Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Tanush Mulleti na ftoi për kafe…

 

 

 

TANUSH  MULLETI, (1944 – 2024)

Kujtime të papersëritshme!

Ishte viti 1993, kur po përgatitshim në shtypshkronjën pranë stacionit të trenit në Tiranë librin që do t’i dhuronim Papës Gjon Pali II në Shkodër.

Pa mërrijtë tue ecë me Prof. Simon Pepën, ndigjova një za, po më thirrte Tanush Mulleti, aso kohe drejtor i burgut Tiranës dhe kërkoi me shkue me të per me pi një kafe. Unë i kerkova me shkue ma mirë se për kafe në burg dhe me pa Nexhmije Hoxhën. Dhe, Tanushi kje dakord me mue. Të tre sëbashku morëm kthesën dhe shkueme te burgu. Paraqitmë të dy tek dera dokumentat dhe hymë. Para se me shkue te Nexhmija, Tanushi na ndaloi tek dhoma e Aranit Çelës dhe e hapi sportelin. U afrue aty Araniti të cilit i shpreha knaqësinë tonë që po e takonim aty, një prej vrastarve ma kriminela që ka zhdukë në Shkodër me firmen e tij mbi 2000 të pafaj!

Prej aty shkueme tek dhoma e Nexhmijes. E hapi dhomën polici dhe tek dera po pritte në kambë Nexhmija. Na prezentoi Tanushi. Sigurisht ajo nuk na njifte, po Drejtori i tregoi se kemi shkue në Tiranë për me punue një libër me Klerikët Katolikë Shqiptarë të pushkatuem, masakruem dhe të zhdukun nder hetuesitë komuniste nga burri i saj Everi dhe ajo, kur ata ishin në krye të shtetit kriminal komunist vrastar. Ajo u justifikue se ”aso kohe ajo qe situata!” Unë, i shpreha keqardhjen se ”sot nuk vjen ma ajo  situatë, po edhe prangosja e yte në burg, per mue asht knaqësi e madhe”!

Në korridor drejtori na prezentoi Sulo Gradecin. Vertetë ishte knaqësi e madhe kur shikojshe kriminelët barbarë të pranguem n’ at korridor!

Ata vertetë nuk paguene asgja nga masakrat, torturat e vrasjet e tyne, po prangat e tyne ruejn shumë kujtime nder dryjt’ e tyne të ndryshkun!

Tanush’ i Nderuem, Ju me të vertetë e mbyllët jeten me faqe të bardhë, dhe sot, na vetem Ju urojmë, Perjetësi në Jeten e Pasosun t’ Parrizit!

Ngushllime familjes e Motrave të Tua të Nderueme. Me shumë respekt!

Melbourne, 21 Maj 2024.

———————————————————————-

Post Scriptum

 

Ditën e sotme është ndarë nga jeta ish-kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë dhe të Burgosurve të Shqipërisë, Tanush Mulleti.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij Niuton Mulleti, ndërsa mësohet se ai ishte në moshën 79 vjeçare. Ish-kreu i të përndjekurve, Tanush Mulleti ka shërbyer në poste të rëndësishme shtetërore pas viteve ’90, si dhe ka qenë drejtor i “Burgut 313” në Tiranë.

“Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me hidhërim të thellë, ju njoftoj që babai im Tanush Haki Mulleti ndërroi jetë sot. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e martë, më 21 maj 2024, ora 14:00, në varrezat e Tufinës, Tiranë. Pritjet bëhen tek Shtëpia Funerale “ALBA 2000”, rruga e Dibrës, Nr. 302 (pranë Medresesë), Tiranë. Qofsh i xhenetit zemra ime”, – shkruan djali i tij Niuton Mulleti.

Please follow and like us: