etj.

Fjalën e Hapjes e mbajti dr. Islam LAUKA- ish ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, ish Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare në MPJ të Shqipërisë, autor i disa monografive studimore për Kosovën. Kumtimin për Epopenë historike të Koshares dhe heroin Bylbyl Hazir Breçani e mbajti ish-Komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Koshares, Rrustem Berisha- ish Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, ish deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sh.T.Z. Skënder F. Durmishi- Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri, e përshendeti Akademinë Përkujtimore Jubilare “Bylbyl Breçani”, ku e vlerësoi lart veprimtarinë e heroit Breçani, Epopenë historike të Kosharës dhe 114 heronjtë e saj dhe Luftën e UÇK për Lirinë dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

MSc. Ramiz Tafilaj, i ardhur nga Teksasi i Amerikës, e përshendeti Akademinë Përkujtimore Jubilare, në emër të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Në këtë Akademi Përkujtimore Jubilare u dorëzuan edhe Mirënjohje të akorduara nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”: Çmimi i Madh “Mirënjohja Shqiptare” për gjeneral Rrustem Berisha; Çmimi i Madh “Lavdi Kombëtare” për Heronjtë e Kombit, Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, tre nga drejtuesit kryesorë të Epopesë historike të Koshares, një nga epopetë më të shquara në historinë kombëtare shqiptare nga pellazgo-ilirët deri në kohën e sotme.

MSc. Besa Tafilaj-Pinchotti, drejtore Ekzekutive e Organizatës së Familjeve të Ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përshendeti me një video-mesazh nga Uashington D.C. Akademinë Përkujtimore Jubilare për heroin Bylbyl Hazir Breçanin, dhe vlerësoi ish Brigaden 138 “Agim Ramadani”, Epopenë e Koshares dhe 114 heronjtë e saj. Theksojmë se Besa Tafilaj-Pinchotti ka qënë gazetare e ekranit dhe e terrenit në rrjetet e mëdha televizive amerikane TV ABC dhe TV NBC dhe ka spikeruar dhe përgaditë emisione televizive edhe për luftën dhe periudhën e pasluftës së Kosovës.

Në këtë Akademi Përkujtimore Jubilare u dorëzuan nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Organizativ i “Takimit të Madh të Prishtinës”, Ramiz Tafilaj, edhe Mirënjohje të akorduara nga |”Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”, Çmimi i Madh “Yjet e Kombit” për 114 heronjtë e Epopesë së Koshares, ku disa prej tyre e kanë marrë familjarët në “Takimin e Madh i Prishtinës, 27 prill 2024” dhe të tjerat do iu ndahen familjeve të heronjëve nga Shoqata e Veteranëve të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares, me interesimin e drejtpërdrejt të kryetarit të saj, Agron Jusufi dhe stafit drejtues të saj.

Në këtë Akademi Përkujtimore Jubilare u akordua edhe Çmimi i Lartë “Bylbyl Breçani” (themeluar në dhjetor 2021), kësaj here, për 113 heronjtë e Epopesë së Koshares, duke ua dorëzuar në Panelin e Akademisë, të cilët (sipas bisedimeve e dakordësive paraprake) do iu ndahen familjeve të heronjve nga Shoqata e Veteranëve të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares, me interesimin e drejtpërdrejt të kryetarit të saj, Agron Jusufi dhe të stafit drejtues të saj.

Znj. Amina Nuraj- kryetare e Zyrës së KKSH për Rajonin e Sanxhakut (zyrë e hapur në nëntor 2023, në Novi Pazar-Pazari i Ri) e përshendeti në emër të Zyrës e të Shqiptarëve të Sanxhakut, Akademinë Përkujtimore Jubilare. Skulptori i shquar, Isa Baliaj, Mjeshtër i Madh, foli në Akademinë Përkujtimore Jubilare si autor i veprës: “Memoriali për Epopenë historike të Koshares dhe Shtatoren e Bylbyl Hazir Breçanit, njëri nga 114 heronjtë e Koshares e të Kombit”, që do të ngrihet në Tropojë, në “Qytetin e Alpeve” në rrugën qytetse me emrin e heroit dhe do të përurohet në prag të festës së Flamurit, në Nëntor 2024.

Të Ftuarit e Nderit, të pranishëm në këtë event, dëgjuan në sallën “Balsha” zërin original të Heroit të Kombit, Sali Çekaj, një nga themeltarët e UÇK-së e drejtuesit e Epopesë së Koshares, mbajtur para bashkëatdhetarëve në mars 1998 në Shtutgard të Gjermanisë, si dhe sekuenca filmike origjinale nga ngjarje historike lavdimadhe e 9 prillit 1999 të Thyemjes së Kufirit shekullor Shqiptaro-Shqiptar në Kosharen legjendare, tuj këndue “Jam krenar se jam Shqiptar, Jam krenar se jam Kosovar”.

U paraqit edhe video-montazhi “Po vjen Bylbyl Breçani”, ku shfaqej heroi në rradhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në veprimtari luftarake të Epopesë së Koshares legjendare. Akademinë Përkujtimore Jubilare e përshendetën me fjalë zemre dhe me këngët e tyre për heroin, si: këngtarja kombëtare Fatmira Breçani- Mjeshtër e Madhe, këngtari i shquar shqiptar, nga Presheva, Arian Agushi (Gold AG) dhe këngëtarja e mirënjohur Dava Gjergji nga Puka.

Këngëtarja 7-vjeçare nga Tropoja, Amla Muçaj, artiste me të ardhme, recitoi poezinë me tri strofa “Heroi im, Bylbyl Breçani”. Në emër të Familjes së Heroit të Epopesë së Koshares, Bylbyl Hazir Breçani, përshendeti me mirënjohje Adem Hazir Breçani, vllau i tij.

Në Akademinë Përkujtimore Jubilare (sipas traditës së “Gazeta e Alpeve”) u ndanë edhe disa Mirënjohje nga “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” dhe “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024”, si Çmimi i Madh “Nënë Tereza” për Shoqatën Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” në Gjermani dhe për Shoqatën Humanitare Kulturore “Salih Çekaj” në Zvicër, si edhe për drejtuesit e tyre: Z. Osman Ferizi (Gjermani) dhe Z. Saim Tahiraj (Zvicër); Çmimi i Lartë “Pjetër Bogdani” për veprimtarin e shquar atdhetar-humanitar-sportiv, Z. Bekë Osmonaj në Deçan-Pejë të Kosovës; “Mirënjohje” për Z. Safet Martinaj në Prishtinë për kontribute kulturore e humanitare,si dhe në marrrëdhëniet ndërshqiptare, ndërballkanike, e ato shqiptaro-amerikane; si dhe “Mirënjohje” edhe për disa personalitete të tjera.

Në përfundim të Akademisë Përkujtimore, në sallat “Balsha” dhe “Akerna” të “Tirana International Hotel ” në Tiranë, pjesmarrësit bënë foto-kujtime, shkëmbyen biseda e adresa, etj. duke faleminderuar organizatorët, donatorët, personalitetet e larta të shquara, këngtarët VIP, etj. dhe shprehur vlerësime të larta për nivelin e mirë të Akademisë të 13 majit 2024.

Tiranë, 14 maj 2024.

Please follow and like us: