Ruben Avxhiu: Për Srebrenicën, për shqiptarët, për Njerëzimin!
Vota në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York ishte një fitore për kujtimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë dhe një dështim publik i Presidentit Vuçiq dhe Serbisë.
Ajo ishte gjithashtu një kujtesë se si do të mund të kishte përfunduar një votë për anëtarësinë e Kosovës në OKB. Si dhe që vetëm vetoja e Rusisë dhe mbase ajo e Kinës pengojnë që Kosova të bëhet pjesë edhe në këtë organizatë ndërkombëtare.
Rezoluta për genocidin në Srebrenicë do të ishte një nga vendimet e shumta me vlerë të kufizuar simbolike që aprovohen vazhdimisht në Asamblenë e Përgjithshme. Boshnjakët dhe miqtë e tyre në botë e përkujtojnë çdo vit Srebrenicën gjithësesi.
Por, rezoluta u kthye në një shpullë në fytyrë për nacionalistët serbë pikërisht sepse ata i dhanë rëndësi të madhe asaj duke u përpjekur ta ndalonin. Në vend që të bashkoheshin me propozuesit dhe ta mbështesnin rezolutën duke pretenduar se kjo Serbi e sotme është ndryshe nga ajo e Millosheviqit, ata bënë të kundërtën.
Duke u përpjekur që me lutje, mashtrime, oferta e joshje, me lajka dhe presione, e me skena të shpifura teatrale për ta sabotuar rezolutën drejtuesit serbë me Presidentin Vuçiq në krye dëshmuan fytyrën e tyre të vërtetë, të apologjistit të krimeve të kryera. Dëshmuan se kjo e sotmja është po ajo Serbi e cila gjatë viteve 1990 i vuri zjarrin ish-Jugosllavisë, armatosi kriminelët, masakroi civilët e zbatoi spastrimin etnik.
Në vend që të dënonin dhe distancoheshin nga masakrat si ajo e Srebrenicës, Vuçiqi dhe regjimi serb tentoi të varroste të vërtetën, të mohonte krimin, të shfajësonte kriminelët. Kjo sjellje nuk është asgjë tjetër përveçse premtim që vetëm rrethanat dhe pafuqia i pengojnë nacionalistët serbë që t’i përsërisin këto krime. Refreni i tyre për kthimin e ushtrisë në Kosovë nuk është gjë tjetër veçse ëndërr për revansh historik.
Tragjedia e Srebrenicës ka rëndësi të madhe historike për ne shqiptarët. Masakrimi i mbi 8,000 burrave dhe djemve të rinj boshnjakë nga serbët e Mladiqit ishte një nga faktorët që bindën botën se përsëritja e një Bosnje të dytë nuk mund të lejohej në asnjë mënyrë në Kosovë. Fantazma e Srebrenicës ishte mbi kokën e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s kur ranë dakord që të ndërhynin në Kosovë.
Tragjedia e tyre u kthye në fitoren tonë. Ndëshkimin që bota ua kurseu në 1995, e morën katër vjet më vonë në Kosovë. Për këtë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë Srebrenicën. Masakrat, përdhunimet, dhe varret masive në Kosovë dëshmuan se Serbia ishte po ajo e luftrave të mëparshme, se Dejtoni vetëm sa kishte bindur kriminelët në Beograd se ishin të paprekshëm dhe se mund ta përsërisnin krimin edhe kundër shqiptarëve. Kësaj here luftës së UÇK-së dhe rezistencës së drejtë prej vitesh nën udhëheqjen e Presidentit Rugova u erdhën në ndihmë bota demokratike dhe Aleanca Atlantike. Kosova u çlirua dhe sot është e pavarur.
Ishte po kjo botë demokratike që udhëhoqi betejën për të vërtetën sot në OKB. Po të shohësh votat kundër – ato janë me ndonjë përjashtim të rrallë – një paradë e diktaturave të kohës sonë. Rusia, Bjellorusia, Kina, Koreja e Veriut, Siria e kriminelit Bashar Asad, Kuba, e disa satelitë të vegjël të Kremlinit nëpër botë.
Lufta për të vërtetën e asaj kohe, për të vërtetën e Srebrenicës, për të vërtetën e Kosovës nuk janë çështje nacionalizmi për ne. Janë kauza mbarënjerëzore. Historinë duhet ta tregojmë dhe ta mbrojmë me zë të lartë. Nëse nuk e bëjmë, agresorët dhe kriminelët, trashëgimtarët dhe mbështetësit e tyre do ta rishkruajnë historinë e do të përdhosin viktimat e krimeve të tyre. Do t’i vrasin përsëdyti e do të bëjnë që sakrifica e tyre të shkojë kot. Kjo nuk mund të lejohet.
Sot ishte një ditë e mirë për Njereëzimin.
https://www.illyria.com/per-srebrenicen-per-shqiptaret-per-njerezimin/