Zana Tako: Doktrina e politikës globaliste
Fjala doktrinë nuk është e huaj për veshët tanë. I doktrinuar do të thotë, të bindesh duke i shërbyer atij të cilit ke vendosur t’i kushtohesh, në sjellje, në mendime dhe në veprime.
Të doktrinuarit hanë atë çfarë u vihet në pjatë, pa u ankuar dhe pa u menduar për shijen që do të provojnë. Kështu edhe politika globaliste, së cilës i shërbejnë ata që kanë zgjedhur t’i shërbejnë, pa u menduar se zgjedhja që kanë bërë, mund t’i burgosë si skllevër për të gjithë jetën.
Doktrina e politikës globaliste është sa e thellë aq edhe e vështirë për t’u kuptuar. Sipërfaqja e saj shkëlqen nga gjoja “bollëku” i të mirave që të ofron kjo politikë. Por “e mira” e saj është verbëria, e cila të mban gjithmonë të fjetur, duke të përkundur nën ritmin e saj teknologjik.
Politika globaliste e trajton njeriun si qenie në ndryshim. Ky ndryshim për pasojë ka vetkontrollin, që nuk i shërben njeriut, por atij që e udhëheq njeriun drejt një rregulli abstrakt që duhet zbatuar, në të kundërt, joshja kthehet në diktat, i cili nuk ka mëshirë, as llogjikë njerëzore por llogjikë teknologjie, e cila përjashton dhe nxjerr nga skedarët e saj, gjithkënd që nuk përmbush detyrat që i ngarkohen.
Politika globaliste nuk është sovran, por kërkon të bëhet sovran, duke zgjedhur lidershipin i cili plotëson kushtet që paracakton kjo lloj politike e re për njerëzimin, por e vjetër në strukturë, pasi njerëzit-kukulla që planifikojnë dhe formulojnë ligjet dhe rregullat e kësaj politike, njihen që me themelimin e bërthamës së saj.
Nuk është e vështirë për njeriun të kapërcejë dhe të anashkalojë këto rregulla dhe politika që i serviren herë pas here në kohë. E vështirë është që njeriu të kuptojë se skllavëria që po i serviret si pavarësi, është dallimi që i duhet për t’u mbrojtur dhe për të luftuar për të drejtat e tij themelore si qenie e lirë në ekzistencë.
Politika globaliste nuk mund të frymojë dhe të konsolidohet pa njeriun, prandaj edhe doktrina e saj përbëhet nga ligjet e skllavërisë dhe jo të indipedencës njerëzore, nga kalimi i lirisë në robëri, nga zgjedhja në liri në zgjedhje me forcë dhe diktat.
Politika në vetvete nuk është ekuacion i pazgjidhshëm. Çdo formulë e ka një zgjidhje, ashtu edhe politika, sado të hartojë plane dhe të formulojë ligje në kundërshtim me të drejtat e njeriut, gjithmonë ka një shteg, nëpërmjet të cilit depërtojnë të vërtetat që nxjerrin lakuriq qëllimet të cilat rrënojnë jetën njerëzore dhe nuk i shërbejnë lirisë njerëzore.
Kjo lloj politike që kërkon të serviret sot në pjatë të argjendë por nga duar të zeza, është sinjal për vigjilencën njerëzore, e cila nuk mund të bëhet pre e doktrinave që shpiken nga mendje të cunguara nga efekti i errësirës ku jetojnë.
Njeriu ka lindur në liri dhe duhet të jetojë dhe të shijojë lirinë, e cila as nuk shitet dhe as nuk blihet. Lider që udhëheqin shkojnë dhe vijnë, duke marrë pas vetes barrën e rëndë të fajit dhe të mëkatit. Mësimet nuk mbarojnë, por jeta e njeriut mbaron shpejt.
Jeta është e çmuar shumë, dhe ky çmim i saj shemb çdo doktrinë të mbrapshtë në shërbim të politikave të mbrapshta!
Nëntor 2024.