Albspirit

Media/News/Publishing

Mirësevini në Luzat, fshatin e bukur në Tepelenë

Luzati është një qendër e vjetër e banuar, e cila daton qysh nga fillimi i shekullit të XV. Toponimet e vjetra kristiane të vendit tregojnë për një jetë të lulëzuar të fshatit para dhe pas pushtimit otoman. Gojëdhënat tregojnë që fshati më përpara ka qenë vendosur në rrëzë të fushës në Batall. Më vonë është shpërngulur aty ku është sot. Se kur ka ndodhur ky proces nuk dihet me saktësi dhe çdo gjë i përket legjendës. Arsyeja e shpërnguljes është rreziku nga gjarpërinjtë, por dhe ekzistenca në buzë të rrugës që paraqiste rreziqe në ato kohë të turbullta. Në fshat brenda ndodhen 3 toponime kristiane, Shën-Kolli, Shën-Todri dhe lagjia Lleshaj, të cilat bëjnë të supozosh për ekzistencën e tre kishave në fshat. Interesant dhe kuptimplotë janë emërtimet shqip të shenjtorëve-Nikoll, Todër dhe Aleksandër-Llesh. Në Shën-Todër me sa duket ka qenë kisha kryesore e fshatit, përderisa aty ka qënë dhe varrezat e vjetra të tij. Gjithashtu ka një toponim Shën-Gjergj në afërsi të Ujit të Ftohtë. Profesor Eqerem Çabej në librin e tij “Etnogjeneza e Kombit Shqiptar” kur radhit fshatrat arbëreshe në Italinë e Jugut në Kalabri, nënvizon faktin se në fshatin Santa-Xhiorxhia de Albanezi banorët i deklaruan faktin se janë nga fshati ‘Luxat”. Shën Gjergji ka qenë shenjti mbrojtës i shqiptarëve në mesjetë dhe ndoshta banorët që u shpërngulën e morën me vete dhe u identifikuan në tokën e re me emrin e shenjtorit.

Në vitin 1430 Luzati përmendet në regjistrat osmane si fshat rebel, dokument i cili ndodhet në muzeun historik kombëtar. Ky dokument nënvizon faktin se “kalorësit turq të spahiut shkuan në Luzat dhe nuk u kthyen më”. Është viti 1431,kur osmanët pasi pushtuan pjesën më të madhe të territorit shqiptar filluan regjistrimin e tokave dhe popullatës në sistemin e timareve. Luzati duhet të ketë qenë një bashkësi fshatarësh të lirë të cilët, në regjimin feudal ushtarak turk kumbisnin të drejtat dhe pronat,prandaj kjo shtresë ishte shtresa më aktive e popullsisë kundër osmanëve. Noli në “Historinë e Skënderbeut” më 1921, nënvizon faktin se “shtresa e fshatarëve të lirë ishte pjesa më rezistente ndaj pushtuesve turq” këtë fakt e tregon dhe historia e mëvonshme, ku tokën në Luzat nuk e zotëronte një familje e vetme por ka qenë e ndarë në ngastra pothuajse të barabarta midis banorëve. Kullotat ka qenë gjithmonë e përbashkët dhe i përkiste gjithë fshatit. Interesant është fakti se ura mbi përroin e Gjirakarit, është e ndërtuar me kontributin e përbashkët të gjithë fshatarëve, mbasi ata nuk pranuan ta ndërtonte një i kamur i fshatit, pasi i donte t’i vinte emrin e tij urës. Po kështu gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës, kapedanin Myrto Çali fshatarët nuk e lejuan të ndërtonte kullën në vendin e quajtur Pirgjes, pasi ai donte të bllokonte rrugën për në mal dhe kullotjen e bagëtive në të, duke i detyruar kështu fshatarët për të paguar taksa. Akoma dhe sot shihen themelet e hedhura të kullës së pambaruar si dëshmi e mëvetësisë së fshatit Luzat. Udhëtari turk Evlija Çelebi e përmend si vendbanim në veprën e vet në vitet 1660-1670,vite në të cilat ai udhëtoi në Shqipëri.

Historiani grek Arivitanoi në librin e tij “Ali Pashë Tepelenliu” nuk e radhit në radhën e çifligjeve të Aliut, siç bën me disa fshatra të tjerë të Tepelenës si Veliqot, Hormovë, Lekël etj. Ky fakt tregon se Luzati nuk ka kaluar nëpërmjet procesit të feudalizmit klasik me bujarë dhe bujkrobër dhe në pushtimin otoman as në çifligarë dhe çifçinj në kohën e thyerjes së sistemit të timarit. Ka shumë mundësi që Luzati për një periudhë kohe të jetë radhitur në krahinën e Kurveleshit dhe të Himarës dhe të ketë gëzuar të drejtat e Venomeve. Fshati siç dihet ndodhet në kufi me fshatrat e Kurveleshit të sipërm dhe shumica e familjeve ishin të lidhura me krushqi me familjet e asaj krahine. Udhëtari, diplomati dhe studiuesi anglez William Martin Leake shkruan në librin e vet “Kërkime në Greqinë e Veriut dhe Shqipëri” se fshati Luzat ka 200 shtëpi, një numër i konsiderueshëm për kohën kur në të njëjtën kohë Tepelena ka pasur më pak se 100 shtëpi.

Rënia e pashallëkut të Janinës solli centralizimin e pushtetit qendror turk dhe kjo pruri revoltat e vazhdueshme nga Veriu në Jug. Edhe fshati Luzat mori pjesë aktive në dy kryengritjet e mëdha 1833 dhe 1847. Më 1833 në afërsi të fshatit Luzat në vendin e quajtur “Guri i taborrit” u zhvillua beteja e përgjakshme kundër forcave turke të Emin Pashës. Forcat kryengritëse shqiptare udhëhiqeshin nga Tafil Buzi. Në këtë betejë u shqua dhe trimi luzatar Satedin Luzati, i përjetuar në këngë nga rapsodi popullor qe këndohen deri në ditët e sotme. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX, Luzati ashtu si gjithë krahina u përfshi nga lëvizja e kaçake e këtyre njerëzve “rebelë” me shpirt të madh. Në kujtesën popullore ky moment është skalitur nëpërmjet këngës popullore kushtuar Ahmed Buqit dhe dy shokëve të tij Laze Skëndit dhe Sulejman Naçit.

Më 1914 Luzati u dogj nga forcat shoviniste greke, por popullsia shpëtoi nga një masakër si ajo e Hormovës, falë trimërisë dhe heroizmit të 5 luzatarëve: Aliko Koçi, Ali Beqiri, Selman Qibini, Jakup Skëndi dhe Haxhi Kasa, të cilët nuk u treguan forcave greke,vendin ku fshihej fshati. Luzati ka marrV pjesë në luftë kundër shovionistëve grekë më 1914. Ky moment është përjetuar në vargjet popullore:

Luzatë këmishbardhë
Në Kodër u ngrinë e vanë
Të luftojnë me Junanë

Edhe gjatë okupacionit grek, fshati e kundërshtoi me mënyra të ndryshme pushtuesin. Luzatarët nuk pranuan të paguanin taksa grekëve. Luzatari Mato Koçi qëlloi me pëllëmbë oficerin grek që kërkonte më detyrim ato. Kjo ishte përgjigja që i jepte fshati si dhe më parë në shekuj këtyre pushtuesve të rinj.

Një pjesë e madhe e luzatarve për t’i shpëtuar represionit grek apo për të forcuar ekonominë e tyre pas djegies së fshatit nga grekët, emigruan fillimisht në Turqi apo Misir dhe në fillimet e shekullit XX në Amerikë dhe Francë. Është e natyrshme që kontakti me vendet e tjera të sillte evolucion në marrëdhëniet midis komunitetit. Kështu traditat demokratike të SHBA u përcollën në fshat me krijimin e një shoqate demokratike me emrin “Përparimi” nga Selim Kopelli, Remzi Kalo, Malo Mustafai, Fuat Shehu, Myrto Progonati etj. Fshati Luzat ka qenë gjithmonë arsimdashës. Në fillim ka ekzistuar mejtepi turqisht dhe më pas shkolla shqip e hapur më 1909. Fshati Luzat është vendlindja e patriotit Sulejman Luzati nga familja Kaziaj. Ai ishte miku dhe bashkëpunëtori i afërt i Ismail Qemalit, i emëruar nënprefekt i parë i Tepelenës. Po kështu ai ishte deputeti i Tepelenës në parlamenti demokratik 1921, mik dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, Avni Rustemit, Luigj Gurakuqit, etj. Ai ka luftuar tërë jetën e tij për prosperitetin e demokracisë në vend.

Luzatarët morën pjesë në luftën kundër italianëve më 1920, në Tepelenë dhe Vlorë nën komandën e Dervish Xhaferit dhe nën udhëheqjen e Baba Ahmet Turanit- iniciatorit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili ishte nip në familjen Luzi në Luzat. Luzati duke qenë i vendosur në anë të rrugës nacionale Tepelenë-Gjirokastër- Janinë (Derveni) ka njohur një zhvillim kultural të konsiderueshëm për kohën. Ata jetonin duke ushtruar bujqësinë, blegtorinë dhe vreshtarinë. Luzatarët ishin të pranishëm dhe në qytetin e Tepelenës ku ushtronin tregtinë dhe aktivitete të ndryshme si hotel-restorant, këpucari, berber, etj. Këtë proces e pengoi pushtimi italian i vendit të cilin luzatarët nuk e pëlqyen dhe e kundërshtuan. Më vitin 1940 luzatarët kanë protestuar për dëmtimin e kanalit ujitës të fushës nga italianët që ndërtonin një rrugë strategjike për nevojat e luftës. Lufta Italo-Greke solli dëmtime të mëdha në fshat dhe shkatërrimin e ekonomive fshatare. Kjo është dhe një nga arsyet e rritjes së ndjenjës nacionaliste dhe urrejtje ndaj pushtuesve fashistë ndaj Luzati është një nga fshatrat që radhitet nga të parët në vend për rezistencë kundër Italisë fashiste. Mbi 50 djem morën pjesë me armë në dorë në formacionet partizane,shumica dërmuese të rinj ndër ta dhe 4 vajza. Luzati i dha atdheut 12 dëshmorë dhe një heroinë- Nimete Progonati.

Gjatë regjimit komunist, fshati Luzat kaloi nëpër të gjitha fazat e zhvillimit të detyrueshëm të planifikimit të ekonomisë dhe të socializimit të jetës shoqërore. Megjithatë vlen të theksohet se në këtë periudhë nga fshati Luzat shkollohen disa breza në arsimin e lartë duke krijuar dhe elitat drejtuese të qytetit të Tepelenës, por dhe më gjerë në Shqipëri, sidomos në Tiranë ku u vendosën shumë familje nga Luzati. Sot, fshati Luzat ka pothuajse të njëjtin numër shtëpish dhe banorësh që ka pasur në shekuj, të cilët kujdesen të mbarështojnë dhe kujdesen për ekonominë e tyre dhe zhvillimin social të fshatit. Mosbraktisja në numër të madh të shtëpive dhe fshatit tregon se Luzati do të vazhdojë të jetë në shekuj një qendër e rëndësishme e banuar e krahinës së Dervenit dhe të gëzojë frytet e zhvillimit të ekonomisë së lirë.

Please follow and like us: