Albspirit

Media/News/Publishing

“Homeri i letrave shqipe”, At Gjergj Fishta

Më 23 tetor 1871, lindi “Homeri i letrave shqipe”, At Gjergj Fishta.

Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë. Krahas barabitjes me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës do të gjendeshin afinitete edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaticiteti.

Mësimet e para i mori në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnjë, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi. Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit.

Në vitin 1913, themeloi revistën letrare-kulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924.

Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939).

Atë Gjergj Fishta ndërroi jetë në vendlindje, në Shkodër, më 30 dhjetor 1940./atsh

Please follow and like us: