Albspirit

Media/News/Publishing

PËRCJELLJA E LEGJENDËS DHE FEDERATA QË S’U PA…

Sejmen Gjokoli

Me Vasil Rucin, një nga legjendat e futbollit vlonjat, u nisëm për të marrë pjesë në homazhet për legjendën gjirokastrite, të jashtëzakonshmit Sefedin Braho.

Vasili me vehte edhe një buqetë të stërmadhe lulesh në emër të Shoqatës së Veteranëve të futbollit vlonjat të cilën e udhëheq prej themelimit.

Në Gjirokastër, pranë Pallatit të Sportit ku kryhen homazhet, takohemi edhe me të tjerë figura të futbollit vlonjat; me Uran Xhafën, miku i tij i madh, po edhe Cane Ahmetaj e Petraq Bifshën, të lidhur me futbollin e këtij qyteti në kohë të ndryshme.

Takojmë Luan Seitin, Shametin e Çabeli nga vëndasit bashkëkohës të futbollistit të madh të cilët na shoqërojnë pa u ndarë.

Në hyrje të Pallatit të Sportit brenda të cilit zhvillohen homazhet përballemi me Kryetarin e Bashkisë Golemi dhe Ministren Kumbaro të cilët sa i kanë dhënë lamtumirën. Më pas takojmë edhe Kryetarin e Qarkut Dino Selimi.

Nisja drejt varrezave të qytetit me njerëz të paktë, familjarë dhe disa prej tifozëve e ish futbollistëve gjirokastrit, mes tyre Devolli e Bellaj, ardhur nga larg.

Gjirokastritët e kanë zakon të presin në hyrje të vorrezave, atje kishin dalë të gjithë.

Aty pamë të prisnin edhe Faruk Sejdini, Shyqyri Ballgini, Halit Gega e Artur Çobani.

Vasil Ruci takohet me të gjithë e të gjithë bashkë bëhemi pjesë e procesionit të përcjelljes së legjendës gjirokastrite për në banesën e fundit që për çudi është zgjedhur fare në fund, në ekstrem të hapësirës së varrezave.

– Parcelën e re të fillonin – dëgjova të thoshnin ca zëra në turmë.

Në fakt të gjithëve na brengosi kjo zgjedhje.

Sefedin Braho me thjeshtësinë e modestinë që e shoqëroi tërë jetën me siguri nuk do ti bënte përshtypje edhe kjo zgjedhje, të tjerët duhet ta bënin për të.

Në atë botë të gjithë bëhen të barabartë por të gjallët kanë nevojë e madje detyrë që edhe këtu ti nderojnë modelet e simbolet që frymëzojnë.

Ndërkohë e pa falshme që ky magjistar i futbollit gjirokastrit, kjo legjendë e futbollit kombëtar të përcillet me ca fjalë nga veterani i lagjes.

As ndërhyrja për të thënë dy fjalë nga legjenda dinamovite Artur Çobani nuk mund ta zvëndësonte atë ç’ka institucioni më i lartë i futbollit duhej të bënte për të.

Askush nuk u pa nga Federata Shqiptare e Futbollit në përcjelljen e “shigjetës” gjirokastrite, Sefedin Brahos, më të madhit të futbollit gjirokastrit por edhe ndër më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar të të gjitha kohërave.

E megjithatë atë e përcolli plot veneracion e dhemshuri qytetaria gjirokastrite, bashkëkohësit e tij të futbollit të luajtur, miqtë e tij të shumtë ardhur nga çdo anë.

U prehsh në paqe, legjendë!

Ti mbetesh EMBLEMË!

Please follow and like us: