Agim Aliçkaj: DELEGACIONI I LQSHA NË KONGRESIN AMERIKAN
- Asociacioni serb si parakusht para marrëveshjes përfundimtare, është përpjekje për të imponuar kontrollin e Serbisë mbi Kosovën dhe zhdukjen e saj si shtet.
Një delegacion i LQSHA i udhëhequr nga legjendat kombëtare Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi qëndroi javën e kaluar në Washington për të lobuar për Kosovën dhe çështjen kombëtare.
Takimi me kongresmenin Jerry Nadler, nënkryetar i Komitetit për Drejtësi ishte i përzemërt dhe kuptimplotë. Vëmendje e veçantë iu kushtua shkeljes së të drejtave të popullit shqiptar në Serbinë jugore (Lugina e Preshevës dhe Sanxhak) nga Serbia diktatoriale shoviniste dhe mundësia e mbajtjes së një seance dëgjimore në Kongres kushtuar këtij problemi.
Në kabinetin e senatorit ChrisVan Hollen, bisedë me këshilltarët Francesca Eremeeva dhe Jonathan Nellis.
Takimi vjetor i FMC- shoqatës së ish kongresmenëve të Kongresit Amerikan në Washington, ku senatorët dhe kongresmenët aktualë takohen me ish-kongresmenë dhe shkëmbejnë mendime mbi zhvillimin dhe forcimin e demokracisë dhe shtetit amerikan si dhe politikës së jashtme amerikane kishte shumë porosi, gjetja e një gjuhe të përbashkët, civilizimi dhe respekti, lidershipi, dhe ndërtimi i demokracisë në mbarë botën.
Biseda të shkurtra me senatorët dhe kongresmenë demokratë dhe republikanë, të cilët morën çmimin “Statesmanship Award”, Sen. Tammy Duckworth (D-IL), Sen. Dan Sullivan (R-AK), Rep. Don Bacon (R-NE) dhe Rep. Chrissy Houlahan (D-PA).
Në Capitol Hill Club, takim i përzemërt me kongresmenët Dan Bishop (R-NC) dhe Pete Stauber (R-MN).
Në të gjitha takimet u vlerësuan lartë arritjet dhe sukseset e Kosovës në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit, demokracisë, ligjshmërisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Është konstatuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në KeE. Marrëveshja e Ohrit, e propozuar nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz, e negociuar me pjesëmarrjen e të dyja palëve, paraqet kompromisin e fundit të bërë nga Kosova për hir të paqes në Evropë.
Presioni ndaj Kosovës nga ndërmjetësuesit dhe diplomatët perëndimorë për lëshime shtesë për të kënaqur orekset hegjemoniste serbe është i padrejtë dhe vetëm sa e përkeqëson problemin. Asociacioni serb si parakusht para marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes së Kosovës nga Serbia, është një përpjekje për të imponuar kontrollin e Serbisë mbi Kosovën dhe në një afat më të gjatë zhdukjen e saj si shtet. Serbia, e cila nuk e ka nënshkruar dhe refuzon haptazi zbatimin e Marrëveshjes, duhet të vihet nën presion diplomatik dhe ekonomik.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane mbështet fuqishëm qëndrimet dhe veprimet konstruktive të qeverisë Kurti në bashkëpunim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimit ndaj agresionit serb, i cili po rrezikon hapur paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe Evropë.