SHËN NËNË TEREZA, SIMBOL I MARRËDHËNIEVE MIQËSORE MIDIS SHQIPTARËVE DHE KROATËVE
Frank Shkreli
Javën që kaloi, në Osijek — qyteti i katërt më i madh i Kroacisë – u përurua shtatorja e Shën Nenë Terezës, me nismën e ndërmarrë nga komuniteti shqiptar i krahinës së Sllavonisë dhe Baranje të Republikës së Kroacisë, u realizua ky projekt. Sipas medias vendore, përfshir OsijekExpress, në ceremoninë e përurimit të shtatores së Nenë Terezës në atë qytet, morën pjesë përfaqësues të qeverisë vendore dhe qendrore kroate, pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga ajo krahinë e Kroacisë, udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë Kombëtare të Shqiptarëve të asaj zone, Basri Haliti dhe shqiptarë të ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe nga trojet e tjera shqiptare.
Me këtë rast, Zëvëndës kryetari i Bashkisë Osijek, Dragan Vulin në fjalën e tij nënvijoi se shtatorja e Nenë Terezës në Osijek është edhe një simbol shtesë, një shenjë e lidhjeve të ngushta e miqësore midis popullit shqiptar dhe popullit kroat. “Miqët tanë shqiptarë që jetojnë në Osijek janë pjesë përbërse e këtij qyteti, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në mbrojtjen e qytetit tonë gjatë luftës për mbrojtjen e atdheut, për të cilën ndihmë, u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues shqiptarëve”, ka thenë, Z. Vulin, zevëndës kryetari i Bashkisë Osijek, duke folur për rolin dhe kontributin – në kohë lufte dhe në kohë paqeje — të shqiptarëve që jetojnë në atë qytet dhe në krahinën kroate të Sllavonisë. Njoftohet se ishte Zyra e Bashkisë të qytetit Osijek që merret me të drejtat e njeriut dhe me të drejtat e pakicave kombëtare, ajo që siguroi mjetet e nevojshme për për ngritjen e shtatores kushtuar Nënë Terezesn ë qytetin kroat.
Ndërkohë që Kryetari i Komunitetit Kombëtar të Shqiptarëve të Sllavonisë dhe Baranjës, Z. Basri Haliti – nismëtar dhe promovues i idesë për ngrijten e shtatores së Nenë terezës në atë qytet – sipas kronikave vendore për këtë ceremoni, ka theksuar se shtatorja kushtuar Nenë Terezës nuk është vetëm një nderim për një prej humanitarëve më të rëndësishëm dhe më të njohur të shekullit XX, por është gjithashtu edhe diçka që na kujton bazat e vlerave themelore të njeriut, e të cilat na frymëzojnë të gjithëve – siç janë dashuria, solidariteti dhe kujdesi për të afërmit tanë. Nënë Tereza ka kaluar gjithë jetën e saj duke ndihmuar më të rrezikuarit, më të varfërit dhe më të lenët pas dore të shoqërisë. Misioni i saj ishte i thjesht – t’i ofrohej ndihma secilit që ka nevojë për ndihmë, pa marrë parasysh besimin, origjinën apo statusin shoqëror. Prandaj, kjo shtatore kushtuar Nënë Terezës duhet të na kujtojë porosinë e saj për dashuri e paqë për të gjithë dhe pa dallim”, ka nënvijuar në fjalën e tij kryetari i Bashkisë Kombëtare të Shqiptarëve në Sllavoni, Z. Basri Haliti.
Një zyrtar tjetër vendor i qytetit Osijek, Josip Miletiq, tha se murgesha katolike, Nenë Tereza u ka shërbyer shoqërive që kanë më shumë nevojë duke u kujdesur për më nevojtarët e shoqërisë, duke u ofruar atyre, njëkohsisht, dashuri e shpresë. Sipas të dhënave nga media vendore, ai uroi dhe falënderoi komunitetin shqiptar të krahinës Sllavonia-Baranje të Kroacisë, për nismën dhe më në fund për ngritjen e shtatores së Nënë Terezës në Osijek duke u shprehur se është i sigurt se ai vend ku është vendosur shtatorja e saj do të bëhet vend takimesh dhe uratësh për shumë besimtarë, pa dallim, ka thënë zyrtari i Osijekut, Miletiq. Ndërkaq, në emër të Parlamentit kroat dhe të Presidentit të Republikës së Kroacisë foli antarja e parlamentit kroat me origjinë shqiptare, Ermina Lekaj -Prlaskaj. “Kjo shtatore është një kujtesë e fuqisë së pashtershme të mirësisë dhe altruizmit dhe na jep një shembull të asaj për të cilën duhet të përpiqemi të arrijmë, si shoqëri. Kjo shtatore simbolizon gjithashtu lidhjet e Kroacisë me vlerat universale të paqës, dashurisë dhe mirëkuptimit që kanë udhëhequr gjithmonë jetën dhe veprat e Nënë Terezës në rrugën e jetës së saj – është shprehur me atë rast, Ermina Lekaj Prljaskaj, e cila foli në atë ceremoni si përfaqsuese e Presidentit të Republikës së Kroacisë dhe Parlamentit kroat.
Pjesëmarrësve në këtë ceremoni u është bashkuar edhe Dr Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Prishtinë-Prizren, biografi i njohur brenda dhe jasht trojeve shqiptare për veprat e shumta kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës. “Gjuha e Nënë Terezes”, tha në fjalën e tij Dom Lush Gjergji, “është mbi të gjitha gjuha e dashurisë. Një gjuhë që duhet ta mësojmë të gjithë, sepse sa gjuhë njeh, aq njerëz vlen. Mirëpo, gjuha e Nënës Tereze ishte një gjuhë universale, një gjuhë që nderon Zotin dashuri dhe afron vëllain apo motrën njeri…Kurdo që të vini para kësaj truporeje, shihni duart e hapura edhe më tepër zemrën e hapur të Nenës Tereze, për çdo njeri, pa dallim…Të mundohemi atëherë, që atë t’a nderojmë, atë t’a duam. Gjurmëve të saj të shkojmë e mbi të gjitha, atë t’a emitojmë”, tha ndër të tjera Dom Lush Gjergji, i ftuar enkas nga Kosova për të marrë pjesë në atë cermoni të përurimit të shtatores së Nënës Tereze në Osijek të Kroacisë.
Kjo nuk është shtatorja e parë e Nënës Tereze në Kroaci – e ma merr mendja se nuk do të jetë as e fundit, duke marrë parasysh, respektin, nderimin dhe devocionin e kroatëve ndaj Shën Nënës Tereze, por edhe lidhjet historike dhe marrëdhëniet miqësore midis dy popujve dhe kombeve tona – atij shqiptar dhe atij kroat. Marrëdhëniet shqiptaro-kroate, siç u tha edhe nga disa prej folësve në ceremoninë e përurimit të shtatores së Nënës Tereze javën e kaluar në Osijek, mbështeten në lidhjet e forta historike mes dy kombeve që sot ndajnë vlera të përbashkëta të integrimit euroatlantik. Por, siç u potencua nga folësit edhe në ceremoninë e javës së kaluar, lidhjet midis dy kombeve tona i kanë thelluar edhe mëtej kontributi, sakrificat dhe vetmohimet e shqiptarëve, sidomos atyre nga Kosova, në luftën heroike të popullit kroat për liri e pavarësi të Kroacisë, në fillim të viteve 1990.
Por, dihet se këto marrëdhënie e kanë zanafillën në historinë e hershme të lidhjeve midis dy kombeve – duke filluar nga lidhjet ndërmjet Arbërisë dhe Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), që në kohën e Kastriotëve, kur ato gëzonin liri të pa kufizuar tregëtie me njëri tjetrin, por edhe marrëdhënie të tjera të forta, sidomos në fushën e diplomacisë dhe të arsimit. Thuhet se diplomati, kleriku arbëror, oratori i njohur dhe njeriu besnik i Gjergj Kastriotit, Palë Gazulli, ka shërbyer si ambasador i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në Republikën e Raguzës. Se ai ka shërbyer edhe si rektor i shkollave të Raguzës. Këto lidhje në fushën e arsimit, sidomos për studentët nga të gjitha trojet shqiptare kanë qenë evidente edhe më vonë, në fillim të shekullit të kaluar dhe gjatë periudhës së komunizmit. Në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar, të rinjtë nga trojet shqiptare në ish-Jugosllavi — preferonin të shkonin në shkollat kroate dhe sidomos ata të fesë katolike regjistroheshin në seminaret katolike anë e mbanë Kroacisë, ku edhe autori i këtyre rreshtave ka kaluar vitet më të bukura në shkollën e mesme klasike të urdhërit salezian në qytetin kroat, Rijeka.
Këto marrëdhënie të ngushta e të hershme midis dy popujve tanë, janë përforcuar gjithashtu në fillim të shekullit të kaluar me punën e palodhëshme të shumë kroatëve, por sidomos të veprimtzarisë së historianit dhe albanologut shumë të njohur kroat, Milan Shufflaj, i cili nepërmjet hulumtimeve dhe disa veprave të tijame rëndësi historike, ka dokumentuar historinë e shqiptarëve në Mesjetë — veprimtari të cilën, fatkeqsisht, ai e ka paguar me jetën e tij, duke rënë martir i albanalogjisë. Për veprimtarinë e tij në fushën e albanologjisë,ai është vrarë nga dora e zezë serbe në Shkurt të vitit 1931, një ditë pasi ishte kthyer në Zabgreb nga një vizitë që kishte bërë në Shqipëri dhe ndërkohë që po përgatiste një botim tjetër mbi historinë e Shqiptarëve. Kontributi i tij në ëtë fushë, konsiderohet nga historianë dhe akademikë të njohur, si unik dhe i pazëvëndsueshëm. Ky është vetëm një shembull i kontributit të një individi në forcimin e lidhjeve të ngushta midis kombit shqiptar dhe atij kroat.
Uroj që përurimi i javës së kaluar në Osijek të Kroacisë i shtatores së Shën Nënës Tereze — bijës së nderuar të Kombit shqiptar dhe Nënës së botës – të shërbejë si një dëshmi tjetër e miqësisë së fortë dhe historike midis dy popujve, drejt përforcimit të mëtejshëm të miqësisë historike dhe të marrëdhënieve të shkëlqyeshme midis dy kombeve tona. Si kontribues të denjë të paqës dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në miqësi të përhershme me njëri tjetrin, në kuadër të integrimit të plotë euro-atlantik të shqiptarëve dhe kroatëve në trojet e tyre historike në Ballkanin Perëndimor.
Frank Shkreli
FOTO E TË DHËNA, NË GJUHËN KROATE, NGA CEREMONIA NË LINKUN MË POSHT-OsijekExpress
FOTO U Osijeku postavljen kip Svete Majke Terezije! Evo gdje je i kako izgleda… – Osijek Express
Pamje natën e qytetit Osijek në Kroaci, ku të henën që kaloi, u përurua shtatorja e Shën Nenë Terezës.